Bullgaria hodhi poshtë taksën e tranzitit të gazit rus që e futi në fuqi në tetor

Menjëherë pasi në tetor të këtij viti njoftoi se do të vendosë tarifë prej 20 leva bullgare për megavat orë për transmetimin e gazit rus përmes territorit të saj, qeveria bullgare vendosi të pezullojë tarifat e tranzitit për gazin rus që kalon nëpër territorin e saj, shkruan Mediapool.bg, transmeton Portalb.mk.

Mediat bullgare bëjnë të ditur se tarifa e vendosur për tranzitin e gazit rus jo vetëm që nuk do të zbatohet në të ardhmen, por edhe është anuluar në mënyrë retroaktive për periudhën e kaluar që kur është vendosur nga qeveria bullgare. Kjo praktikisht do të thotë se kompania shtetërore “Bulgartransgaz” nuk do të arkëtojë borxhin e akumuluar nga tranziti i gazit rus në shumën prej 272 milionë leva. Në të njëjtën kohë, askush nuk e ka paguar ende këtë tarifë si detyrim financiar, edhe pse është futur në 13 tetor.

Ndryshe, Maqedonia, Serbia dhe Hungaria kanë reaguar për vendosjen e taksës për kalimin e gazit rus përmes territorit bullgar dhe Komisionit Evropian me indikacione se këto vende do të preken drejtpërdrejt nga kjo taksë. Ministri bullgar i financave Asen Vasilev deklaroi më pas se nuk do të ketë dëm nga vendosja e një kompensimi të tillë për këto vende.

Masa e qeverisë bullgare vjen pasi kryeministri hungarez Viktor Orban kërcënoi me veton për hyrjen e Bullgarisë në zonën Shengen. Sofja zyrtare po përpiqet të zgjidhë çështjet e hapura me Hungarinë, Austrinë dhe Holandën për të hequr pengesat për hyrjen në zonën Shengen.

Qeveria bullgare informon se zbatimi i tarifës për transmetimin e gazit rus po punohet së bashku me Komisionin Evropian dhe kur të sigurohet mekanizmi i zbatimit prej andej, atëherë do të rifutet. Tashmë ata informojnë se të gjitha vendet evropiane duhet të bien dakord me njëra-tjetrën për të vendosur një tarifë për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit rus, në mënyrë që të ketë një efekt negativ ndaj Rusisë, e cila filloi agresionin ushtarak kundër Ukrainës.