Fjolla Ramadani: Muzika klasike shqiptare ka potencial, por i duhet më shumë hapsirë në skenat botërore
Flautistja Fjolla Ramadani është ndër artistet shqiptare që po ndërtojnë karrierën e tyre në fushën e muzikës klasike, me interpretime në skena vendore dhe ndërkombëtare. Gjatë rrugëtimit të saj artistik, ajo ka interpretuar në Presidencën e Turqisë, në Orkestrën Simfonike Presidenciale të Ankarasë dhe në qendra kulturore në disa vende evropiane, ndërsa është vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare. Në një bisedë për Portalb.mk, Ramadani foli për përvojën e saj profesionale, pozitën e grave shqiptare në muzikën klasike, vështirësitë me të cilat përballen artistët e rinj dhe nevojën për mbështetje më të madhe institucionale. Ajo thekson gjithashtu rëndësinë e promovimit të krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë në skenat ndërkombëtare, ndërsa zbulon planet për recitalin e ardhshëm që do të mbahet në nëntor, në Shkup.
Portalb.mk: Çfarë të tërhoqi te flauti dhe çfarë e dallon tingullin e tij nga instrumentet e tjera?
Fjolla Ramadani: Ajo që më tërhoqi te flauti ishte tingulli i tij i veçantë, i ëmbël dhe i butë, që më kujton shumë natyrën. Mendoj se ajo që e dallon flautin nga instrumentet e tjera është pikërisht kjo ngjashmëri me tingujt e natyrës, siç janë kënga e zogjve dhe fëshfërima e erës. Gjithashtu, flauti është një instrument që të jep mundësi të jashtëzakonshme për të eksperimentuar me ngjyrat e tingullit.
Portalb.mk: Me cilat lloje të flautit interpreton dhe çfarë veçorish kanë ato?
Interpretoj kryesisht me flautin koncertal (flautin klasik), i cili është instrumenti standard në muzikën klasike dhe ka një gamë të gjerë tingujsh, nga notat e ulëta deri te notat e larta, të ndritshme dhe brilante. Gjithashtu, flauti piccolo, i cili është më i vogël dhe tingëllon një oktavë më lart se flauti koncertal, dallohet për tingullin e tij të mprehtë dhe depërtues.
Portalb.mk: Sa të pranishme janë gratë shqiptare në muzikën klasike, veçanërisht në profesionin e flautistes? Çfarë pengesash ke hasur gjatë rrugëtimit tënd dhe çfarë duhet të ndryshojë që vajzat e reja ta kenë më të lehtë ta ndjekin këtë rrugë?
Fjolla Ramadani: Gratë shqiptare janë gjithnjë e më të pranishme në muzikën klasike, por mendoj se ende ka shumë hapsirë për më shumë përfaqësim, veçanërisht në instrumentet frymore dhe në pozitat e rëndësishme në orkestrat profesionale. Gjatë rrugëtimit tim, pengesat më të mëdha i kam hasur nga disa profesorë që nuk kanë qenë mjaftueshëm profesionistë. Vajzat e reja për ta pasur më të lehtë këtë rrugëtim mendoj se profesorët e instrumenteve duhet t’i përkrahin nxënëset, t’i motivojnë dhe jo ti shohin si konkurencë. Gjithashtu vajzat e reja duhet me shumë kujdes ta zgjedhin profesorin apo profesoreshën e instrumentit.

Portalb.mk: Pas përgatitjes artistike vjen sfida për të dalë në skenë. Sa i mbështesin institucionet kulturore në Maqedoninë e Veriut artistët e rinj për koncerte, specializime dhe konkurse ndërkombëtare? Ku ndihet më shumë mungesa e përkrahjes?
Fjolla Ramadani: Unë personalisht kam pasur përkrahje nga Ministria e Kulturës por gjithashtu duhet edhe institucionet tjera të na përkrahin që të afirmohemi më shumë ndërkombëtarisht ku nuk ka qendra kulturore të shtetit tonë.
Portalb.mk: Në cilat skena ke interpretuar deri tani dhe cili koncert ka lënë gjurmën më të fortë te ti? Ke fituar edhe çmime ndërkombëtare. Si kanë ndikuar ato në karrierën tënde dhe çfarë dyersh të kanë hapur?
Fjolla Ramadani: Kam interpretuar në skena të mëdha siç është Presidenca e Turqisë, Orkestra Simfonike Presidenciale e Ankarasë, Qendrat Kulturore të shtetit tonë në disa vende të Europës. Koncerti që ka lënë më shumë gjurmë te unë është koncerti në Presidencën e Turqisë. Çimet ndërkombëtare më kanë motivuar që rrugëtimin tim ta vazhdoj me më shumë vetëbesim që të arrij në majat e këtij profesioni.
Portalb.mk: Cilat vepra dhe cilët kompozitorë i ndien më afër vetes? Kur ndërton repertorin, çfarë kërkon te një vepër dhe sa hapësirë u kushton krijimeve të autorëve shqiptarë?
Fjolla Ramadani: Më së shumti i ndiej afër vetes veprat e kompozuara në formën e sonatës, sepse më japin mundësi të eksploroj jo vetëm anën teknike të flautit, por edhe thellësinë emocionale dhe artistike të muzikës. Veçanërisht më tërheqin kompozitorët e periudhës së romantizmit dhe neoklasicizmit, siç janë F. Schubert dhe S. Prokofiev. Pasi në veprat e tyre gjej një ndërthurje të bukur mes shprehjes emocionale, pasurisë melodike dhe qartësisë strukturore.
Kur ndertoj repertorin tim, është e rëndësishme që një vepër të mos jetë vetëm një sfidë teknike, por edhe një rrëfim muzikor përmes të cilit mund t’i përcjell publikut emocionet dhe interpretimin tim personal.
Sa u përket krijimeve të kompozitoreve shqiptarë, mendoj se ato meritojnë më shumë hapësirë në repertorin koncertal. Përveç interpretimit dhe promovimit të veprave që tashmë ekzistojnë, do të doja që kompozitorët shqiptarë të krijonin më shumë vepra të reja për flaut, si vepra solistike, sonata dhe koncerte për flaut e orkestër.
Portalb.mk: Çfarë po përgatit për paraqitjet e ardhshme? A ka një vepër që dëshiron ta interpretosh, një artist me të cilin do të doje të bashkëpunoje apo një skenë ku ëndërron të ngjitesh?
Fjolla Ramadani: Aktualisht jam duke u përgatitur për recitalin tim të ardhshëm, i cili do të mbahet në muajin nëntor në Shkup. Ëndrra ime është të interpretoj një koncert për flaut dhe orkestër nga një kompozitor shqiptar në Filarmoninë e Berlinit, një skenë ku kam dëshiruar gjithmonë të ngjitem dhe të performoj me atë orkestër prestigjioze. Do të ishte një emocion dhe nder i veçantë që, përveç realizimit të një ëndrre personale, të prezantoja edhe krijimtarinë muzikore shqiptare në një nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare.
