Identiteti nuk është gotë kristali

Çështja e identitetit është rikthyer sërish në qendër të debatit politik në Maqedoninë e Veriut, jo për shkak të ndonjë krize të brendshme ekzistenciale, por për shkak të rrugës së ndërlikuar dhe shpeshherë dëshpëruese drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kur komisionerja evropiane Marta Kos foli së fundmi në Shkup, ajo theksoi se integrimi në BE është rruga më e sigurt për mbrojtjen e identitetit kombëtar. Mesazhi i saj ishte i qartë: identiteti nuk cënohet përmes integrimit, përkundrazi, ai forcohet. Por në vend që të merreshin me thelbin e deklaratës së saj, debati publik në vend u përqendrua në një detaj dytësor: referenca e saj për kuzhinën tradicionale dhe metafora e “një gurmani që shijon ajvarin”. Mesazhi u banalizua, u nxor nga konteksti dhe u kthye në një karikaturë për konsum të brendshëm.

Por këtu nuk bëhet fjalë për ushqimin. Bëhet fjalë për frikën dhe për mënyrën se si identiteti në këtë vend është kthyer njëherazi në mburojë dhe armë në negociatat gjeopolitike.

Shkaku i vërtetë i tensioneve aktuale është bllokada që Bullgaria po i bën Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE, për shkak të mospajtimeve për historinë, gjuhën dhe përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e vendit. Këto janë çështje të ndjeshme dhe emocionale, por ato po shfrytëzohen për të krijuar një dilemë të rreme: që ndryshimet kushtetuese apo kompromiset diplomatike përbëjnë tradhti ndaj identitetit.

Kjo është një premisë e rrezikshme dhe thellësisht e gabuar peng i së cilës jemi të gjithë ne të ngujuarit në këtë rreth vicioz nga i cili assesi nuk mund të dalim me dekada të tëra.

Identiteti nuk është një gotë kristali e brishtë që thyhet nën presion. Nuk është një mall që tregtohet. Nuk zbehet duke hyrë në një bashkim politik, apo duke njohur kompleksitetin e historisë, apo duke garantuar me ligj të drejtat e një pakice. Përkundrazi, Bashkimi Evropian është struktura që mbron dhe promovon dallimet kulturore, jo që i fshin ato.

Maqedonia e Veriut nuk rrezikon të humbasë identitetin duke u bërë pjesë e BE-së. Përkundrazi: rrezikon ta humbasë pikërisht nëse mbetet jashtë. Brenda kuadrit evropian, gjuha maqedonase do të njihet zyrtarisht. Kultura maqedonase do të mbështetet përmes fondeve dhe programeve evropiane. Institucionet maqedonase do të forcohen përmes standardeve demokratike që mbrojnë të gjitha komunitetet. Integrimi nuk është asimilim. Është afirmim.

Ajo që Kos tentoi të shprehë, ndoshta me një ton më të paprështatshëm sesa kërkonte tema, është diçka që duhet ta dëgjojmë më shpesh: identiteti është më i fortë kur është i hapur, i sigurt në vetvete dhe i orientuar drejt të ardhmes. Jo kur mbahet peng nga narrativat nacionaliste apo nga bllokadat politike.

Është koha të ndalojmë së trajtuari identitetin si të ishte gjithmonë në rrezik. Të ndalojmë së besuari se çdo kompromis është dorëzim. Dhe të kuptojmë se sovraniteti i vërtetë ndërtohet jo në izolim, por përmes bashkëpunimit, barazisë dhe vlerave të përbashkëta. Nëse vërtet besojmë në forcën e asaj që jemi, atëherë nuk kemi pse të frikësohemi nga të qenit pjesë e diçkaje më të madhe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.