Mariçiq: Ndryshimet kushtetuese janë kushti i vetëm për të vazhduar rrugën tonë drejt BE-së

Me përfundimin e suksesshëm të procesit të skriningut, deri në fund të muajit do të duhet të dorëzojmë në BE dokumentet kryesore për hapjen e bisedimeve për grupin e parë, pas çka vetëm ndryshimet kushtetuese do të mbeten kushti i vetëm për vazhdimin e procesit të bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq në intervistën për MIA-n, njofton Portalb.

“Ajo që mund të themi është se nga ky proces skriningu tashmë kemi rezultate dhe fryte konkrete. Në fakt, edhe Komisioni Evropian në raportin e tij e vlerësoi këtë proces skriningu si shumë të suksesshëm . Duhet të jetë një model për mënyrën se si duhet të ecim përpara në bisedimet dhe përgjigje në pyetjen nëse kemi aftësinë për të biseduar, gjë që është parashtruar shumë herë. Po, kemi edhe proces skriningu që e tregoi këtë”, tha Mariçiq.

Ai theksoi se dhjetë ditë më parë, vendi mori ftesë nga presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian për të dorëzuar udhërrëfyes për sundimin e së drejtës, reformat e administratës publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike dhe Planit të veprimit për mbrojtjen e anëtarëve të bashkësive pakicë, të cilat do të dërgohen në BE deri në fund të këtij muaji.

“Tashmë javën e ardhshme, të hënën, do të kemi mundësinë në Kuvend në seancë të përbashkët të Këshillit kombëtar për integrim evropian dhe Komisionit për çështje evropiane të shqyrtojmë Draft udhërrëfyesit dhe Draft planin e rritjes dhe kjo do të na mundësojë të përfundojmë brenda pak ditësh konsultimet me shoqërinë civile, bashkësinë akademike, odat ekonomike dhe kështu, në bazë të atyre konsultimeve, do të shtojmë ose heqim diçka nëse është e nevojshme nga këta udhërrëfyes, por deri në fund të këtij muaji do t’i kemi ato dokumente dhe kështu të përfundojmë këtë fazë të parë, këtë pjesë të parë hyrëse të negociatave dhe do të bëjmë gjithçka që duhet bërë pa ndryshime kushtetuese. Pas kësaj, vetëm ndryshimet kushtetuese do të mbeten kushti i vetëm për hapjen e grupit të parë dhe për rinisjen e bisedimeve”, potencoi Mariçiq.

Zëvendëskryeministri theksoi se nga Samiti i BE-së javën e ardhshme pret sinjale pozitive për njohjen e asaj që kemi bërë me skriningun, mbështetjen për reformat e mëtejshme dhe konfirmimin se perspektiva e anëtarësimit në Bashkim në afat të shkurtër është e mundur dhe realiste, por nuk mund të presim dritën jeshile për të thirrur Konferencën e ardhshme ndërqeveritare dhe për të hapur bisedimet për klasterin e parë kur e dimë se nuk kemi përmbushur një nga kushtet për këtë – miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Ai theksoi se Samiti i BE-së që do të mbahet të enjten dhe të premten duhet të miratojë Planin për rritjen e Ballkanit Perëndimor, i cili si ide e ka origjinën nga vendet e rajonit dhe i cili do të na lejojë të ndiejmë disa nga përfitimet e anëtarësimit edhe para anëtarësimit në Bashkim. Ai rikujtoi se në kuadër të Planit për rajonin janë paraparë gjashtë miliardë euro, nga të cilat një pjesë serioze për vendin tonë, nga të cilat mjetet e para pritet të merren në fillim të tremujorit të dytë të vitit të ardhshëm.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.