Integrimet dhe tensionet

Dihet se pas disa muajsh do të ketë zgjedhje parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi: të zhbllokohen proceset eurointegruese për shkak të kushtëzimeve nga ana e Bullgarisë.

Dihet se do të ketë kryeministër shqiptar, ashtu siç e parasheh marrëveshja për koalicion ndërmjet BDI-së dhe LSDM-së.

Dihet se kryeministri i parë shqiptar në RMV do të jetë kryetari aktual i parlamentit. Për disa elita politike dhe kulturore maqedonase është e papranueshme që partitë shqiptare të kenë njëkohësisht kryeministër dhe kryetar parlamenti.

Dihet se tani e tutje do të ketë shumë zhurmë, shumë etiketime, shumë propagandë politike, sepse votuesit indiferentë duhet të zgjohen nga letargjia dhe të futen në vorbullën politike. Sa më shumë politizohen votuesit, aq më shumë nxiten që të dalin në zgjedhje, kurse kjo është një skemë e njohur.

Në kësi rrethanash, do të duhej të ishte e ditur dhe e pritshme që partitë politike të krijonin atmosferë favorizuese për integrimin e vendit në BE, kurse fushata do të duhej të zhvillohej në drejtimin se cila parti do ta garantonte afrimin sa më të shpejtë të vendit me BE-në.

Në realitet ndodh e kundërta. Në skenë janë rishfaqur nxitësit e tensioneve ndëretnike, sepse tensionet janë “të leverdishme” në kohë zgjedhjesh. Sërish kontaminohet hapësira publike me parulla nacionaliste. Sërish flitet për “patriotë”, “tradhtarë” dhe “çaste historike”. E njëjta lojë parazgjedhore që përsëritet ndër dhjetëvjeçarë.

Për vendin është jetik integrimi europian, veçanërisht në këtë kohë të zymtë, qoftë në planin rajonal, qoftë në atë global.

Për sa kohë Maqedonia e Veriut mbetet larg dyerve të BE-së, as nuk mund të shpresohet për përmirësim të jetesës së qytetarëve dhe as nuk mund të parandalohet shpopullimi i frikshëm e me pasoja afatgjata.

Mjerisht, ka elita politike dhe kulturore që janë kundër integrimit europian edhe kur këtë nuk e thonë hapur. Diskursi i tyre është në kundërshtim me kërkesat, vlerat dhe standardet europiane.

Në RMV ka forca të mbidheshme dhe të nëndheshme që nuk e duan afrimin e vendit me BE-në, sepse kanë agjenda të tjera.

Këto elita, gjithashtu, pranojnë gjithçka, por jo edhe një status të barabartë të shqiptarëve në këtë shtet. Me vite flasin për “shqiptarin imagjinar”, të cilin e shohin si “armik të brendshëm” dhe si “fajtor kujdestar”, kurse sot këtë propagandë e zhvillojnë në formë më të sofistikuar.

Maqedonia e Veriut nuk e ka luksin ta vë në pikëpyetje integrimin europian, sepse do të dëmtohej në planin e jashtëm dhe të brendshëm.

Elitat politike dhe kulturore, që i kanë antenat e drejtuara në drejtim të kundërt me BE-në, punojnë kundër këtij shteti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.