Instituti për Demokraci: Ligji për shërbimin e lartë drejtues në RMV të miratohet para zgjedhjeve parlamentare

Miratimi i Ligjit për shërbimin e lartë drejtues do të sjellë standarde për profesionalizimin e shërbimit të drejtuesve të lartë dhe paraqet një hap përpara drejt zgjidhjes së problemit të kahershëm me emërimin e drejtorëve dhe udhëheqësve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Përgatitja dhe miratimi i ligjit po vazhdon prej disa vitesh dhe përgjegjësia për këtë është bartur në institucione të ndryshme. Vonesa në zbatimin e ligjit sjell vazhdimin e praktikës së emërimeve jo transparente dhe jo cilësore të drejtorëve dhe drejtuesve. Për të ndalur këtë praktikë, është e nevojshme miratimi urgjent i Ligjit për Shërbimin e Lartë Drejtues dhe zbatimin e tij, reagojnë nga Instituti për Demokraci, transmeton Portalb.mk.

“Kuadri ligjor i padefinuar aktualisht lejon abuzimin dhe ndarjen e pozitave në procedura jotransparente bazuar në marrëveshjet e anëtarësimit partiak dhe koalicionit. Kjo rezulton me joefikasitet të institucioneve dhe pengon ofrimin në kohë dhe cilësor të shërbimeve ndaj qytetarëve. Gjatë viteve, komuniteti ndërkombëtar ka vënë në dukje nevojën për departamentizim dhe investim në kapacitetet e administratës publike. Ligji duhet të sigurojë personelin më të përshtatshëm që do të menaxhojë institucionet dhe do të parandalojë pazaret partiake. Prandaj, tani është koha e duhur për të bërë përpjekje dhe për të miratuar Ligjin për Shërbimin e Lartë Drejtues, para shpërndarjes së Kuvendit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ligji do të dallojë pozitat politike nga ato drejtuese në institucione, do të vendosë një mekanizëm të përzgjedhjes së menaxherëve të bazuar në merita dhe do të sigurojë efikasitet më të madh të punës së institucioneve”, shtojnë nga Instituti për Demokraci.

Kujtojmë se vërejtjet e Antikorrupsionit dhe shoqërisë civile për versionin e fundit të Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, i cili parashikon departizimin e procedurës së emërimit të drejtorëve, janë marrë parasysh dhe janë vendosur në ligj. Kështu thanë nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës për vërejtjet e ekspertëve të cilët “krasitjen” e versionit të parë të ligjit e vlerësuan skandaloz dhe legalizim të ndikimit partiako-politik. Megjithatë, Ministria insiston se nuk do të ndryshohet ligji në pjesën ku ministri do të ketë mundësi që në fund të procedurës të zgjedh njërin nga tre kandidatët më të mirë.

Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës i cili premtohet për disa vite me radhë është në fazën e shqyrtimit të vërejtjeve dhe korrigjimit të versionit të tretë, i cili u publikua në korrik të këtij viti.

Portalb.mk, bëri analizë të detajuar të versionit të parë të ligjit, dhe versionit të fundit i cili u “krasit” nga dispozitat e rrepta për mbrojtje nga ndikimi partiak gjatë emërimit.

Megjithatë, nga MSHIA insistojnë se ky ligj do ta departizojnë emërimin e drejtorëve, pasi nuk lejon emërimin e personave që nuk kanë kualifikim përkatës.

“Fillimisht vendoset rend, duke pasur procedurë. Pra do të dihet se është hapur vend i lirë pune, drejtor i ndonjë institucioni, t’u jepet hapësirë kohore ekspertëve, të munden të aplikojnë, ata që mendojnë se i plotësojnë kushtet. Të ketë indikatorë të rinj se kush mundet të bëhet drejtor, çfarë duhet të ketë kryer dhe çfarë lloj të kompetencave duhet të ketë, të dini se kush do ta vlerësojë atë. Ato vlerësime duhet të jenë publikisht të qasshme në Agjencinë për Administratë Publike dhe në fund do të keni top 3 kandidatë, njëri prej të cilëve duhet të bëhet drejtor. Nëse kjo nuk është departizim nuk e di çfarë të them”, thonë nga MSHIA.

Siç thanë në brifing me gazetarët përfaqësuesit e MSHIA-së, me rëndësi është që kuadri të jetë profesional, pavarësisht bindjeve të tija politike.

Ky version nuk dihet se në kohën e cilit ministër është përgatitur, në atë të Admirim Alitit, i cili ka qenë ministër në periudhën prej 16 janarit të vitit 2022 deri më 27 shkurt të vitit 2023, apo në kohën e Azir Aliut i cili këtë pozitë e ka trashëguar nga Aliti dhe ende vazhdon ta ushtrojë.

Analizën e plotë të Portalbit për ligjin në fjalë mund ta lexoni: Qeveria në aksion për të legalizuar emërimet partiake përmes ligjit skandaloz për drejtorë dhe udhëheqës profesional