Ligji për drejtorët, Qeveria insiston në të drejtën që ministri të emërojë të preferuarin e tij

Vërejtjet e Antikorrupsionit dhe shoqërisë civile për versionin e fundit të Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, i cili parashikon departizimin e procedurës së emërimit të drejtorëve, janë marrë parasysh dhe janë vendosur në ligj. Kështu thonë nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës për vërejtjet e ekspertëve të cilët “krasitjen” e versionit të parë të ligjit e vlerësuan skandaloz dhe legalizim të ndikimit partiako-politik. Megjithatë, Ministria insiston se nuk do të ndryshohet ligji në pjesën ku ministri do të ketë mundësi që në fund të procedurës të zgjedh njërin nga tre kandidatët më të mirë, shkruan Portalb.mk.

Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës i cili premtohet për disa vite me radhë është në fazën e shqyrtimit të vërejtjeve dhe korrigjimit të versionit të tretë, i cili u publikua në korrik të këtij viti.

Portalb.mk, bëri analizë të detajuar të versionit të parë të ligjit, dhe versionit të fundit i cili u “krasit” nga dispozitat e rrepta për mbrojtje nga ndikimi partiak gjatë emërimit.

Megjithatë, nga MSHIA insistojnë se ky ligj do ta departizojnë emërimin e drejtorëve, pasi nuk lejon emërimin e personave që nuk kanë kualifikim përkatës.

“Fillimisht vendoset rend, duke pasur procedurë. Pra do të dihet se është hapur vend i lirë pune, drejtor i ndonjë institucioni, t’u jepet hapësirë kohore ekspertëve, të munden të aplikojnë, ata që mendojnë se i plotësojnë kushtet. Të ketë indikatorë të rinj se kush mundet të bëhet drejtor, çfarë duhet të ketë kryer dhe çfarë lloj të kompetencave duhet të ketë, të dini se kush do ta vlerësojë atë. Ato vlerësime duhet të jenë publikisht të qasshme në Agjencinë për Administratë Publike dhe në fund do të keni top 3 kandidatë, njëri prej të cilëve duhet të bëhet drejtor. Nëse kjo nuk është departizim nuk e di çfarë të them”, thonë nga MSHIA.

Siç thanë në brifing me gazetarët përfaqësuesit e MSHIA-së, me rëndësi është që kuadri të jetë profesional, pavarësisht bindjeve të tija politike.

“Nëse drejtori do të jetë personaliteti politik ose apolitik, për mua është shumë më e rëndësishme nëse profili i atij drejtorit është kompatibil me atë që kërkohet në atë institucion – kjo është shumë më e rëndësishme. Në fund të ditës ne jemi shtet i vogël dhe sa do të mund të gjeni personalitet që do të jetë apolitik – shumë pak, shumë rrallë. Por, më e rëndësishmja është që sado që të jetë politik, nëse ai i plotëson të gjitha kushtet që të bëhet drejtor, ai nesër do të jetë drejtor”, thanë nga MSHIA.

Ndaj replikës së gazetarit të Portalbit se në konkurset për drejtorë zakonisht nuk ka më shumë se tre kandidatë dhe se në fund, prapë ministri lehtë do ta emërojë të preferuarin e tij, nga MSHIA thanë se “Në ligj është vendosur që patjetër duhet të ketë më shumë se një kandidat ose minimum tre, përndryshe do të përsëritet procedura”.

Rezistenca e partive, solli “zbutjen e ligjit”

“Ky është një ndryshim tektonik në mënyrën e përzgjedhjes së njerëzve në poste të larta drejtuese”, kështu ka deklaruar ministri i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski, një ditë pasi që në vitin 2019-të Qeveria e RMV-së e miratoi në seancën e saj të 169, propozim Ligjin për Shërbim të Lartë Udhëheqës dhe e dërgoi në Kuvend.

Propozim-ligji në Kuvend e ka kaluar leximin e parë, por në vitin 2020, Ministria e Shoqërisë Informatike ka kërkuar që të kthehet, për siç kanë theksuar, harmonizimin me Ligjin për Zyrtarë Administrativ dhe Ligjin për të Punësuar në Sektor Publik.

Një vit më vonë, në vitin 2021, Ministria e dërgoi në ENER për diskutim një version tjetër të propozim-ligjit, i cili nuk kishte ndryshime të theksuara nga i pari.

Për shkak se disa vite premtohej dhe zvarritej me procedura, sektori civil në maj të vitit 2022 shprehu skepticizëm për miratimin e Ligjit.

Në tetor 2022 ministri i Shoqërisë informatike Admirim Aliti, në një ngjarje publike i pyetur për atë pse nuk miratohet ligji në fjalë ai u shpreh: Pozicionet e larta udhëheqëse në konstelacionin aktual janë gjahu kryesor, të cilin e fitojnë partitë gjatë marrjes së pushtetit. Për atë, pranimi i ligjit dhe harmonizimi me mendimin e të gjithë aktorëve politik shkon ngadalë.

Pasi që versioni i ligjit për të cilin Aliti, tha se nuk është i pranueshëm për partitë dukej se i njëjti nuk do të miratohej, pavarësisht se një ligji tillë ishte në pakon e ligjeve për reformim të administratës, ashtu siç kërkonte BE.

Kështu, Ministria e Shoqërisë Informatike ka përgatitur version të ri të ligjit, i cili përpara opinionit “do të shitej” si propozim i harmonizuar me Ligjin për Zyrtarë Administrativ dhe Ligjin për të Punësuar në Sektor Publik, ndërkaq në parim, ky version do të harmonizohej me apetitet partiake të cilat, pas zgjedhjeve marrin “gjahun” e fituar.

Dallimi mes dy versioneve është se ai i vitit 2019-të është më i rreptë dhe parashikon dispozita me të cilat seriozisht do t’i largonte duart e partive nga emërimet e udhëheqësve të lartë, ndërkaq në versionin e fundit, të vitit 2023, dispozitat e ashpra, janë zbutur dhe lënë hapësirë që të vazhdojë partizimi.

Ky version nuk dihet se në kohën e cilit ministër është përgatitur, në atë të Admirim Alitit, i cili ka qenë ministër në periudhën prej 16 janarit të vitit 2022 deri më 27 shkurt të vitit 2023, apo në kohën e Azir Aliut i cili këtë pozitë e ka trashëguar nga Aliti dhe ende vazhdon ta ushtrojë.

Analizën e plotë të Portalbit për ligjin në fjalë mund ta lexoni: Qeveria në aksion për të legalizuar emërimet partiake përmes ligjit skandaloz për drejtorë dhe udhëheqës profesional