RMV, padi penale kundër një zyrtari policor, dyshohet për falsifikimin e një dokumenti

Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale në Ministrinë e Punëve të Brendshme pranë Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka paraqitur kallëzim penal kundër Z.L., zyrtar policor në Qendrën Rajonale për Çështje Kufitare Jug, për shkak të ekzistimit të shkaqeve të dyshimit për veprat e kryera penale “punë nga pakujdesia në shërbim” dhe “rastet e veçanta të falsifikimit të dokumenteve”, transmeton Portalb.mk.

“Përkatësisht, Z.L. në cilësinë e punonjësit të policisë dhe kryetarit të komisionit për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ka vepruar nga pakujdesia në kryerjen e detyrave dhe kompetencave të tij në atë mënyrë që në dy raste brenda afatit të paraparë me ligj nuk ka kryer procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj S.A., e punësuar në stacionin e kontrollit kufitar dhe mbikëqyrjes kufitare të Policisë Bogorodica, për të cilën Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminale dhe Standardeve Profesionale ka paraqitur paraprakisht kallëzim penal për marrje ryshfeti. Gjithashtu, Z.L. ka falsifikuar nënshkrimin e një anëtari të komisionit, i cili nuk ka marrë pjesë personalisht në marrjen e vendimit për pushimin e procedimit ndaj S.A. dhe as e ka firmosur personalisht. Në atë mënyrë i akuzuari i ka shkaktuar dëm reputacionit të MPB-së”, thonë nga MPB.

Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime penale dhe standarde profesionale do të paraqesë propozim kundër Z.L. të iniciojë procedurë për shkelje të rendit dhe disiplinës së punës dhe do të largohet nga vendi i punës deri në përfundimin e procedurës disiplinore.