Mbajti përgjimet e Mijalkovit në sirtar, gjyqtari Bexheti u gjobit me 20% të pagës për gjashtë muajt e ardhshëm
Këshilli Gjyqësor gjobiti gjyqtarin e apelit Enver Bexheti, duke i shkurtuar gjashtë muaj nga 20 për qind të pagës pasi anëtarët zbuluan se ai ka mbajtur për nëntë muaj në sirtar dosjen për përgjimet, Target-Fortesa, tashmë të vjetëruar sipas ndryshimeve në Kodin Penal. Edhe pse kjo është vendosur, megjithatë, vendimi nuk është ende në fuqi. Publiku nuk ia njeh as fytyrën këtij gjyqtari, transmeton Portalb.mk.
“Pas një kërkese për gjyqtar të Gjykatës së Apelit, ndaj tij është shqiptuar masë disiplinore, ulje rroge në masën 20% të pagës mujore të një gjyqtari për një periudhë 6 mujore”, thuhet në vendimin e Këshilli Gjyqësor që e miratoi në seancën e sotme.
Ky vendim vjen pasi Këshilli Gjyqësor konstatoi se gjyqtari Bexheti e mbante çështjen në mënyrë të pajustifikueshme në sirtar, përderisa Apeli vendosi për raste më të reja. Tanja Çaçarova-Ilievska, një nga anëtaret e Këshillit Gjyqësor që shqyrtoi veprimet e gjyqtarëve, tha se nuk ka arsyetim që Apeli nuk ka marrë vendim për nëntë muaj.
Bexheti, nga ana tjetër, në kulmin e këtij skandali donte të bëhej edhe gjykatës suprem, por kjo mbeti vetëm një dëshirë. Në portofolin e gjyqtarit Bexheti, i cili është edhe reportues për lëndë të tjera të mëdha, thuhet se ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Përvojën e punës e ka filluar si sekretar në Komunën e Bogovinës, pastaj ka qenë menaxher i një kompanie private. Ai ishte edhe sekretar në Universitetin e Tetovës, kështu që nga fakulteti juridik shkoi në gjykata. Për herë të parë ai u bë gjyqtar në Gjykatën Penale në Shkup në vitin 2010. Dy vjet më vonë, ai u zgjodh gjyqtar në Apelin e Shkupit, ku vepronte në lëndët civile, e më pas edhe në lëndët penale, siç ishte rasti kur Mijalkov u lirua me votën e tij.
Kujtojmë se Gjyqtarët e Apelit gishtin për zvarritjen ua drejtuan dy gjyqtarëve-raportues, të cilët i kanë ruajtur lëndët një vit përpara se të shfuqizohen dhe të kthehen për rigjykim. Gjyqtar-raportues ishin Enver Bexheti, i cili konkuroi për pozitën e gjyqtarit suprem dhe gjyqtarja Lirije Elezi nga Gjykata e Apelit në Shkup.
Falë ruajtjes në sirtar të lëndës Target-Fortesa, kjo lëndë e përgjimeve masive është vjetëruar.
- LEXO: Është e palejueshme që një lëndë ta mbajë një vit gjyqtari-raportues dhe të mos e japë, thotë një gjyqtar i një prej Këshillave pesëanëtarësh për “Target-Fortesa” dhe “Thesari”
- LEXO: Kërkimi llogari nga gjykatësi që e shpëtoi Mijallkovin është arsyeja e mundshme për kaosin në Këshillin gjyqësore, konsideron gjykatësja Vera Koco