Merita Kollçi Koxhaxhiku: Gratë përballen me paragjykime dhe stereotipa gjinore që i konsiderojnë më pak të përshtatshme për role lidershipi
Përfaqësimi i grave në vendimmarrje në Maqedoninë e Veriut ende është shumë i ulët, sidomos i grave shqiptare. Pavarësisht se ndër vite ky përfaqësim është përmirësuar, ende nuk është në nivelin e kënaqshëm. Së fundmi RMV-ja u bë me përbërje të re parlamentare dhe qeveri të re, ku vendi shënoi regres në drejtim të përfaqësimit gjinor. Në kuvend janë gjithsej 10 gra deputete shqiptare ndërsa në qeveri nuk ka asnjë ministre shqiptare. Për këtë problematikë dhe të tjera, në një seri intervistash Portalb.mk sjell biseda me deputetet shqiptare të Kuvendit të RMV-së. Këtë herë biseduam me Merita Koxhaxhikun, deputete e koalicionit VLEN.
Invervistoi: Albina Ramadani
Portalb: Ndër vite përfaqësimi i gruas në politikë është rritur, megjithatë kur vjen puna te postet vendimmarrëse gratë, sidomos ata shqiptare ngelin të papërfaqësuara, sipas jush pse ndodh kjo?
Merita Koxhaxhiku: Gratë në politikë kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe formësimin e shoqërive anembanë botës. Përfshirja e grave në politikë është një aspekt thelbësor i demokracisë dhe barazisë gjinore. Bazuar mbi këto parime, ne si subjekt politik vlerësojmë që kemi qëndrim korrekt dhe këtë e kemi dëshmuar deri tani si me përfaqësimin e grave në pushtetit ekzekutiv, njashtu edhe në pushtetin ligjvënës. Lëvizja Demokratike ka një zv.ministre dhe tre deputete në Kuvendin e RMV. Nga themelimi i subjektit dëshmojmë që zëri i gruas ka qenë i dëgjueshëm dhe kemi qenë të konsultuara në procese vendimmarrëse. Në shumë vende të botës, por edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka përpjekje për të rritur përfaqësimin e grave në politikë, me ç’rast kanë përfshirë kuota gjinore dhe masa të tjera afirmuese. Këto masa kanë ndihmuar në nxitjen e një përfaqësimi më të barabartë dhe në zvogëlimin e hendekut gjinor në sferën politike.
Portalb: A mendoni se listat e hapura do ishin një lloj zgjidhjeje për përfaqësim më të madh të grave në Kuvend dhe të njëjtat të kontribuonin në mbështetjen më të madhe të grave në politikë?
Merita Koxhaxhiku: Në bazë të kodit zgjedhor, Republika e Maqedonisë së Veriut është e ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe me lista të mbyllura. Jo medoemos nënkupton se listat e hapura janë instrument për rritjen e përfaqësimit të grave në Kuvend. Në bazë të kuotës obligative përbërja e Kuvendit të RMV përbën minimum 1/3 e grave, por gjithsesi numri mund të jetë edhe më i lartë.
Portalb: Ku qëndron zgjidhja sipas jush në bërjen e RMV-së një mjedis më të mirë për gratë në politikë?
Merita Koxhaxhiku: Ka shumë forma dhe metoda se si mund ta rrisim prezencën e grave në politikë, do të kisha veçuar disa politika se si të arrihet kjo gjë. Të sigurohen trajnime dhe mbështetje për gratë që janë të interesuara për të hyrë në politikë. Këto trajnime mund të përfshijnë zhvillimin e aftësive lidershipi, menaxhimin e fushatave zgjedhore, krijimin e rrjeteve mbështetëse dhe ngjashëm. Po ashtu, formë tjetër është edhe realizimi i fushatës për ndërgjegjësim për rëndësinë e përfshirjes së grave në politikë dhe për të sfiduar stereotipat gjinore dhe normat kulturore që pengojnë pjesëmarrjen e grave.
Portalb: Cilat janë sfidat me të cilat përballet një grua politikane shqiptare në Maqedoninë e Veriut?
Merita Koxhaxhiku: Një nga pengesat kyçe të grave në politikë pa dyshim se është diskriminimi gjinor dhe stereotipet e ndryshme. Gratë shpesh përballen me paragjykime dhe stereotipat gjinore që i konsiderojnë më pak të përshtatshme për role lidershipi.
Portalb: Për fund, çfarë mesazhi do ju jepni të gjitha vajzave të reja të cilat duan t’i futen politikës por nga rrethi dhe situata aktuale ngurojnë?
Merita Koxhaxhiku: Për fund, të gjitha gratë që dëshirojnë të merren me politik ju them që rruga politike nuk është gjithmonë e lehtë, ka shumë sfida dhe sakrifiaë, por guximi jonë si gra për tu përballuar me të gjithë këto faktor e dëshmon fuqinë dhe angazhimin tone për një të ardhme më të mirë.
Ditëve në vijim Portalb.mk do të publikojë intervistat edhe me deputetet tjera shqiptare në Kuvendin e RMV-së.
- LEXO: Feride Haxhiu: Sfidat e grave në politikë, pasojë e bindjeve patriarkale të shoqërisë
- LEXO: Saranda Imeri: Për të bërë RMV-në një vend më të mirë politik për gratë, fillimisht duhet të krijojmë kushte
- LEXO: Kaltrina Beqiri: Duhet ta kthejmë vetëbesimin e gruas në politikë, vajzat mos të hezitojnë të guxojnë
- LEXO: Arbana Pasholli: Nëse nuk kemi gra në pozita vendimmarrëse nuk do mund t’i motivojmë vajzat e reja të përfshihen në politikë
- LEXO: Imërlije Saliu: Nuk është krejt zi, gratë duhet të jenë më këmbëngulëse për përfaqësim më të madh në vendimmarrje
- LEXO: Dijana Toska: Listat e hapura do nxisnin konkurrencë më të drejtë, mund ta rrisin numrin e grave në pozita të rëndësishme