Grubi: Ngjarja në Tetovë kishte për qëllim defokusimin, nuk është e mirë as për shqiptarët as maqedonasit

Flamuri me hartën e “Shqipërisë së madhe”, i cili u shfaq sërish dje në Tetovë, është vlerësuar nga zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi si një provokim në rrugën evropiane të vendit tonë, por edhe një defokusim i publikut nga vizita e djeshme e përfaqësuesit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, transmeton Portalb.mk.

Një ikonografi e tillë, e cila për herë të dytë këtë muaj është e pranishme në dy manifestime të veçanta në Komunën e Tetovës, sipas Grubit, nuk synon të sjellë të mira as për shqiptarët dhe as për maqedonasit.

“Këto janë parti të vogla me komplekse të mëdha. Shpresoj se askush nga ne nuk do t’i japë mundësinë të bëhen parti të mëdha me gjeste të vogla. Ne nuk kemi nevojë për ngjarje të tilla, sidomos kur në vendin tonë vjen një mysafir i lartë nga Departamenti i Shtetit për të na dhënë mbështetje për integrimin evropian të vendit dhe ne bëjmë që diçka e tillë të defokusojë opinionin. Ajo ngjarje, ai fjalor është vetëm për vetëfaktorizim dhe i shërben disa agjendave që nuk ia duan të mirën Maqedonisë, as shqiptarëve dhe askujt tjetër, prandaj mendoj se duhet t’i injorojmë si faktorë margjinalë në shoqëri dhe incidente të panevojshme që janë një provokim absolut për rrugën evropiane të vendit tonë”, tha Grubi sot për mediat.

Ngjarja e djeshme në Tetovë ku kryetari Bilal Kasami promovoi rrugën e sapoasfaltuar mbi të cilën valonte flamuri i “Shqipërisë së Madhe” e dënoi edhe LSDM-ja. Një ngjarje e tillë nga partia në pushtet është vlerësuar si provokim dhe nxitje e përçarjes mes qytetarëve.

“Vetëm Mickoski hesht për provokimet e partnerit të tij në koalicion. Fakt është se sa ishin në koalicion Besa dhe Kasami, me LSDM-në nuk ka pasur gjëra të tilla, përkundrazi. Kjo po ndodh vetëm tani kur janë në koalicion me DPMNE-në. Qytetarët e shohin të njëjtën histori të rraskapitur, 30 vite vetëm nacionalizëm, si perde tymi për qëllimet e pandershme, populizmin dhe krimin”, tha LSDM.

Bilall Kasami gjatë promovimit të  zgjerimit të kryqëzimit të bulevardeve ''Ilindenska'' dhe ''VS Bato''. Foto nga profili i tij në Facebook
Bilall Kasami gjatë promovimit të zgjerimit të kryqëzimit të bulevardeve ”Ilindenska” dhe ”VS Bato”. Foto nga profili i tij në Facebook

Reagimet vijojnë pasi dje, për herë të dytë këtë muaj, është shpalosur flamuri i “Shqipërisë së Madhe” në Tetovë ndërsa kryetari Bilal Kasami ka promovuar një rrugë të sapoasfaltuar.

Një ikonografi e tillë ishte e pranishme edhe në koncertin e organizuar për nder të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili vizitoi Tetovën më 11 gusht. Flamurin e valviste një burrë nga publiku.

Grubi: Nuk ka debat për përmbajtjen e ndryshimeve kushtetuese

Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi konsideron se askush nuk po debaton në opinion për përmbajtjen e ndryshimeve kushtetuese, por po debatohet nëse duhet të ketë zgjedhje të parakohshme.

“Dy muaj pas miratimit të ndryshimeve teknike të Kushtetutës në Qeveri dhe Kuvend, nuk ka absolutisht asnjë debat në shoqëri për përmbajtjen e atyre amendamenteve, as nga komuniteti akademik, as nga organizatat joqeveritare, as nga partitë politike, por debat bëhet vetëm për çështjet politike, nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, a do të formohet kjo apo ajo qeveri”, tha Grubi sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Ai tha se është i bindur se VMRO DPMNE-ja do të mbledhë forca, ka kapacitete demokratike, është evropiane dhe do ta tejkalojë veten, pasi tha se do të rreshtohet me Uashingtonin dhe Brukselin bashkë me qytetarët e vendit tonë për të votuar ndryshimet kushtetuese”..

Sipas Grubit, në dy takimet e djeshme me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit Gabriel Eskobar, si në qeveri ashtu edhe në pritjen në rezidencën amerikane në Shkup, është biseduar për integrimin e vendit në BE.

Por për zgjedhjet e parakohshme nuk u diskutua fare, thotë Grubi, por vetëm për përfundimin me sukses të ndryshimeve kushtetuese, ndryshimet teknike kushtetuese dhe vazhdimin e rrugës evropiane të vendit.

“Shpresoj që VMRO-DPMNE-ja, e cila ka përcaktimin e saj programor për t’iu bashkuar vendit tonë në Bashkimin Evropian, do të mbledhë forca, do ta votojë dhe ta largojë këtë çështje nga agjenda ditore politike dhe ta vendosë këtë çështje në interes të shtetit sepse është interes për të gjithë qytetarët”, tha Grubi.

I pyetur nëse qeveria dhe BDI kanë kontakte me dikë nga VMRO-DPMNE, Grubi ka theksuar se dje në pritjen në rezidencën amerikane kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i partisë, nënkryetari dhe dy anëtarë të tjerë.

“Jemi takuar dhe jemi përshëndetur, ka pasur edhe takime javën e kaluar me Kuvendin, po mundohemi t’i bindim, edhe pse jam thellësisht i bindur, i njoh që edhe ata e dinë se ndryshimi teknik i Kushtetutës nuk e dëmton vendin tonë të përbashkët”, tha zëvendëskryeministri i parë.

Ai shtoi se shpreson që “ashtu si kur bëhet ndryshimi i Kushtetutës për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, do të gjendet mënyra jo vetëm me një pjesë të deputetëve por me gjithë grupin e deputetëve për të ecur përpara”.

Më pas, thotë Grubi, në të njëjtën ditë mund të votohet për shpërndarjen e Kuvendit dhe të shkoni në zgjedhje të parakohshme.

“Jemi gjithashtu të gatshëm, të japim dorëheqjen të gjithë së bashku, të heqim dorë nga kryeministri i parë shqiptar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, vetëm për ta parë vendin tonë në Bashkimin Evropian”, tha Grubi.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.