Inteligjenca artificiale në mes të informimit dhe dezinformimit

Përhapja e dezinformatave të gjeneruara nga inteligjenca artificiale paraqet sfida të rëndësishme për shoqërinë. Fushatat e dezinformimit të mundësuar nga inteligjenca artificiale mund të manipulojnë opinionin publik dhe të minojnë besimin në burime të besueshme informacioni.

Autor: Festim Rizanaj

Burimi: Respublica

Vitet e fundit, përhapja e teknologjisë së inteligjencës artificiale (IA) ka revolucionarizuar industri të ndryshme, duke përfshirë median në krijimin dhe shpërndarjen e informacionit. Përderisa IA, ofron përfitime të shumta në përmirësimin e efikasitetit dhe automatizimit, ajo paraqet sfida kur bëhet fjalë për përhapjen e keqinformatave dhe dezinformatave.

Të kuptuarit e marrëdhënies midis IA dhe dezinformimit është thelbësor në adresimin e zhvillimit të strukturës dhe dimensioneve të keqinformatave digjitale. Më mundësitë e ofruara inteligjenca artificiale mund të ndihmojë edhe në punën informimit të drejtë dhe të saktë duke reduktuar kështu kohën dhe sfidat tjera gazetareske në krijimin dhe shpërndarjen e informacionit.

Përdorimi i IA në informim

TV Dukagjini është televizioni i parë, i cili ka filluar të aplikojë inteligjencën artificiale në emisionin Debat Plus. Me integrimin e platformës Shqip.ai emisioni debatues transkriptohet në kohë reale duke mundësuar kështu që ky emision, nëpërmjet një shiriti të transkriptimit të shfaqur në ekran, ndjekjen e emisionit tua mundësojë edhe kategorive të veçanta. Nëpërmjet kësaj, këto kategori do të mund të informohen për zhvillimet në vend dhe diskutimet dhe mendimet rreth atyre zhvillimeve.

Në mesin funksioneve të kësaj platforme përfshihen disa kategori të përdorimit të gjuhës shqipe të cilat ia janë ngarkuar ose mësuar. Por gjatë transkriptimit të debateve, ky model i madh gjuhësorë (LLM) ka arritur të mësojë edhe përdorime të tjera të gjuhës, jashtë kategorive të ngarkuara, të përdorur nga të ftuarit në emision, për të mundësuar një transkriptim më të saktë.

Një përdorim i tillë i inteligjencës artificiale në media, mund të hap rrugë që IA të përdoret në mënyrë të dobishme në media. Prandaj, media në përgjithësi, por edhe desku informativ në veçanti duhet zhvillojnë bashkëpunime me njohës të inteligjencës artificiale dhe të përgatiten për integrimin e saj në praktikën gazetareske. Kjo do t’i lehtësonte punën dhe do t’i kursente kohën.

IA mund të aplikohet në transkriptimin e intervistave, shkrimin e lajmit lidhur me intervistën, përmbledhjen e raporteve të ndryshme të cilat marrin kohë për tu lexuar, e gjenerimin e fotografive ilustruese.  Krahas kësaj, në bashkëpunim me njohës të fushës mund të krijohen chatbote të cilat do tu asistonin gazetarëve në gjetjen e temave, në përpilimin e pyetjeve për intervista, si dhe në shkrimin e artikujve.

Së fundi, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka përfshirë në Kodin e Etikës rregullat, sipas të cilave mediat duhet raportuar kur përdorin inteligjencën artificiale. Sipas rregullave të përpiluara nga KMShK, në procesin e krijimit të përmbajtjes mediale duhet të respektojnë parimet e mbrojtjes së të dhënave personale, sigurisë së informacionit dhe mosdiskriminimit. Kjo përmbajtje e krijuar me IA bie në përgjegjësinë editoriale të gazetarëve dhe redaktorëve duke respektuar kodin etik.

Njëkohësisht, lexuesit duhet t’i bëhet e ditur me shënim se në cilin segment dhe çfarë lloji i inteligjencës artificiale është përdorur në përmbajtjen e krijuar me IA dhe si funksionon. Krahas kësaj, duhet respektuar të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të pronësisë intelektuale. Gjatë ndërveprimit të lexuesit me inteligjencën artificiale, ata duhet të informohen paraprakisht se këto ndërveprime nuk po bëhen me njerëzit dhe nëse mund të shqetësohen lexuesit nga ky ndërveprim, atyre duhet t’iu sigurohet komunikimi me një person fizik dhe mundësia për të kundërshtuar vendimin përkatës.

Roli i IA në dezinformim

Inteligjenca artificiale luan një rol të dyfishtë sa i përket dezinformatave. Nga njëra anë, veglat dhe algoritmet e fuqizuara nga IA kanë qenë të rëndësishme në zbulimin dhe luftimin e dezinformatave duke etiketuar përmbajtje të dyshimta, duke i analizuar ato dhe duke i identifikuar përmbajtjet e rreme (lajmet e rreme). Përdorimi i këtyre mjeteve i ka ndihmuar kontrolluesve të fakteve (fact-checker) në punën e tyre për identifikimin dhe luftimin e përmbajtjeve keqinformuese.

Algoritmet e IA mund të ndihmojnë në filtrimin e burimeve të besueshme për kërkime dhe mbledhje të informacioneve, informacione ndërmjet burimeve krahasuese dhe për të identifikuar modele që tregojnë se përmbajtjet janë potencialisht mashtruese ose të rremë.

Nga ana tjetër, inteligjenca artificiale mund të përdoret për të krijuar fushata të sofistikuara dezinformimi. Përmbajtjet e krijuara nga IA, duke përfshirë falsifikimet e thella (deepfake) dhe imazhet e manipuluara (edituara), mund të mashtrojnë audiencën duke paraqitur informacione të rreme në mënyrë bindëse. Përparimi i shpejtë i teknologjisë së inteligjencës artificiale e bënë gjithnjë e më sfidues dallimin midis përmbajtjes origjinale dhe asaj të fabrikuar, duke mjegulluar linjat midis realitetit dhe trillimit.

Fotografitë e Papës me palto të bardhë, ato të arrestimit të Donald Trump, ishin rastet prej të parave që paralajmëruan fenomenin e gjenerimit të imazheve me inteligjencë artificiale.

Gjatë punës në fact-checking në kuadër të hibrid.info kemi hasur në dhjetëra përmbajtje të cilat janë gjeneruar me inteligjencë artificiale të publikuara nga llogari dhe faqe në gjuhën shqipe në mediat sociale, e të cilat janë përdor për të paraqitur një situatë të caktuar. Megjithatë, këto imazhe kishin interaktivitet të madh në mediat sociale për shkak të bindshmërisë dhe emocionit që përcillnin.

Inteligjenca artificiale ka hapur dimensione të reja në krijimin e audio dhe video materialeve të rreme. Deepfake, si media sintetike, është një nga teknikat e përdorura, nëpërmjet teknologjisë së cilës mund të zëvendësohen fytyrat, zërat dhe shprehjet e njerëzve në video, që ata të duken sikur po thonë ose bëjnë diçka që nuk e kanë bërë kurrë. Kjo teknologji njëkohësisht mundëson gjenerimin e audio dhe videove nga zero që duken dhe tingëllojnë autentike.

Në mediat sociale janë publikuar disa përmbajtje deepfake, sikurse rasti i videos së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti duke folur në gjuhë arabe, apo edhe videos me zë të klonuar të Liridona Murselit me një tekst emocional, apo Elon Musk duke folur në shqip, të gjitha të publikuara në media sociale, konkretisht në TikTok.  Megjithatë, mund të themi se këto përmbajtje kanë ndikuar në opinion publik për shkak të interaktivitetit që gjeneruan.

Nga ana tjetër, viti 2024 llogaritet viti i zgjedhjeve në mbarë botën, pasi të paktën 64 vende (plus Bashkimi Evropian do t’i nënshtrohen procesit të zgjedhjeve, ngritët shqetësimi për përdorimin e inteligjencës artificiale në cenimin e integritetit të informacionit dhe zgjedhjeve. Në bazë të diskutimeve në opinion publik, si duket edhe Kosova do të përshihet në procesin e zgjedhjeve sivjet, e ku shfaqet shqetësimi i krijimit dhe shpërndarjes në mediat sociale (faqe dhe grupe) të videove deepfake, klonimeve të zërit të politikanëve dhe forma të tjera manipuluese.

Prandaj, nga njëra anë, gazetarët dhe punonjësit e mediave duhet përgatiten në njohjen dhe identifikimin e këtyre formave të manipulimit, nga ana tjetër, edhe përdoruesit e mediave sociale (audienca) duhet të njihen me karakteristikat e këtyre përmbajtjeve në mënyrë që të mos bien pre e tyre.

Përhapja e dezinformatave të gjeneruara nga inteligjenca artificiale paraqet sfida të rëndësishme për shoqërinë. Fushatat e dezinformimit të mundësuar nga inteligjenca artificiale mund të manipulojnë opinionin publik dhe të minojnë besimin në burime të besueshme informacioni.

Natyra virale e mediave sociale rrit shtrirjen e përmbajtjes mashtruese, duke bërë të vështirë frenimin e përhapjes së narrativave të rreme. Mungesa e transparencës në përmbajtjet e krijuara nga inteligjenca artificiale përbënë një kërcënim për integritetin e medias dhe informacionit, duke nënvizuar nevojë urgjente për rregullore dhe masa mbrojtëse kundrejt dezinformimit digjital.