FEMRA TË DËNUARA

Ato, si ajo grigja që shtrirë mbi rërë rri menduar,
U hedhin horizonteve të deteve shikime të dridhura,
Këmbët duke dashur t’i prekin, duart duke i afruar
Mes ligështimeve të ëmbla e rrëqethjeve të hidhura.

Ca prej tyre që kanë pritur aq gjatë një miqësi,
Belbëzojnë thellë gjethnajave ku përrenjtë gurgullojnë,
Rrokje për rrokje, dashurinë e të druajturës fëmijëri,
E gjethëza të reja pyjeve të gjelbër nisin e u bulojnë.

Ca të tjera, si murgesha ecin rrugës, gati duke u zvarritur,
Mes për mes shkëmbinjve mbushur plot vegime
Aty ku San Antonio pa si një llave të zjarrte vërvitur,
Gjokset lakuriq e të purpurt të te tijave tundime.

Ka edhe nga ato, që nëpër refleksin e rrëshirës rrëshqitëse,
Brenda boshllëkut të heshtur të pasqyrave pagane,
Te thërrasin për t’i ndihmuar në ethet e tyre flakëritëse
Ty o Baccho qe fashit sëmbimet me antike mjerane!

Ka edhe të tjera që gjoksi i beqareve u sjell aq kënaqësi,
Që duke fshehur një kamxhik në palat e fundeve të gjatë
Përziejnë në një cep pylli të zymte a netëve plot vetmi,
Shkumën e bute të qejfit me lotët e dhimbjes së pamatë.

O virgjëresha, o djallusha, o mostra, o martirake
O shpirtra të mëdhenj që realiteti u jep përçmim të zi,
Kërkoni të pafundmen, herë të devotshme herë dejonizuake,
Herë në ulërima tharë, herë në dënesa të zëna pusi!

Ju që në ferrin tuaj shpirtin ma keni shpënë e keni shqyer,
Ju dua e mëshiroj, o motërzat e mia të shkreta në këtë botë,
Për atë ngrysje të vuajtjes, për atë etje kurrë shpërblyer
Për ata lumenj dashurie që zemrat e mëdha ua mbushin plot.

 

Poezi nga poeti francez Charles Baudelaire (Sharle Bodler)