Poshtëruesit e shqiptarëve

Kur para disa vitesh një pshurran pshurri në Prishtinë përmendoren e heroit të kombit shqiptar Gjergj Kastriotit, për bëmat e të cilit kanë shkruar libra qindra autorë të njohur të botës, një mik imi që jeton prej vitesh në Norvegji, më mori në telefon dhe më qortoi, sikur ta kisha bërë unë gjestin idiot të një shtone të “muzikës shqiptare”. Veç tjerash, ai më tha se: po të ndodhte një gjë e tillë në shtetet nordike, herifi do të dënohej rëndë dhe do të kalonte disa vite në qeli burgu, kurse atje te ne, në vend të kërkimfaljes, deklaroi se të njëjtën majmunëri mund ta përsërisë kur t’ia dojë qejfi!?

Ngjarje të këtilla sigurisht ndodhin kudo në botë, por askund nuk janë rëndomësuar si në Shqiptari, ku fyerjet ndaj kombit dhe figurave historike janë të ditëpërditshme dhe bëhen publikisht edhe në debatet televizive të drejtuara nga moderatorët që shpesh ftojnë në to edhe renegatë dhe shtona të pista, që s’i ka parë ndonjëherë bota shqiptare.

Po sjell në vijim marifetet djallëzore të një shtone radikale, që përsërit serbes gjithë profkat kutërbuese serbo-greke, me të cilat na kanë poshtërruar 200 vitet e fundit. Sipas mashës së dreqit: Kombi shqiptar është pjellë e Turqisë, sepse, para vitit 1912 paskemi qenë osmanë (!). Shqiptarët janë me prejardhgje turko-iraniane (!). Origjina e të parëve të Kosovës ishte sllave (!). Skënderbeu është figurë e sajuar nga Rilindja (!). Ai ishte terrorist, si prijësit e ISIS-it, sepse bënte masakra kundër muslimanëve (!). Skënderbeu ishte serb (!). Ai dogji, preu dhe shkatërroi shtetin e tij Turqinë, me një ushtri banditësh (!). Nënë Tereza nuk ka qenë shqiptare (!). Ajo ishte projekt i CIA-s (!)…

Një bashkëmendimtar i kryeshtonës, ia dha vetes kompetencat e Zotit dhe tha: Nënë Tereza e ka vendin në xhehenem (!). E tha me gojën plot helm, sepse Adhamudhët e gjithdijshëm të Çajupit, nuk janë falënderues dhe nuk e ditkan se, gjatë luftës në Kosovë, Nëna Tereze i telefonoi Presidentit të SHBA-së, Bill Clintonit dhe i tha: “Biri im bëj diçka për shqiptarët e mi”.

Shtona në rradhë e tha faqe botës se: Flamuri i shqiptarëve është leckë (!), sepse edhe ky nuk e ditka si i trajtojnë të tjerët flamujt e kombeve dhe shteteve të tyre. Gjynahut do t’i mjaftonte

shembulli i presidentit turk Erdoan, i cili në një takim të rëndësishëm burrështetasish, vërejti para këmbëve të një kolegu një flamur të vogël të Turqisë, u afrua te flamuri, e mori, e shfiu nga pluhuri, e palosi dhe e futi në xhepin e palltos.

Shembullin e respektit ndaj simbolit të kombit, gjynahu mund ta kishte marë edhe nga futbollistët shqiptarë, që, në ndeshjen ndërmjet Shqiperisë dhe Serbisë, rrezikuan jetën për të mbrojtur simbolin e kombit, për të cilin janë derdhur lumenj gjaku, janë drobitur eshtra veprimtarësh dhe janë bërë mijëra vjet burgje nëpër kazamatet e ”dashamirëve tanë”.

Për t’i kuptuar më mirë llofkat në të cilat janë kllumur vetëdijshëm dhe nga të cilat nuk do t’i lajë asnjë amazon Adhamudhët e gjithkohshëm të Shqiptarisë, ua sugjeroj për shërim intervistën e historianit të shquar turk Müfid Yüksel, dhënë televizionit “Avaz”, ku, mes tjerash, thotë: Shqiptarët ballkanas nuk janë as grekë as sllavë, po janë ilirë autoktonë. Shqiptarët patën shumë goditje, pasi ishin në kufi me sllavët. Rusët ishin në krahun e serbëve, thotë historiani, por, për fat të keq, osmanët nuk fituan asnjë luftë me rusët, ndaj faturën e humbjeve e paguajtën shqiptarët me humbjet e mëdha të tokave të tyre.

Yüksel nuk kënaqet me kaq dhe, si për të demantuar e turpëruar me fund shtonat pa dinjitet dhe dashni etnie, thotë: Shqiptarët kanë lënë shumë gjurmë në historinë e shkuar të Turqisë… Pas Sulltanëve dhe familjeve të tyre, më shumë vepra dhe shërbime kanë lënë pashallarët shqiptarë…

Kaq për shtonat, që, mjerisht, shpëlajnë trutë e shqiptarëve të painformuar nëpërmjet debateve të drejtuara nga disa moderatorë, që mbajnë anën e djajve për honoraret fijengatërruara si lesharapi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.