I burgosuri që vodhi bastoren në Shkup, ka hapur dyert e burgut me kartelën e një gardiani

Njësiti për korrupsion i Departamentit ndjekjen ne krimit të organizuar dhe të rëndë (DNKOR) sot ka dorëzuar kallëzim penal kundër J.J.(47) nga Shkupi në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për veprën e kryer penale “lirim i paligjshëm i personit të privuar nga liria”, i parashikuar dhe i dënueshëm nga neni 373 i Kodit Penal. Ai, në cilësinë e zyrtarit – punonjës i Policisë së burgjeve në Idrizovë Shkup, ka liruar të dënuarin D.K. nga Kumanova, duke i mundësuar arratisjen, transmeton Portalb.mk.

“Përkatësisht, J.J. më datë 20.05.2023, derisa ishte në turn, ka liruar D.K., i dënuar me burgim deri në vitin 2027 për vepra të kryera penale nga neni 237 paragrafi 1 dhe neni 396 paragrafi 1 i Kodit Penal, i cili kishte trajtim me burg të kategorisë B2. I dënuari, duke përfituar nga besimi i JJ-së, i ka kërkuar kartelën magnetike zyrtare për të hapur derën e sigurisë së Repartit të hapur, me arsyetimin se do të shkonte në një pjesë tjetër të repartit ku ishte i angazhuar me punë paraprakisht. Pasi i dënuari ka hapur derën e sigurisë, ia ka kthyer kartelën pronarit dhe më pas është larguar në drejtim të “portës së gjelbër”. Pak më vonë gjatë verifikimit të numrit u konstatua se i dënuari ishte zhdukur, gjegjësisht ishte arratisur nga burgu”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Të njëjtën ditë, shtojnë nga MPB, rreth orës 09:16 në një kazino në rrugën “Blagoja Stefkovski”, i dënuari me armë ka kryer grabitje, i ka marrë paratë punonjësit dhe është arratisur. Brenda një kohe të shkurtër është gjetur nga punonjësit e policisë dhe i është hequr liria, si dhe i janë gjetur sende me origjinë nga vepra penale dhe një pistoletë e tipit “Çeshka zbroevka C3 85”.

I arrestuari tashmë është i dënuar me 13 vjet e gjashtë muaj burg, ndërsa i kishin mbetur edhe tre vjet e tetë muaj burg për të vujatur dënimin. Gjatë arrestimit, policët kanë qëlluar në ajër për t’a paralajmëruar dhe më pas e kanë arrestuar. Atij iu gjetën paratë e vjedhura dhe një pistoletë e kalibrit 9 mm.

Nga MPB-ja potencuan se pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të bëhet kallëzimi përkatës dhe do të dërgohet në burg për vuajtjen e dënimit.

LEXO: RMV, është arrestuar një i burgosur i cili në mëngjes u arratis nga Burgu i Idrizovës dhe ka grabitur bastore në Shkup