Kriptokristianizmi ndër shqiptarët e trevës së Pollogut

Shkruan: Syrja Etemi

Syrja Etemi
Syrja Etemi

Patjetër të theksoj që në fillim faktin se, qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të futem thellë në çështjen se kur ka filluar fenomeni i konvertimit të shqiptarëve të trevës së Pollogut, nga një fe në tjetrën, apo të gjej arsyet apo shkaqet që determinuan për këtë praktikim, sepse intencat e tilla do të më intrigonin thellë. Prandaj, duke iu shmangur këtij pështjellimi, unë do të fokusohem vetëm në qasjen e dokumentave të autorëve të ndryshëm rreth dukurisë të ashtuquajtur si “kriptokristianizëm” në mesin e shqiptarëve, e, më konkretisht – tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Këtu nuk mund t’iu shmangemi edhe të dhënave gojore të trashëguara brez pas brezi përkitazi me këto praktikime, ku ndër popullatën rezidente deri vonë bënte vaki që disa familje edhe të stigmatizoheshin me shprehje të tipit: “Ato jën shkie”, “Ato shëm vuan jan thkej”, ose: “Ato nen vuan i kan raujt kazënët e rakiis n’tra…” e k.m.r. Për këtë arsye, nën ndikimin e mendësive predominante pezhorative të akumuluara për të parët e tyre, urrejtja arrin deri në masën sa për t’i konsideruar edhe si “shkie” , madje duke i barazuar bile edhe me sllavët… 

Duke përcjellur në hollësi linjën patrolineare të brezave të familjeve shqiptare në këtë trevë, por edhe më gjërë, ajo që të bie në sy menjëherë, është fakti se, distanca më e madhe deri te i pari i “fisit” nuk  mund të shkojë deri në brezin e tetë apo të nëntë. E, kështu, duke qenë i vetëdijshëm se ky fakt është problem tjetër, për dukurinë në fjalë, domosdoshmërisht do të fokusohem në burime e shënime plotësuese indikative, që, për subjekt kanë “kristianizmin e fshehtë” ndër shqiptarët. Sa për ilustrim do të marr shembull fisin Nikaj (ku edhe shumë vendemërtime (sidomos në Kosovë – në zonat ku kufizohet me Maqedoninë) – marrin këtë antroponim, si: Nikaj, KaçaNiku (Kaçat e Nikës), KryeNiku (Kryet e Nikës), Pus’teNiku (Puset e Nikës), etj, dhe fisin tjetër, Marku në rrethin e Gostivarit. Për këtë qëllim, më së pari do të shkoqis dhe do të paraqes shkrimet e autorit, Robert Elsie, “Fiset shqiptare”, Prishtinë, 2017, i cili në fq. 226, përveç tjerash, potencon:

“Meqenëse Nikajt ishin fis katolik, emrat myslimanë ishin të zakonshëm në mes tyre. Shumë sish, si , në Shalë, emra të tillë i merrnin që në lindje. Paolo Dodmasei, peshkop katolik i Sapës dhe i Pulatit, më 1884, raportonte se “Pjesëtarët e fisit Nikaj, i përdornin emrat myslimanë kur shkonin në tregjet e Gjakovës, Pejës e Prizrenit. Arsyeja për këtë, siç thonin ata, ishte fakti që, ata ishin të shtrënguar të kalonin nëpër rajonet myslimane dhe mendonin se ishte më e përshtatshme të përdornin emra myslimanë, ndonëse të gjithë e dinin se ata ishin të krishterë. Pos kësaj, ata nuk bënin asnjë përpjekje për të fshehur fenë e tyre të vërtetë, ashtu si bënin kriptokrishterët në dioqezën e Shkupit.” 

Si rasti i mësipërm ka edhe ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për çka na sjellin shënime shumë autorë të huaj. Me këtë rast do të paraqes shënimet apo kërkimet antropogjeografike të gjurmuesit, Jovan Trifunovski në librin: “Pollog”, fq.195, ku, përveç tjerash, shënon edhe këtë:

“Familja Ali Marku (në fshatin Padalishtë-Gostivar, S.E.), në vitin 1947 numëron 17 shtëpi. Janë të ardhur nga Mati i Arbanisë. Ata ngulmohen këtu si katolikë qysh para 150 viteve (Aty kah fundi i sh. XVIII, S.E.). Themeluesi i fisit është Ali Marku – i pari i brezit të katër (nga viti 1947, S.E.), edhe atë: Ibishi, gjallë, 60 vjeç – Asipi – Bajrami – Mustafa – Ali Marku. Pas ngulitjes në Padalishtë, kalon në islam. Në fshatin Cerovë (shprehet autori), më kanë treguar se këto Arbanasë, deri para 80 viteve kanë festuar Shën Thanasin, pra, ishin dyfetarë (“dvoverci”). Kështu, njëherë një familjar, për nder të festës së lartëcekur, e pret një dash, ndërsa me gruan bisedon dhe i premton se, për festën e radhës do ta therrë edhe dashin tjetër nëse vijnë më shumë mysafirë. Fëmijët e kanë dashur shumë këtë dash dhe, për këtë dalin në dollap dhe thirrin: 

Frej-e, frej-e, shej ne bije, o, Thanas/

Të mos veje shaum gostije, o, Thanas/ 

Të mos veje shaum gostije, o, Thanas/

Mos ta thjerim dashin e Madh, o, Thanas!

Pjesëtarët e këtij fisi, pra – të Ali Markut, akoma, bashkë me disa pjesëtarë të fiseve tjera të Padalishtës, fshehurazi kanë hyrë në kishë me rastin e ndonjë kremteje fetare kristiane – te shenjtori me emrin Shterjo – në fshatin fqinj. Për këtë arsye, në fund të shekullit XIX, klerikun e lartëpërmendur e mbysin banorët myslimanë të fshatrave përreth. Me banorët e islamizuar të Padalishtës, Arbanasët e fshatrave fqinj, gjatë kohë nuk kanë lidhur marrëdhënie martesore, sepse këta i kanë llogaritur si myslimanë të “lishtë” (cekët). 

Për kultin e Shën Thanasit ndër shqiptarët shkruan edhe linguisti rus, Afanasi  Selishçev në librin: “Pollog i ego bollgarskoe naselenie”, 1929, fq.211: “Култ св. Афанасија широко распространен бјил и по Албании. Много пунктов поселенија и много руни посјате название етого свјатого: Shen Thanas”(Kulti i shën Thanasit gjërësisht ka qenë i përhapur edhe te  shqiptarët…)

Duke iu referuar këtyre dëshmive të shkruara dhe atyre gojore të trashëguara e të përcjella brez pas brezi, vijmë në konkludim se, nderimi i shenjtorëve nuk ka qenë “ekskluzivitet” vetëm i të krishterëve sllavë, por edhe të krishterëve shqiptarë (madje edhe tek ata të konvertuarit), te të cilët, shumë rituale e tradita fetare i kanë të rrënjosura që nga besimi pagan me kultet bazë në mitologji. Kështu në këtë kontekst, shkruan Elira Çela në librin e saj: Tradita afetare e shqiptarëve:

“Me lindjen e kishës së krishterë, filloi ndjekja e egër ndaj atyre që u përmbaheshin besimeve dhe riteve primitive parakristiane, prandaj mbi bazën e botëkuptimit pagan lindën veprime e rituale të reja, ose veprimet e ritualet e vjetra, marrin një kuptim të ri magjik. Kështu, shumë festa, rite e ceremoni, si përkujtim i të parëve, janë gërshetuar me elementë kristianë e islamikë, duke ndryshuar emrat dhe veshjen e jashtme. Të tilla kemi ritet e Shën Kollit, Shën Gjergjit (Shinxherxhit, S.E.), Shën Mitrit (Shumejtrit, S.E.), etj., të cilët janë me përmbajtje parakristiane.”

Kulti i këtyre shënjtorëve festohej si nga të krishterët, ashtu edhe nga myslimanët. Këtu mund t’i cekim edhe festat sipas ndryshimit të motit që, si shembuj tipik mund të cekim: “Badniki” (6 janar) – ditë kur  besimtarët sjellin fatin dhe begatinë në shtëpitë e tyre;  “Buzhiki” (7 janar) – me ç’rast, nga droja që mos të ndodhte diçka e padëshirueshme nga i ftohti, bora e madhe, gjeneratat e mëparshme, në fjalorin e tyre kanë përdorur shprehjen që simbolizonte ndonjë rrezik të mundshëm në kohën e Bozhikit: 

“Bozhik(ç)-Bozhik(ç)/ 

Baj dru e diç/ 

Luj – gjatuj/ 

Pi shpeje mu luj!”;  

(Në Malësinë e Sharrit, konsonanten “s” e shqiptojnë si “ç”, Bozhik-i  na del si: Bozhiç) 

Pak primesa nga kalendari popullor 

Në vazhdim po japim disa primesa që përkojnë me kalendarin popullor, i cili ka qenë i pranishëm ndër banorët e kësaj treve deri vonë: 

“Midisi Dimnit” (5 shkurt); Kur bie  “Xhemr’e par – n’ uj” (java e parë e marsit), “Xhemr’e dit – n’hava” (java e dytë e marsit), “Xhemr’e tretn’traull”, “Bllogoveci” ose dalja nga dimri (7 prill), “Katër t’Ejtet e m’dhoja” (E Enjtja e parë – në javën e dytë e prillit, E Enjtja e Dytë – java e tretë e prillit dhe E Enjtja e tretë – java e katërt e prillit); Shënxherxhi (6 maj); Midisi Verës (7 gusht); Bogorojcët (28 gusht); “Shumejtri” apo Shën Mitri (8 nëntor); nga 21-24 dhjetor festohet “Buzmi” – koha kur mbaron pushteti i natës dhe fillon zotërimi i dritës. 

Pra, nga këtu shohim se më parë viti është llogaritur 6 muaj verë dhe 6 muaj dimër (Shënxherxh e Shumajtër).