Institucionet e ndryshme në Maqedoninë e Veriut po zhvillojnë takime për përgatitjen e zgjedhjeve lokale
Prokuroria, Komisioni antikorrupsion dhe Misioni vëzhgues i OSBE-së së fundmi janë duke zhvilluar takime në lidhje me parandalimin e problemeve gjatë organizmit të zgjedhjeve lokale, transmeton Portalb.mk.
Prokuroria Themelore Publike e udhëhequr nga prokurori Ljupço Kocevski, sot ka zhvilluar takim me përfaqësues të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në krye me u.d. kryetaren Cveta Ristovska.
Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Komisionit në Prokurorinë Publike për ndjekjen e parregullsive eventuale zgjedhore, Xhelal Bajrami. Në këtë takim u diskutua për kompetencat dhe përbërjen e këtij Komisioni, i cili ka edhe pesë prokuror publik nga qytete të ndryshe.
Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR që udhëhiqet nga Mateo Mekaçi, sot ka zhvilluar takim me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. Në këtë takim u diskutua për zgjedhjet e ardhshme lokale, ku u diskutua edhe për shfuqizimin e nenit 17 dhe 18 nga Kodi Penal.
Gjykata Kushtetuese nesër (17.09.2025) do të shqyrtojë Rregulloren e KSHZ-së për procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve dhe caktimin e noterëve për zgjedhjet lokale 2025. Shoqata “Kongresi Botëror Maqedonas” dhe Stevçe Stojanov e kanë kundërshtuar këtë akt, duke pretenduar se shkel Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Ata thonë se KSHZ ka tejkaluar kompetencat e saj duke vendosur kushte të reja për mbështetjen e listave të kandidatëve nga grupet e votuesve, siç është kërkesa për të paktën dy nënshkrues. Sipas tyre, këto rregulla mund t’i përcaktojë vetëm Kuvendi, jo një organ administrativ. Gjykata do të vlerësojë nëse kjo Rregullore është kushtetuese apo jo.
Misioni Vëzhgues i OSBE-së do të ndjek zgjedhjet lokale të 19 tetorit me 274 vëzhgues, ashtu që 250 vëzhgues janë afatshkurtër. Ata më 16 shtator zhvilluan takim me Entin Shtetëror për Revizion.
Ndryshe, përderisa korniza ligjore ofron bazën për zgjedhje demokratike, asaj i mungon rregullimi i mjaftueshëm për një garë presidenciale, vlerëson raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR i publikuar më 23 shtator për zgjedhjet presidenciale dhe të parakohshme parlamentare të Maqedonisë së Veriut të vitit 2024. Raporti i ofron 25 rekomandime Maqedonisë së Veriut për të përmirësuar procesin zgjedhor dhe për të mbështetur përpjekjet për ta sjellë atë më tej në përputhje me angazhimet e marra nga të gjitha shtetet e OSBE-së, si dhe me detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
Fushata zgjedhore fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor. Më 19 tetor, votimi do të zhvillohet në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit në 3,480 vendvotime. Rrethi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 2 nëntor.