Manipulimi me AI: Pretendohet rrejshëm se Trumpi paralajmëroi sulm ndaj Serbisë për shkak të Kosovës
Një video e krijuar përmes Inteligjencës Artificiale (AI) dhe e shpërndarë në “TikTok”, me titullin “Trumpi deklarohet për Kosovën dhe Serbinë”, ka mashtruar audiencën duke pretenduar se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një paralajmërim të ashpër ndaj Serbisë nëse ajo sulmon Kosovën, shkruan Sbunker.
Kjo video, e cila tashmë ka qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale është një “deepfake” i pastër me përmbajtje të manipuluar në mënyrë digjitale për t’u dukur si autentike.
“Së shpejti do t’i ftoj presidentët e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Ne kemi ushtrinë tonë në Kosovë. Nëse Serbia sulmon ushtrinë tonë, unë do ta shkatërroj Beogradin dhe Serbia e di këtë”, pretendohet se ka thënë Trumpi në videon e manipuluar.
Kjo video ka marrë mbi 500 mijë shikime dhe afro një mijë komente të ndryshme, ku shumë prej përdoruesve e besojnë si të vërtetë një deklaratë të tillë.
Përmbajtja është prodhuar me një teknologji të avancuar që imiton zërin dhe fytyrën e Trumpit, por analiza dhe kërkimi në deklaratat zyrtare nuk japin asnjë provë që ai ka bërë një deklaratë të tillë, në asnjë kontekst.
Përdorimi i “deepfake-it”, një teknologji që bazohet në Inteligjencën Artificiale që gjeneron video me zë e figurë të rreme, është ndër format e sofistikuara të dezinformimit. Në këtë rast, imazhi dhe zëri i Trumpit janë përdorur për të krijuar një kërcënim ushtarak inekzistent, duke tentuar të nxitet panik dhe tensione.
Për më tepër, videoja është e postuar nga llogaria në “TikTok” e cila ka shpërndarë edhe një tjetër video me përmbajtje manipuluese me protagonist Trumpin që shkon në të njëjtën linjë propagandistike.
Të dhënat nga rrjetet sociale tregojnë një rritje të koordinuar të përmbajtjes së manipuluar që shënjestron Kosovën dhe raportet e saj me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-në dhe NATO-n. “TikTok-u” dhe “Telegram-i” janë kthyer në kanale të përhapjes së këtyre narrativave.
Këto video janë shpërndarë disa ditë pas Samitit të NATO-s në Hagë, ku Donald Trumpi mori pjesë dhe në konferencën për media përmendi rastin Kosovë–Serbi, në kontekst të pretendimeve të tij për zgjidhje të konflikteve globale.
“Ndalëm Serbinë që ishte gati të vepronte. Putini më telefonoi dhe më tha: ‘A mund të të ndihmoj me Iranin’? I thashë jo, mund të më ndihmosh me Rusinë. Sepse në javët e fundit e zgjidhëm çështjen e Indisë dhe Pakistanit mes Kosovës e Serbisë. Mendoj se të premten do të vijnë Kongo dhe Ruanda, një luftë e tmerrshme ku priteshin kokat gjithandej në Afrikë”, deklaroi Trumpi në konferencën për media pas Samitit.
Ky kontekst është përdorur nga manipulatorët për të shtuar besueshmërinë e videos së rreme, duke mashtruar audiencën se ai vërtet ka bërë deklarata kërcënuese.