Hiqen objektet e rrënuara në fabrikën “Treska”, do fitojnë drunjtë apo ndërtesat?

Pothuajse nuk ka mbetur asgjë nga ish-fabrika e mobiljeve “Treska” pas disa muajsh pastrimi të objekteve industriale të rrënuara në këtë lokacion në lagjen Bunjakovec të Shkupit. Meta.mk siguroi fotografi nga lokacioni i fabrikës “Treska”, nga të cilat shihet se investitori e ka pastruar tërë lokacionin dhe e ka kthyer atë në një lloj piste aeroporti, para se të vazhdojë me ndërtimin e objekteve të tjera të banimit, njofton Portalb.

E përderisa në terren pa rreshtur shtohen shtyllat e betonit të objektit të parë të banimit nga kompania “Golden Art”, parashtrohet pyetja se çfarë do të ndodhë me gjelbërimin që gjendet në këtë lokacion në qendër të Shkupit.

 

Jo shumë kohë më parë, iniciativa qytetare “Në mbrojtje të Bunjakovecit” në shkurt të vitit 2020 numëroi rreth 190 drunj të rritur në rrethin e fabrikës “Treska”. Me përdorimin e imazheve satelitore që katër vite më parë ata dëshmuan se ideja e gjelbërimit të vendit dhe krijimit të një parku nuk është diçka e paarritshme për këtë pjesë të Qendrës.

“Për të krijuar një park që do të jetë në dispozicion të të gjithë qytetarëve dhe vizitorëve të Shkupit, mjafton që: 1. Të mos priten drunjtë ekzistues; 2. Të pastrohen rrënojat jofunksionale të ish-fabrikës; 3. Të mbillet bar në sipërfaqen e pastruar”, thanë nga iniciativa “Në mbrojtje të Bunjakovecit në vitin 2020.

Nga këndvështrimi i sotëm një nga kushtet për krijimin e parkut në vendin e ish-fabrikës “Treska” është përmbushur, gjegjësisht objektet e dikurshme industriale që ndodhen në këtë lokacion janë pastruar pothuajse plotësisht. Megjithatë, dy kushtet e tjera për formimin e gjelbërimit të parkut nuk janë përmbushur.

Nga fotografitë të cilat i siguroi Meta.mk shihet se një pjesë e drunjve që në vitin 2020 ishin gjithsej rreth 190 ende ndodhen në këtë lokacion, por edhe se disa nga këto drunj tashmë janë prerë. Edhe pse nga ky lokacion janë zhdukur disa prej drunjve të vjetër edhe nga disa dekada me degëzim të gjerë, Komuna Qendër dhe investitori kanë mundësi të mbrojnë drunjtë e mbetur rreth fabrikës “Treska” që tashmë kanë mbirë.

Gjithashtu, ky vend kurrë më parë nuk ka qenë kaq afër krijimit të një parku me gjelbërim, pasi që e vetmja gjë që duhet bërë tani është që të shtrohet një shtresë dheu dhe të mbillet bar dhe vegjetacion për ta kthyer këtë hapësirë ​​në një hapësirë ​​të rrallë, por plot me gjelbërim në qendër të Shkupit.

Mirëpo, me sa duket idetë e aktivistëve qytetarë dhe ekologjistëve nuk përputhen me qëllimet që i kanë projektuar autoritetet lokale. Edhe pse gjatë verës në disa media u publikua një videoklip, në të cilin premtohet se në hapësirat e ish fabrikës “Treska” do të ndërtohen ndërtesa të ulëta dhe do të ketë gjelbërim, lind pyetja se pse gjelbërimi ekzistues në këtë lokacion nuk përfshihet në kompleksin urban të paralajmëruar, por fillimisht do të ndërtohen blloqet e banimit, e më pas hapësira e mbetur do të rregullohet me gjelbërim.

Arsyeja kryesore që mund të çojë në prerjen e plotë të drunjve ekzistues në rrethin e ish fabrikës “Treska” është Plani i detajuar urbanistik i miratuar në vitin 2012 për këtë lokacion. Në vend të ruajtjes së gjelbërimit ekzistues, ky PDU parasheh ndërtimin e objekteve të reja. Një pjesë e komunitetit arkitektonik tashmë ka reaguar se PDU-ja aktuale nuk është ndryshuar për të mundësuar riparcelizimin dhe përmbushjen e një numri të madh së interesave të investitorëve privatë, por edhe për krijimin e një hapësire me gjelbërim dhe zonave me interes publik për këtë pjesë të rëndësishme të qendrës së qytetit.

Konkretisht, në vitin 2020, Këshilli i Komunës Qendër mori vendim për zgjidhje urbanistike të zonës në lokacionin e ish fabrikës “Treska” me shpalljen e një konkursi, pas së cilit u zgjodh zgjidhja fituese, por ajo asnjëherë nuk u inkorporua në një plan të ri urbanistik për pjesën e fabrikës “Treska”.

Komuniteti arkitektonik reagoi se gjelbërimi i paraparë me PDU-në aktual, të pandryshuar nga viti 2012, ndodhet në pjesën ku ndodhen objektet më të vlefshme të kompleksit “Treska”, të cilat janë legalizuar dhe privatizuar. Pikërisht për këtë, që autoritetet komunale në të ardhmen të krijojnë gjelbërim në këtë lokacion, ata fillimisht do të duhet të dëmshpërblejnë pronarët e pronës dhe objekteve. Në vend të këtij varianti më të kushtueshëm, përqindja e gjelbërimit të gjithë lokacionit do të mund të bëhej pikërisht në atë pjesë të tokës ku u shembën objektet e rrënuara të fabrikës “Treska” dhe për të shmangur shpenzime shtesë, dukshëm më të larta për krijimin e gjelbërimit në të ardhmen.