Ilire Dauti: Vështirësitë e politikanit shqiptar shtohen kur shteti kundërshton kërkesat për trajtim të barabartë

Vështirësitë e të qenurit politikan shqiptar shtohen për aq sa kundërshtimet nga shteti bëhen më të mëdha ndaj kërkesës për trajtim të barabartë, por edhe për aq sa sa rritet numri i të tillëve që përfaqësojnë mendimin politik sipas të cilëve mbrojtja e vlerave bazë të identitetit kombëtar është temë e vjetruar. Kështu thotë në një intervistë për Portalb.mk deputetja Ilire Dauti. Ajo foli për presionin politik që ka pasur së fundmi, përfaqësimin e grave në vendimmarrje, sidat e përditshme në politikë dhe të tjera.

Portalb.mk: Së fundmi keni qenë cak i shumë sulmeve, ofendimeve të ndryshme dhe gjuhës së urrejtjes, si nga kolegët në Kuvend por edhe nga opinioni publik? Si e keni përjetuar gjithë këtë periudhë?

Ilire Dauti: Krejt këtë që ndodhë e shoh si përplasje qëndrimesh ose më saktë vlerash e kundërvlerash. Jam plotësisht e vetëdijshme që njerëzit që kanë parime jo vetëm në politikë por edhe në cilindo profesion kundërshtohen nga të kundërtit. Mbi këtë bazë ishin edhe zhvillimet në Kuvend që rezultoi me shkarkimin tim nga detyra e Kryetares së Komisionit që udhëhiqja. Është tentim për të ndaluar të menduarit ndryshe, tentim për futje në “klubin e të nënshtruarve”, aty ku unë dhe gjithë ne që mendojmë ndryshe nuk pranojmë të bëhemi pjesë. Prandaj mbi këtë bazë për pjesën e dytë të përgjigjes jo vetëm që nuk jam ndjerë e fyer nga opinion publik, përkundrazi isha e mbrojtur për çka i falenderoj të gjithë.

Portalb.mk: Sa është e lehtë për një grua, shqiptare, politikane ballafaqimi me realitetin e ashpër politik ndaj tyre?

Ilire Dauti: Vështirësitë e të qenurit politikan shqiptar shtohen për aq sa kundërshtimet nga shteti bëhen më të mëdha ndaj kërkesës për trajtim të barabartë, por edhe për aq sa sa rritet numri i të tillëve që përfaqësojnë mendimin politik sipas të cilëve mbrojtja e vlerave bazë të identitetit kombëtar është temë e vjetruar. Të qenurit grua në mjedis të këtillë politik është një ngarkesë shtesë, por jo hendikep.

Fotografi nga arkivi personal e Ilire Dautit. Foto: Ilire Dauti
Fotografi nga arkivi personal e Ilire Dautit. Foto: Ilire Dauti

Portalb.mk: Cili ka qenë momenti i juaj më i vështirë në politikë deri më tani, si e keni tejkaluar?

Ilire Dauti: Vështirësitë në politikë i llogaris si pjesë të punës, si sfida të cilat duhet menaxhuar për ti tejkaluar me sukses, e mbi përvojën e të cilave të rritesh politikisht për ti tejkaluar vështirësitë e radhës.

Portalb.mk: A mendoni se trajtimi që u bëhet grave në politikë në vendin tonë ndikon në demotivimin e tyre për tu marrë me këtë fushë? Sepse në vendin tonë përfaqësimi i grave në vendimmarrje sidomos në pozitat drejtuese ende lë shumë për të dëshiruar, si e shihni ju këtë problem?

Ilire Dauti: Fillimisht nuk e shoh gruan si qënie që duhet trajtuar nga dikush, por si palë të barabartë në shoqëri pamvarësisht se jetojmë në shoqëri të pabarabartë. Mendoj që pabarazia nis pikërisht aty kur trajtimi i gruas është në çfarëdo duarsh tjera përveç atyre të vetëvetes. Ashtu si njeriu e pozicionon veten ashtu edhe pranohet nga të tjerët, njëjtë pra siç i pranojmë edhe ne të tjerët qofshin gra apo burra.

Portalb.mk: Në Qeverinë aktuale gratë janë shumë pak të përfaqësuara në ekzekutiv, nuk kemi asnjë ministre shqiptare grua, por edhe në qeveritë e kaluara përfaqësimi ka qenë thuaj se inegzistent për këtë pozitë, si e vlerësoni këtë?

Besoj përgjigja gjendet në përgjigjen paraprake, pra është çështje e lëshimit nga duartë e vet grave që janë pjesë e partive politike në Qeveri. Është sjellje e papërgjegjëshme me pasoja jo vetëm sot për sot, por edhe për gjeneratat që vijnë.

Fotografi nga arkivi personal e Ilire Dautit. Foto: Ilire Dauti
Fotografi nga arkivi personal e Ilire Dautit. Foto: Ilire Dauti

Portalb.mk: Ku qëndron zgjidhja sipas jush në bërjen e RMV-së një mjedis më të mirë për gratë në politikë?

Ilire Dauti: Mekanizmi i kuotave është zgjidhje e pjesërishme derisa nuk kemi zgjidhje të natyrshme ku konkurrenca do bëhet në bazë të vlerave njerëzore e profesionale mes palësh të barabarta që nuk e shtynë njëra tjetrën, e kam fjalën për gjinitë, por plotësohen mes vete. Duket që duhet kohë që kjo të bëhet e mundshme. Para se të varet nga burrat varet nga vetë ne gratë. Që të jem më e qartë. Konkurrenca duhet bazuar në përparësitë që kemi si gra apo që kanë si burra dhe jo në dobësitë e të dy palëve. Po ti kishte njëra gjini të gjitha s’do ekzistonte tjetra. Pra botës i duhemi të gjithë. Kjo është e mjaftueshme për ta kuptuar që zgjidhja qëndron te koplementariteti.

Portalb.mk: Çfarë mesazhi do ju jepni të gjitha vajzave të reja të cilat duan t’i futen politikës, por nga rrethi dhe situata aktuale ngurojnë?

Ilire Dauti: Nëse fillojmë nga paragjykimi se si mund të na kuptoj rrethi, mendoj se të paragjykuar do jemi nga vet fillimi apo edhe të mos ja nisim fare. Pra nuk mund të jetë arsyeja paragjykimi që mund të ta bëj rrethi nëse vet ne e nisim me paragjykim për rrethin. Pra është e ndërsjellët shih rrethin pa paragjykim që të të shohin pa paragjykim. Ndoshta nuk e mbulon të gjithën por është bazë e mirë për fillim. Kjo do ishte porosia ime për vajzat dhe gratë që padyshim i shoh si shumë të nevojshme të kyçen për t’ja dhënë pjesën që i mungon politikës.

Ndryshe, në korrik 2024 Portalb.mk intervistoi të gjitha deputetet shqiptare të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, vetëm Ilire Dauti aso kohe nuk iu përgjigj intervistës si koleget e saj. Lexo intervistat duke klikuar mbi emrin e deputeteve: Mimoza Musa, Merita Kollçi Koxhaxhiku, Feride Haxhiu, Rina Ajdari, Saranda Imeri Stafai, Kaltrina Beqiri, Arbana Pasholli, Imërlije Saliu, Dijana Toska.