Infermierja e infektuar me ethet Kongo-Krimeane merr ilaçin “Ribavirin”

Infermierja e sëmurë me ethe hemorragjike Kongo-Krimeane nga sot po merr medikamentin “Ribavirin”, njoftoi sot drejtoresha e Klinikës Infektive në Shkup, dr. Milena Stevanoviq. Ilaçi ka ardhur dje. Infermierja e shtruar në spital ndodhet në gjendje të qëndrueshme dhe po hyn në një fazë ku pritet gjakderdhje, transmeton Portalb.mk.

Stevanoviq shpjegoi se qëllimi i dhënies së ilaçit është të kalojë krizën në zhvillimin e sëmundjes.

“Ky medikament është antiviral dhe qëllimi është të parandalojë shumëfishimin e virusit dhe të reduktojë fuqinë e tij. Ky ilaç mund të ketë efekte anësore dhe kjo është arsyeja pse një hematolog dhe një transfuzionist janë të përfshirë në trajtimin tonë,” tha Stevanoviq.

Ndryshe, infermierja nga Klinika Infektive në Shkup është infektuar nga 27-vjeçarja nga Shtipi, e cila vdiq më 30 korrik të këtij viti nga ethet hemorragjike Kongo-Krimeane pas pickimit të rriqrës.

Dy rastet e etheve hemorragjike Kongo-Krimeane vunë në izolim disa persona. Pas vdekjes së gruas, 29 kontakte janë vendosur në izolim dhe vetëm infermierja ka shfaqur simptoma. Kontaktet nga rasti i parë pozitiv janë nën vëzhgim deri më sot.

Gjithashtu, pasi u mor vesh për infermieren e infektuar, u morën vendime për izolimin e 11 personave të tjerë, të cilët do të jenë nën vëzhgim për 14 ditë.