Heshtje nga “Ujësjellësi” i Shkupit për humbjet e ujit të pijshëm që arrijnë 60 përqind

Raport jotransparent i ndërmarrjes publike të Shkupit “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, e cila për më shumë se një muaj nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e dërguara nga Meta.mk në lidhje me atë se çfarë po bëjnë për të ulur përqindjen aktuale të humbjeve të ujit të pijshëm në ujësjellësin e Shkupit. Përqindja e ujit të pijshëm të pa faturuar për vitin 2022 në Shkup mbetet e panjohur, sepse nga ndërmarrja publike nuk japin përgjigje për këtë temë, raporton Portalb.mk.

Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjisë dhe Shërbimeve të Ujit, Marko Bislimovski, më 1 mars të këtij viti foli për faturat mujore të ujit të pijshëm nga ujësjellësi i qytetit të Shkupit dhe për kërkesën e dorëzuar nga ana e NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup për rritjen e çmimit të ujit, mesatarisht për nga 30 denarë në faturat mujore. Atëkohë Bislimovski tha se në nivel vendi humbjet e ujit të pijshëm janë 60 përqind, që do të thotë se po humbim pasuri të paçmueshme për shkak të mungesës së investimeve.

Përndryshe në vitin 2021 humbjet e ujit të pijshëm në ujësjellësin e menaxhuar nga NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”-Shkup kanë qenë rreth 60 përqind, që është një përqindje jashtëzakonisht negative në krahasim me humbjet e pranueshme të ujit prej më pak se 30 përqind të cilat i thekson Shoqata Ndërkombëtare e Ujërave.

Meta.mk tre herë – më 3, 8 dhe 28 mars të këtij viti ka dërguar pyetje pranë NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”-Shkup për të marrë informacion për përqindjen e ujit të pa faturuar në sistemin e tyre gjatë vitit të kaluar, por përgjigje nuk kemi marrë. Pyetëm edhe se çfarë veprimesh ka ndërmarrë ndërmarrja publike e Shkupit për uljen e përqindjes së ujit të pa faturuar dhe se çfarë masash janë ndërmarrë në vitin 2022 për zvogëlimin e humbjeve fizike të ujit të pijshëm. Nuk kemi marrë të dhëna as për aktivitetet që NP ” Ujësjellësi dhe kanalizimi” planifikon t’i realizojë gjatë vitit të ardhshëm me qëllim të uljes së përqindjes së ujit të pa faturuar në sistemin e furnizimit me ujë në Shkup.

Meta.mk disa vite më parë ka shkruar se përqindja e ujit të pijshëm të pa faturuar në Shkup në nivel vjetor është mbi 60 përqind nga sasia e përgjithshme e ujit të prodhuar. Problemi me ujësjellësin e Shkupit është se ai është më i madhi në vend, kështu që përmes gypave të ujit prodhohet dhe shpërndahet, por edhe humbet sasia më e madhe e metër kub uji të pijshëm.

Në kuadër të përqindjes së ujit të pijshëm të pa faturuar, përveç humbjeve fizike të ujit si pasojë e çarjeve të tubacioneve dhe rrënimit të infrastrukturës, bëjnë pjesë edhe gjitha sasitë e pa faturuara të konsumit legal të ujit të pijshëm, si: ujitja e sipërfaqeve publike, uji për shatërvanët, për tualetet publike në Shkup. Përqindja e ujit të pijshëm të pa faturuar i përfshin edhe kyçjet ilegale, si dhe pasaktësinë e matësve të ujit dhe gabimet gjatë përpunimit të të dhënave.

Këtë vit thirrje për ndarjen e mjeteve për sisteme të furnizimit me ujë për komunat

Meta.mk tashmë ka shkruar për kredinë e siguruar nga Banka Evropiane për Investime (EIB) në vlerë prej 50 milionë euro për përmirësimin e furnizimit me ujë në vend, por edhe për realizimin e projekteve për rindërtimin dhe ndërtimin e sistemeve për furnizimin me ujë dhe kanalizimet. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) për Meta.mk njoftuan se deri në fund të vitit 2023 do të shpallet thirrja e parë për komunat, në të cilën ato do të mund të aplikojnë për ndërtimin e sistemeve për furnizim me ujë dhe kanalizim.

“Po vijojnë aktivitetet përgatitore për ngritjen e një njësie organizative për zbatimin e Projektit në kuadër të MMJPH-së. Pritet që takimi fillestar i personave përgjegjës nga MMJPH dhe BEI të mbahet deri në fund të muajit prill, kur do të përcaktohet edhe plani i punës për realizimin e projektit. Rrjedhimisht, do të përcaktohet edhe korniza për shpalljen e thirrjeve”, njoftojnë për Meta.mk nga kjo ministri.

Ata shtojnë se kredia do të realizohet në një periudhë katërvjeçare, dhe do të mbulojë ndërtimin e sistemeve të reja dhe përmirësimin e sistemeve ekzistuese për furnizim me ujë të pijshëm dhe sistemeve për grumbullimin, mënjanimin dhe trajtimin e ujërave të zeza në të gjitha vendbanimet.

Sa i përket asaj nëse komunat me përqindjen më të lartë të humbjeve të ujit të pijshëm do të kenë prioritet në marrjen e fondeve nga kjo kredi, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se po vijon përcaktimi i metodologjisë për ndarjen e mjeteve për realizimin e projektit, dhe në përputhje me këtë metodologji do të përcaktohen edhe prioritetet e financimit të projekteve.

Banka Evropiane për Investimeve tashmë ka njoftuar se projekti i tyre do të sjellë përfitime për rreth 700 mijë persona nga vendi dhe për kredi do mund të aplikojnë të gjitha komunat.