OEMVP: Është kërcënuar me jetë një afarist në Manastir, të ndërmarrin masa institucionet

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), informon se gjatë ditës së djeshme në Manastir është kërcënuar me jetë afaristi Lirim Mersimi njëherit edhe anëtar i Këshillit Drejtues të OEMVP-së. Sipas OEMVP-së, kërcënimi ka ardhur pasi afaristi ka dashur të shfrytëzojë tokën ngjitur me fabrikën e tij, e cila ligjërisht i takon sepse në përputhshmëri me ligjin dhe të gjitha procedurat e parapara, e ka marrë në koncesion.

“Dhuna, krimi i organizuar, konkurrenca jolojale dhe shpërfillja e ligjit, nuk duhet ta karakterizojnë vendin tonë sepse këto i japin pasiguri qytetarëve dhe bizneseve se ata janë të pa mbrojtur por edhe krijojnë përshtypjen se institucionet nuk po e kryejnë funksionin dhe detyrimin e tyre ndaj shoqërisë në përgjithësi. Këto faktorë janë edhe matësit kryesorë të sundimit të ligjit në vend por edhe përcaktues të ardhmërisë ekonomike duke i vënë në pah të gjitha predispozitat reale të të bërit biznes. Është e pakuptimtë, një investitori serioz i cili me procedurë të rregullt merr tokën në koncesion, të mos i lejohet realizimi i projekteve të tija, e sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, ai të kërcënohet edhe me jetë, ndërsa institucionet të mos ndërmarrin masat përkatëse”, thonë nga OEMVP.

Ata e dënojnë ashpër, siç thonë, këtë krim, dhe u bëjnë thirrje institucioneve sa më parë të reagojnë në mënyrë adekuate dhe autorët të dalin para drejtësisë, me qëllim që të dëshmohet se në këtë vend ligji dhe e drejta sundojnë.

“Gjithashtu, kërkojmë nga të gjitha Mediat në vend, si partnerë të fuqishëm të qytetarëve dhe interesit të vendit, të alarmojnë mbi këtë rast dhe të gjitha rastet e ngjashme të cilat po i vendosin njolla vendit tonë dhe po cenojnë lirinë e cila i takon çdo njeriu në shtetin e së drejtës dhe në një vend demokratik. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, do ta mbrojë biznesin dhe klimën afariste në vend, edhe përskaj të gjitha pengesave dhe jo-kushteve të cilat janë prezente, me të vetmin qëllim, për të përmirësuar të ardhmen socio-ekonomike të vendit”, thonë nga OEMVP.