Arkitektët reaguan ndaj rrënimit të objekteve të fundit në “Treskë”

Rrënimi i objekteve në qarkun e ish fabrikës së mobiljeve “Treska” vazhdon me ritëm të pandërprerë, përkundër reagimeve të arkitektëve se qendra e Shkupit po e humb lokacionin e fundit e cila do të shkrihet në ndërtesa të dendura pa asnjë hapësirë publike për qytetarët, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Pasi fillimisht u rrënuan objektet e dikurshme të fabrikës “Treska” të cilat gravitojnë në bulevardin “Mitropolit Teodosij Golloganov”, këtë javë filluan të rrënohen edhe objektet e fundit që ndodhen përgjatë rrugës “Vlladimir Pollezhinovski”. Mbetet të rrënohen edhe ndërtesat përgjatë rrugës “Ruzvelltova”, që tërësisht të rrënohet ish fabrika e mobiljeve “Treska”.

Ndryshe, rrënimi i objekteve në rrugën “Vlladimir Pollezhinovski” bëhet nga qarku i ish fabrikës “Treska”, por mbetjet ndërtimore bien në rrugë. Edhe përkrah asaj që punëtorët ndërtimorë e ndjekin rrënimin nga jashtë, ndërsa një pjesë e hapësirës është rrethuar, qytetarët që kontaktoi Meta.mk, thonë se nuk ka hapësirë të mjaftueshme për lëvizjen e tyre si këmbësorë, e aq më pak hapësirë të mjaftueshme për rrënojat që bien.

Në ndërkohë, dy akritektë – fitues të mirënjohjes më të lartë arkitektonike në Maqedoni – “Andreja Damjanov”, Bato Radonjçiq dhe Biljana Filipovska ditëve të fundit kanë reaguar në Facebook rreth rrënimit të objekteve në ish fabrikën “Treska”, por edhe për gjithë atë që do të ndërtohet sipas Planit të Detajuar Urbanistik për këtë lokacion, i cili ishte votuar në vitin 2012.

Fillimisht reagoi arkitekti Bato Radonjçiq, i cili ka qenë kryetar i komisionit të konkursit për zgjedhje të zgjidhjeve urbanistike në hapësirën “Treska”, pasi nga Komuna e Qendrës paraprakisht në vitin 2020 u shpall konkursi.

Radonjçiq në një postim në Facebook të transmetuar nga “Shansë për Qendrën” shkruan se komisioni që vlerësoi punimet e dorëzuara të konkursit ishte i përbërë nga ekspertë eminentë dhe ai vetë i propozoi kryetarit të Komunës Qendër që të vazhdojë me përpunimin e punimit të ranguar i pari në konkurs. Pikërisht ai që mëndësonte riparcelimin dhe plotësimin e shumicës së interesave të investitorëve privatë, por edhe krijimin e një hapësire me gjelbërim dhe zona me interes publik për këtë pjesë të rëndësishme të qendrës së qytetit.

“Konretisht për zbatimin e propozimin, fillimisht duhej të bëhet riorganizim dhe konsolidim i tokës shtetërore nga ana e komunës, si pronar më i madh dhe jo e kundërta, më pas hapësira e mbetur të riorganizohet dhe bëhet riparcelim”, shkruan Radonjçiq.

Ai thotë se, nuk ka pasur interes nga kryetari i komunës për një gjë të tillë, as vullnet politik. Radonjçiqi i parashtroi pyetje direkte kryetarit të Qendrës se si planifikon ta realizojë gjelbërimin e paraparë në “Treska”, i cili duhej të përmbush përqindjen e gjelbërimit, ndërsa e cila është e vizatuar në hapësirën ku janë objektet më të vlefshme në kompleksin “Treska”, të cilat në ndërkohë janë legalizuar dhe privatizuar. Përgjigje nuk ka marrë.

“Paratë i harxhojnë, i hudhin, ata i pengojnë konkurset, në vend që t’i shfrytëzojnë si kontribut të rëndësishën në zhvillimin dhe organizimin e hapësirës”, i është përgjigjur Radonjçiq kryetarit të Komunës së Qendrës, Goran Gerasimovski.

Gerasimovski atëherë pretendonte se zgjidhjet e këtilla ideore jo vetëm që nuk janë shfrytëzuar, por as nuk do të mund të shfrytëzohen.

Gjendja aktuale me rrënimin e ish fabrikës “Treska” e ka komentuar para disa ditëve në Facebook edhe arkitektja Biljana Filipovska, e cila vlerëson se, hapësira e fabrikës është hapësira e fundit e lirë në qendrën e qytetit, e cila mundej të ketë epilog kreative në vend të bllokut të dendur të ndërtesave, pa asnjë sipërfaqë reale publike dhe funksion publik.

Javën e kaluar “Shansë për Qendrën” dhe kryetari i Qendrës Gerasimovski kishin korrespodencë në lidhje me fabrikën “Treska”, përkatësisht për konkursin arkitektonik për lokacionin dhe mospërshtatjen e tij në zgjidhje e re urbanistike nga ana e udhëheqësisë së komunës, me të cilën do të ndërrohej plani i detajuar urbanistik aktual nga viti 2012.

Këshilli i Komunës së Qendrës, në vitin 2020 miratoi konkludim për zgjidhjen urbanistike të hapësirës së lokacionit të “Treskës”, me shpalljen e një konkursi, pas çka u zgjodh zgjidhja fituese, por e njëjta asnjëherë nuk u përfshi në planin e ri urbanistik për pjesën e fabrikës “Treska”. Nga “Shansë për Qendrën” thonë se, fajtor për këtë është pikërisht kryetari i komunës Gerasimovski.