Arratisje apo lojë diplomatike? Rasti “Iva Mihaillova” trazoi sërish raportet Shkup–Sofje
Arratisja e Iva Mihaillovës, e akuzuar në një proces gjyqësor në lidhje me një aksident trafiku me pasoja fatale në Koçan, ka trazuar sërish marrëdhëniet Bullgari-Maqedoni e Veriut. Nuk dihet ende dhe ndoshta kurrë nuk do të dihet me saktësi, nëse është teatër diplomatik a marrëveshje pas dyerve të mbyllura, siç pretendon opozita maqedonase apo vërtetë një arratisje ilegale siç pretendon shteti. Sidoqoftë, rasti ngjalli një “mini-krizë” pas rasteve me djegien e veturave dhe thyerjen e xhamit në ambasadën bullgare në Shkup, raporton Portalb.mk.
Iva Mihaillova u largua nga vendi së bashku me avokatin e saj në Bullgari, ndonëse në kuadër të procedurës gjyqësore, si masë parandaluese, asaj i ishin konfiskuar dokumentet personale.
Në një deklaratë për median bullgare, Mihaillova tha se, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, kishte vendosur të kthehej në Bullgari.
“E kaluam kufirin me avokatin tim. Shëndeti im u përkeqësua, ai më mori dhe u kthyem në Bullgari pa asnjë problem. Në kufi e tregova letërnjoftimin tim maqedonas. Ndihem e sigurt në Bullgari. Në Maqedoninë e Veriut isha e përndjekur për shkak të prejardhjes sime bullgare dhe kjo ishte një nga arsyet pse më akuzuan“, deklaroi Mihailova për BTV-në.
E pyetur nëse ka ndërmend të kthehet në Maqedoni për gjykimin, seanca e radhës e të cilit është caktuar për 9 nëntor, ajo u përgjigj:
“Rasti vazhdon me mua ose pa mua. Do të shohim se si do të jetë”.

Në një deklaratë për BTV-në, avokati i saj, Nikolaj Dimitrov, refuzoi të tregojë se në cilën pikë kufitare kishin kaluar, duke thënë se nuk dëshiron t’u shkaktojë probleme personave që, sipas tij, u kishin ndihmuar. Ai pranon se veprimet e tyre mund të përbëjnë shkelje të masave të shqiptuara ndaj Mihailovës, por thotë se, sipas tij, e drejta për t’u trajtuar nga ana mjekësore ishte parimi kryesor që e udhëhoqi marrjen e këtij vendimi.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë njoftoi se nuk ishte informuar paraprakisht për rastin dhe pretendonte se nuk kishte marrë pjesë në organizimin e kthimit të të resë Iva në Bullgari.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme fillimisht tha se në pikën kufitare maqedonase nuk është evidentuar dalja e Iva Mihaillovës. Më pas në një njoftim shtesë, nga MPB thanë se, nuk është regjistruar as hyrja e saj legale në territorin e Bullgarisë. Këtë informacion MPB-ja e ka marrë përmes qendrës së përbashkët të kontaktit të të dyja vendeve, pas kontrolleve të kryera nga policia kufitare bullgare.
“Ministria e Punëve të Brendshme kreu kontrolle në sistemin e kontrollit kufitar, me ç’rast u konstatua se për personin Iva Mihailova, ndaj së cilës është në fuqi një ndalesë gjyqësore aktive, nuk ka të regjistruar dalje nga territori i Maqedonisë. Gjithashtu, përmes qendrës së përbashkët të kontaktit me Republikën e Bullgarisë, u kryen kontrolle edhe nga policia kufitare bullgare, nga e cila u mor informacioni se për personin në fjalë nuk ka të regjistruar hyrje legale në territorin e Republikës së Bullgarisë“, njoftuan nga MPB-ja.
Më pas, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme u thirr ambasadori i Republikës së Bullgarisë, Zheljazko Radukov. MPJ tha se ambasadorit iu përcoll se mënyra se si Iva Mihajlova u prit në Sofje, përfshirë paralajmërimet për pritjen e saj në nivel të lartë, përbën provokim, minon përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe është në kundërshtim me angazhimet për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
“Njëkohësisht, u theksua se një sjellje e tillë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin juridik të shtetit tonë dhe dërgon një mesazh seriozisht të gabuar sa i përket respektimit të procedurave gjyqësore dhe parimit të barazisë para ligjit. Përkatësia kombëtare ose posedimi i një shtetësie tjetër nuk duhet të shërbejnë si bazë për mbrojtje nga përgjegjësia para institucioneve kompetente”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut paralajmëroi se do t’i informojë Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për rastin, duke shprehur shqetësim për veprimet e institucioneve bullgare.
Ndërkohë, eurodeputeti bullgar nga GERB-i, Andrej Kovaçev, vlerësoi se Shkupi nuk ka arsye të ankohet te institucionet evropiane për rastin. Ai tha se e ka informuar personalisht presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për çështjen dhe pretendoi se Bullgaria nuk ka bërë asgjë të papërshtatshme. Kovaçev e cilësoi rastin si çështje humanitare, duke theksuar se gjendja shëndetësore e Mihaillovës kërkon kujdes të menjëhershëm mjekësor.
“Tani për tani, në takimin e PPE-së që po fillon në Itali, e kam informuar Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për situatën dhe besoj se Shkupi nuk ka arsye të ankohet për Bullgarinë. Çfarë saktësisht ka bërë Bullgaria që është problematike? Absolutisht asgjë”, thotë Kovaçev.
LSDM-ja opozitare nga ana tjetër kërkoi dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe hetim për të gjithë personat që mund të jenë përfshirë në kalimin e kufirit nga Mihaillova. Nga partia ngritën pikëpyetjen se si ajo e kaloi kufirin, kur MPB-ja e Maqedonisë së Veriut nuk ka evidencë për dalje të saj nga vendi, ndërsa policia kufitare bullgare nuk ka regjistruar hyrjen e saj. LSDM-ja kërkuan që të përcaktohet përgjegjësia e të gjithë personave që mund të kenë ndihmuar në këtë rast.
“Ajo vetë thotë se e ka kaluar kufirin ligjërisht, me kartë identiteti, dhe se zyrtarët kufitarë e dinin. Ministria e Brendshme thotë se nuk ka dalje të regjistruar. Qytetarët nuk janë naivë – ata shohin dhe dinë gjithçka. Për këtë është rënë dakord”, tha Keti Shterjova në konferencën e sotme për shtyp.
LSDM, gjithashtu pretendon se largimi i Mihaillovës nga vendi është rezultat i marrëveshjeve të fshehta mes pushtetit dhe palës bullgare. Sipas opozitës, ministri i Jashtëm Timço Mucunski ka negociuar, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski e ka lejuar kalimin e kufirit, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski ka dhënë miratimin. LSDM kërkoi përgjegjësi për të gjithë të përfshirët, duke akuzuar pushtetin se po e përdor drejtësinë për fushatë politike.

“Pas shpinës së popullit, ata bënë marrëveshje me Bullgarinë dhe e lanë Iva Mihaillovën të kalonte kufirin. Mucunski negocioi, Toshkovski e la të lirë dhe Mickoski tundi kokën. Në vend të përgjegjësisë nga Toshkovski, populli tani po shikon teatër. Ambasadori bullgar po thirret, po lëshohet urdhër arresti, po kërkohet paraburgim, përgjegjësia po i kalohet dikujt tjetër, po zhvillohet një fushatë mediatike, Filipçe, Zaev, LSDM po fajësohen”, reagon LSDM.
VMRO-DPMNE kërkoi hetim për raportin mjekësor të Iva Mihaillovës, duke ngritur dyshime për përfshirjen e liderit aktual dhe ish-liderit të LSDM-së, Venko Filipçe dhe Zoran Zaev, në përgatitjen e dokumentit që rekomandon trajtimin e saj jashtë vendit.
Sipas VMRO-DPMNE-së, raportin mjekësor e ka përgatitur neurologu Ivan Barbov, i cili në vitin 2017, gjatë qeverisjes së LSDM-së, ishte emëruar drejtor i Klinikës së Neurologjisë. Në raport thuhet se metodat e nevojshme për trajtimin e Mihaillovës nuk zbatohen në Maqedoninë e Veriut, prandaj rekomandohet trajtimi në Bullgari ose Turqi. Partia pyet nëse Filipçe dhe Zaev kanë ndërhyrë te mjeku dhe kërkon që institucionet kompetente ta hetojnë rastin.
“Doktor Barbov nuk është i panjohur për publikun maqedonas. Ai është person i dënuar ligjërisht në çështjen penale ‘Metastaza’, ku është një nga të pandehurit që u ndoq penalisht për ndërmjetësim në dhënien e pensioneve të invaliditetit. Sipas informacionit të publikuar në atë kohë, Barbov dhe të tjerët kanë ngarkuar nga 1.500 deri në 4.000 euro për aplikant, me qëllim dhënien e pensioneve të invaliditetit në mënyrë të paligjshme, ku në dy vitet që vepronte grupi, ata fituan 165.000 euro, por dëmtuan edhe Fondin e Shëndetësisë për 53.000 euro”, tha VMRO-DPMNE.
Edhe platforma “Biseda për të ardhmen 12:05” reagoi ndaj rastit, duke deklaruar se nuk ka argument më të fortë se një tjetër arratisje skandaloze përtej kufirit, si ajo e fundit e Iva Mihaillovës, që për të ardhmen e Maqedonisë, siç deklarojnë ata, ora është 12:05.
Në reagimin, të titulluar “Udhëheqja politike e institucioneve shtetërore ka nevojë për terapi shoku”, platforma i dërgoi disa mesazhe dhe kërkesa Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
Ata thanë se pushteti ekzekutiv është i detyruar t’i përgjigjet menjëherë pyetjes nëse arratisja e Iva Mihaillovës u arrit në takimin midis ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Bullgarisë, Timço Mucunski dhe Velislava Petrova-Çamova, në Sofje, dhe nëse kjo duhet të shërbejë si shkas fillestar për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku qeveria teknike përgjegjëse për organizimin e tyre do të hyjë në një proces ndryshimesh kushtetuese.
“Nëse qeveria mohon sa më sipër, atëherë ajo duhet të pranojë menjëherë dhe të deklarojë paaftësi të plotë institucionale dhe të kërkojë ndihmë nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë, përderisa ende nuk e kemi rrezikuar regjimin pa viza me BE-në dhe nuk e kemi ndezur alarmin e aleancës së NATO-s për shkak të menaxhimit të papërgjegjshëm të kufijve shtetërorë”, thuhet në një deklaratë të platformës.
Për rastin për herë të parë foli dje edhe kryeministri Hristijan Mickoski. Ai tha se edhe Iva Mihaillova, e cila duhet ta dëshmojë pafajësinë e saj, edhe babai i saj, i cili duhet të përgjigjet para autoriteteve maqedonase, herët a vonë do të japin llogari.
“Më vjen keq nëse dikush mendon se në këtë mënyrë ka siguruar një lloj mbrojtjeje, duke u përpjekur t’i dëmtojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes dy shteteve. Më vjen keq që udhëheqja politike në Bullgari po përpiqet në këtë mënyrë të tregojë muskujt politikë, pa e kuptuar dëmin që po i shkakton vetes në planin ndërkombëtar. Por ky është vendimi i tyre. Ata kanë zgjedhur një politikë të tillë”, deklaroi Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Ai shprehu keqardhje që, në vend që ta dorëzojë babanë e Mihaillovës në Maqedoni për ta vuajtur dënimin për të cilin është dënuar me vendim të formës së prerë, Bullgaria po e shndërron atë në një yll të estradës. Ai tha se i vjen keq edhe për mënyrën se si e reja Iva po prezantohet në Bullgari, ndonëse pjesën më të madhe të jetës dhe të arsimimit e ka kaluar në Maqedoni.
Lidhur me largimin e saj në Bullgari, Mickoski i hodhi poshtë si të pavërteta pretendimet se ajo dhe avokati i saj e kanë kaluar kufirin përmes një pike të rregullt kufitare. Ai tha se Mihaillova është dërguar në Bullgari në mënyrë të paligjshme, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme po heton mënyrën e saktë se si ka ndodhur kjo.
Duke iu referuar akuzave të opozitës se pushteti ka marrë vesh me Bullgarinë për largimin e Iva Mihaillovës nga Maqedonia, kryeministri deklaroi:
“Fakti që opozita dhe udhëheqja e fqinjit tonë lindor kanë qëndrim të njëjtë flet shumë për atë se cila ka qenë dhe çfarë ka qenë synimi. Synimi nuk është as Iva dhe as ndonjë gjë tjetër. Synimi është krijimi i një teme politike për të cilën ata kanë supozuar se do të ndikojë në rejtingun e koalicionit qeverisës, përkatësisht të VMRO-DPMNE-së, dhe në këtë mënyrë t’i sigurojnë një përfitim të caktuar opozitës, e cila ka qëndrim fjalë për fjalë identik me udhëheqjen e Bullgarisë”.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) më 13 tetor lëshoi fletarrest qendror dhe ndërkombëtar për Mihaillovën, pasi Gjykata Themelore në Koçan paraprakisht i caktoi asaj 30 ditë paraburgim.

Nga ana tjetër, autoritetet bullgare nuk kanë ndërmarrë masa për të përcaktuar se ku ndodhet Iva Mihaillova në territorin e vendit. Këtë e bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë, në lidhje me, siç thanë, pyetjet e shumta të mediave.
“Më 13 tetor, në orën 19:38, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Operativ (DMOS) mori mesazh nga Interpoli – Shkup, me kërkesë për kërkim ndërkombëtar, arrestim dhe ekstradim të Ivа Mihaillovës, e cila është shtetase e Bullgarisë dhe e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhej në njoftimin të ministrisë bullgare.
Nga ministria shtuan se në mesazh thuhej se ajo ndiqet penalisht për shkelje të rregullave të komunikacionit rrugor, vepër penale e paraparë në nenin 300 të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut.
“Në të njëjtën datë, më 13 tetor 2026, Gjykata në Koçan lëshoi fletarrest për të. Megjithatë, aktualisht nuk është lëshuar fletarrest i kuq i Interpolit për Mihaillovën”, thuhet më tej në njoftim.
Autoritetet bullgare gjithashtu bënë të ditur se nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të përcaktuar se ku ndodhet Mihaillova në Bullgari.
Ministria e Punëve të Brendshme rikujton dispozitat kushtetuese që rregullojnë ekstradimin e shtetasve bullgarë në një vend tjetër për ndjekje penale.
“Sipas nenit 25, paragrafit 4 të Kushtetutës së Bullgarisë, një shtetas bullgar mund të ekstradohet në një vend tjetër ose në një gjykatë ndërkombëtare për qëllime të ndjekjes penale vetëm nëse kjo parashihet në një marrëveshje ndërkombëtare që është ratifikuar, publikuar dhe ka hyrë në fuqi për vendin”, shtojnë nga ministria.
Autoritetet i referohen gjithashtu nenit 6, paragrafit 1a të Konventës Evropiane për Ekstradimin, sipas të cilit secila palë kontraktuese ka të drejtë të refuzojë ekstradimin e shtetasve të saj.
- LEXO:Bullgaria nuk e kërkon Iva Mihaillovën dhe nuk do ta ekstradojë në Maqedoni
- LEXO: Rasti Iva Mihaillova përplasi VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në për raportin mjekësor dhe largimin nga vendi
- LEXO: U shpall urdhërarrest ndërkombëtar për Iva Mihaillovën
- LEXO: RMV thirri ambasadorin bullgar për rastin e Iva Mihaillovës: Pritja e saj në Sofje ishte provokim
- LEXO: Reagime dhe kërkim përgjegjësie për rastin e Iva Mihaillovës, eurodeputeti bullgar: Shkupi nuk ka arsye të ankohet në BE
- LEXO: Iva Mihailova ka qenë në listën e ndalimit të MPB-së, nuk është regjistruar largimi i saj nga Maqedonia
Kujtojmë se edhe incidenti me djegien e automjeteve para Ambasadës Bullgare në Shkup në qershor shkaktoi reagime të forta në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari. Policia reagoi menjëherë dhe arrestoi një 44-vjeçar nga Shkupi, i cili dyshohet për incidentin.
Paraprakisht tensione pati edhe gjatë një incidenti tjetër po ashtu në Ambasadën e Bullgarisë në Shkup, pasi më 11 janar 2026 ndodhi edhe një sulm tjetër kur një person i panjohur theu xhamin e derës hyrëse të ambasadës dhe u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas autoritetet e identifikuan dhe e arrestuan të dyshuarin, duke e trajtuar rastin si vandalizëm ndaj misionit diplomatik.