Incident mbi Maqedoni: U thye dritarja e aeroplanit, një pasagjer mezi u shpëtua nga udhëtarët

Një avion i Ryanair, që po fluturonte nga Selaniku drejt Memmingenit, u detyrua të kthehej sot në Greqi pas një incidenti që ndodhi gjatë fluturimit. Menjëherë pas ngritjes, për shkak të një defekti serioz në motor, një fragment i motorit goditi dhe theu një dritare të avionit, transmeton Portalb.mk.

Sipas raportimeve të disa mediave, u lëndua një pasagjer që ishte ulur pranë dritares. Gjithashtu u aktivizuan maskat e oksigjenit, por nuk pati çarje apo depërtim në trupin e avionit.

“Ekuipazhi e zbuloi problemin ndërsa avioni po fluturonte mbi Maqedoninë e Veriut dhe vendosi të kthehej në Selanik, pasi defekti në motor nuk mund të zgjidhej gjatë fluturimit. Pasi pilotët shpallën gjendje emergjente, në aeroportin ‘Maqedonia’ në Selanik u aktivizuan procedurat standarde të emergjencës. Zjarrfikësit, autoambulancat, policia dhe shërbimet e tjera të emergjencës u vendosën në gatishmëri. Avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe më pas u zhvendos në një zonë të caktuar të aeroportit,” shkruan Euronews.

Katër pasagjerë u dërguan në spital si masë paraprake për kontrolle mjekësore. Shumica prej tyre janë liruar, ndërsa një person mbetet nën mbikëqyrje për analiza të mëtejshme.

Ryanair organizoi një avion zëvendësues për të transportuar shumicën e pasagjerëve drejt Memmingenit dhe për të përfunduar udhëtimin e tyre.

“Fluturimi i Ryanair nga Selaniku për në Memmingen, të premten në mëngjes, u kthye në Selanik pak pas ngritjes, pasi dritarja pranë një pasagjeri u thye jatë fluturimit. Avioni u ul normalisht dhe pasagjerët u kthyen në terminal. Një pasagjer kërkoi dhe mori ndihmë mjekësore në tokë, në Selanik. Për të minimizuar çdo vonesë, u sigurua një avion zëvendësues për t’i transportuar pasagjerët në Memmingen, i cili u nis nga Selaniku në orën 09:53 të mëngjesit,” njoftoi kompania ajrore.

Mediat greke raportojnë se pasagjeri që ishte në rrezik, u shpëtua falë rripit të sigurimit dhe pasagjerëve të tjerë, të cilët e mbajtën dhe e tërhoqën për të mos u nxjerrë jashtë avionit përmes dritares së thyer.

Portali grek Protothema publikoi dëshmi të pasagjerëve, të cilët thanë se në avion u dëgjua një zhurmë e fortë dhe se një dritare u thye. Ata treguan se pasagjerët mbajtën pasagjerin, i cili ishte ulur pranë dritares së thyer, pasi rrjedha e fuqishme e ajrit e tërhoqi drejt jashtë.

“U dëgjua një zhurmë sikur të kishte plasur një gomë. Shpërtheu paniku dhe njerëzit bërtisnin, sepse menjëherë humbëm lartësi për shkak të dekompresimit. Për një moment mendova se dikush kishte hapur aksidentalisht derën e emergjencës. Të gjithë vendosëm menjëherë maskat e oksigjenit, por na u desh pak kohë të kuptonim se çfarë kishte ndodhur”, tha një nga pasagjerët.

Kryetari i sindikatës së punonjësve të transportit publik, Mihalis Janakos, deklaroi se u shmang një tragjedi, pasi trupi i pasagjerit u ngrit në ajër nga forca e dekompresimit, por bashkëshortja e tij arriti ta mbante dhe ta siguronte, ndërsa më pas ndihmuan edhe pasagjerë të tjerë duke e tërhequr përsëri brenda kabinës.

Ai është mbajtur në spital në Selanik për shkak të djegieve nga fërkimi dhe një dëmtimi në qafë.