Rina Ajdari: Gratë janë të heshtura te ndarja e posteve në vendimmarrje, dominimi i politikës maskiliste del në pah në çdo nivel të organizimit

Përfaqësimi i grave në vendimmarrje në Maqedoninë e Veriut ende është shumë i ulët, sidomos i grave shqiptare. Pavarësisht se ndër vite ky përfaqësim është përmirësuar, ende nuk është në nivelin e kënaqshëm. Së fundmi RMV-ja u bë me përbërje të re parlamentare dhe qeveri të re, ku vendi shënoi regres në drejtim të përfaqësimit gjinor. Në kuvend janë gjithsej 10 gra deputete shqiptare ndërsa në qeveri nuk ka asnjë ministre shqiptare. Për këtë problematikë dhe të tjera, në një seri intervistash Portalb.mk sjell biseda me deputetet shqiptare të Kuvendit të RMV-së. Këtë herë biseduam me Rina Ajdarin, deputete e Frontit Evropian.

Intervistoi: Albina Ramadani

Portalb: Ndër vite përfaqësimi i gruas në politikë është rritur, megjithatë kur vjen puna te postet vendimmarrëse gratë, sidomos ata shqiptare ngelin të papërfaqësuara, sipas jush pse ndodh kjo?

Rina Ajdari: Në Maqedoninë e Veriut në përgjithësi, pjesëmarrja e gruas shqiptare në proceset dhe pozitat vendimmarrëse në politikë mbetet në nivele shumë të ulëta. Për përfaqësimin e grave në Kuvend ka ligj me të cilin përcaktohen qartë kuotat që 40% e deputeteve nga numri i përgjithshëm të jenë gra ndërsa në ligjin për qeveri ende nuk ka kuotë sa i takon numrit të grave të cilat kanë përgatitjen profesionale dhe politike për të marrë mbi supe udhëheqjen e ministrive përkatëse. Këtu duhet ndërhyrje imediate në ligj që çdo mandatar/e i/e ardhshme për formim të qeverisë të jetë i/e detyruar që në përbërjen e kabinetit qeveritar të ketë të paktën 40% gra në pozita udhëheqëse. Por mendoj se ky proces i reformimit, vetëdijësimit dhe gatishmërisë për ndryshim në këtë aspekt duhet të fillojë nga partitë politike dhe organizimi i tyre i brendshëm. E kjo duhet të bëhet përmes një bashkëpunimi të ngushtë të grave, sensibilizimit nga ana e mediave dhe angazhimit të vazhdueshëm edhe të organizatave joqeveritare.

Portalb: Së fundmi vendi u bë me qeveri të re, por nuk kemi asnjë ministre shqiptare grua, por edhe në të kaluarën përfaqësimi ka qenë thuaj se inegzistent për këtë pozitë, si e vlerësoni këtë?

Rina Ajdari: Po është e vërtetë që përpara disa javësh u formua qeveria e re dhe nuk ka sërish asnjë grua shqiptare në pozitë të ministres. S’ka dilemë që këto situata të cilat vitet e fundit kanë filluar të bëhen praktikë e zakonshme janë tregues i një regresi në çështjet e barazisë gjinore dhe i një mentaliteti apo i një kulture politike që vazhdon akoma të besojë e të proklamojë se gratë ende nuk janë të përgatitura për sfida e pozita të tilla. Konsideroj se duhet të gjithë bashkërisht të punojmë që të ndryshohet kjo bindje, që problemi të zgjidhet duke ndryshuar qasjen por edhe zgjidhjet e mundshme të implementohen në përditshmërinë e zhvillimeve politike e të bëhen pjesë e politikave afatgjate.

Portalb: Pse gratë në vendin tonë janë të heshtura kur vjen puna te ndarja e “kulaçit” dhe posteve në vendimmarrje?

Rina Ajdari: Siç e theksova edhe më lartë, parimi i vlerës së barabartë në mes grave dhe burrave dhe kërkesa për përfaqësim të barabartë duhet të jetë vazhdimisht në rritje, duhet të jetë imperativ i kohës në të cilën jetojmë sepse gratë përbëjnë 50% të popullsisë prandaj duhet të përfaqësohen në institucionet ku merren vendime edhe për jetën e tyre. Nga ana tjetër, nëse kjo mungon atëherë duhet të jemi të vetëdijshëm e të pranojmë se kemi probleme reale me demokracinë dhe shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Është e vërtetë se gratë janë të heshtura kur vjen puna te ndarja e posteve në vendimmarrje sepse në radhë të parë vjen në shprehje mënyra se si janë rritur dhe edukuar vajzat dhe gratë në një shoqëri si kjo e jona. Dhe së dyti, dominimi i politikës maskiliste del në pah në çdo nivel të organizimit. Prandaj, kemi nevojë për reforma të përgjithshme, reforma të mendësisë por edhe gjetjen e mekanizmave ligjorë dhe social të cilët do ta rrisin përqindjen e përfaqësimit dhe pjesëmarrjen aktive të grave në politikë.

Portalb: A mendoni se listat e hapura do ishin një lloj zgjidhjeje për përfaqësim më të madh të grave në Kuvend dhe të njëjtat të kontribuonin në mbështetjen më të madhe të grave në politikë?

Rina Ajdari: Listat e hapura, me të drejtë nuk duhet të pengojnë përfaqësimin e grave, përkundrazi mund të ndihmojnë që sa më shumë gra të zgjidhen në pozita pavarësisht numrit ku renditen apo pozicionohen. Ka mundësi reale që gratë në atë rast të solidarizohen, të bëjnë fushatë aktive për njëra tjetrën e të mbështesin më shumë kandidatet gra dhe vajza por kjo nuk do të thotë detyrimisht që do të ketë më tepër gra në kuvend ose në këshillat komunal. Kjo sepse, sipas disa studimeve zyrtare, listat e hapura mund të jenë përparësi e të shfrytëzohen nga kandidatët më të njohur për komunitetin të gjinisë mashkullore duke lënë në hije kandidatet gra të cilat mund të jenë më të përgatitura profesionalisht e të posedojnë potencial më të madh politik.

Portalb: Ku qëndron zgjidhja sipas jush në bërjen e RMV-së një mjedis më të mirë për gratë në politikë?

Rina Ajdari: Në radhë të parë unë do të vendosja përgatitjen e mirë profesionale të grave dhe vajzave që kanë mundësinë dhe dëshirën për të hyrë në politikë, më pas potencialin politik por të dyja këto do të duhej të shoqërohen me krijimin e një mjedisi, të një klime pozitive në të cilën do të mënjanoheshin paragjykimet dhe stereotipet shoqërore; do të mbisundonte afirmimi pozitiv dhe besimi se gratë janë të afta për të çuar përpara procese. Kësaj do ti shtoja edhe mbështetjen dhe përkrahjen e domosdoshme duke filluar që në familjen më të ngushtë, rrethin e miqve dhe nga bashkëpunëtorët. Sigurisht, partitë politike duhet të përkushtohen, të kenë vullnet politik për të përmirësuar barazinë gjinore në kuadër të organizatave të tyre dhe të risin numrin e grave që emërohen në pozita udhëheqëse. Edhe institucionet përkatëse në Maqedoninë e Veriut duhet të implementojnë masa të përshtatshme legjislative dhe administrative për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme.

Portalb: Cilat janë sfidat me të cilat përballet një grua politikane shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

Rina Ajdari: Sfidat janë të shumta, duke filluar nga vetë përmbushja e obligimeve familjare, përkujdesja për fëmijët dhe menaxhimi i kohës të cilën e kemi në dispozicion. Pa ndihmën e anëtarëve të familjes është shumë e vështirë t’ia dalim. Ekspozimi ndaj gjuhës së urrejtjes, komenteve denigruese si dhe paragjykimeve të cilat transformohen në sulme personale posaçërisht në mediat sociale por jo vetëm, janë vërtetë një sfidë, një problem real dhe pengesë kryesore për angazhimin por edhe për mos angazhimin e grave dhe vajzave në këtë sferë. Këto çështje janë të rregulluara me korniza të ndryshme ligjore por nuk janë bërë praktikë e implementimit të mirë dhe adekuat. Duke qenë se në mandatin e kaluar kam qenë anëtare e kryesisë së Klubit të Deputeteve në Kuvend kemi pasur raste kur jemi bërë bashkë pa dallim të përkatësisë partiake dhe etnike për të ngritur iniciativa ligjore, për të reaguar ashpër kundër fyerjeve dhe nënçmimit të grave politikane por edhe për të përpiluar strategji afatgjate të cilat do të kontribonin në zvogëlimin e nivelit të gjuhës së urrejtjes.

Portalb: Për fund, çfarë mesazhi do ju jepni të gjitha vajzave të reja të cilat duan t’i futen politikës por nga rrethi dhe situata aktuale ngurojnë?

Rina Ajdari: Mesazhi im për vajzat e reja është që të besojnë në vete, të besojnë në aftësitë e tyre, të përpiqen që të marrin edukim dhe arsimim cilësor, ti rreken punës e të jenë këmbëngulëse për rritjen e nivelit të përsosmërisë profesionale. Të guxojnë të ëndërrojnë për një botë më të mirë por edhe të besojnë fort se mund të jenë ata që do të ndryshojnë gjërat për të mirë. Të motivohen nga situatat e vështira, të ballafaqohen me sfidat dhe asnjëherë të mos dorëzohen. Njëkohësisht, të bëjnë përpjekje për të praktikuar dhe për të synuar gjithnjë mbështetjen për njëra tjetrën, të ndërtojnë ura komunikimi me individë që ndajnë të njëjtat vlera dhe qëllime e të inkurajojnë veprimin e organizuar që barazia gjinore të konceptohet e të trajtohet si kusht i domosdoshëm për përparim dhe zhvillim të të gjithë shoqërisë.

Ditëve në vijim Portalb.mk do të publikojë intervistat edhe me deputetet tjera shqiptare në Kuvendin e RMV-së.