Struganët kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi pas bllokadës amerikane të DASH ndaj Merkos

Pak ditë më parë emri i kreut të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion masiv u shtua në listën e zezë amerikane. Sipas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) ka informacione të besueshme se Ramiz Merko ka shpërdorur fondet publike dhe ka ndërhyrë në proceset gjyqësore, duke dëmtuar besimin e publikut në institucionet dhe zyrtarët demokratikë të Maqedonisë së Veriut. Deklaratat e DASH nxitën debat të madh në opinion publik në mbarë vendin por me veçanti në Strugë. Për disa qytetarë të Strugës pretendimet e ngritura nga DASH nuk janë befasi, shkruan Portalb.mk.

Aktivisti dhe avokati nga Struga, Gligor Qatoski, shprehet se institucionet vendore duhet ta trajtojnë me seriozitet dhe profesionalizëm adresimin e DASH.

“Në rastin konkret me kryetarin e Komunës së Strugës, jemi dëshmitarë të një mënyre të re të adresimit të DASH. Përkatësisht, DASH për herë të parë në fjalimin e tij nuk aludon për dyshime për korrupsion por për dëshmi të forta të korrupsionit të kryera nga kryetari i Komunës së Strugës. Prokurorisë i takon të ndërmarrë hapat e duhur për kryerjen e një hetimi të plotë, si dhe të sigurojë praninë e të akuzuarit në përputhje me Ligjin për Procedurën Penale, gjë që do të parandalonte rrezikun e arratisjes së të dyshuarit, si dhe rrezikun e duke ndikuar mbi dëshmitarët dhe hetimin e prokurorisë. Besoj se në këtë rast konkret duhet të respektohet e drejta e prezumimit të pafajësisë së kryetarit të dyshuar derisa të vërtetohet jashtë dyshimit të arsyeshëm nga autoritetet tona hetimore se ai ka kryer krimet për të cilat akuzohet. Besoj se ky është një hap pozitiv në luftën kundër korrupsionit “të lartë”, pra korrupsionit të kryer nga figura të larta politike dhe kjo lloj ngjarjeje do të ketë një efekt parandalues ​​për politikanët tanë në të ardhmen nëse ata gjenden në një situatë për të pranuar përfshihen në skandale korruptive”, deklaroi Gligor Qatoski.

Për avokatin Besnik Asani mes tjerash, për rastin në fjalë, duhet të ketë përgjegjësi individuale dhe koletive. Asani u shpreh për Portalb.mk se nuk mjafton ngrirja e rolit të Merkos vetëm brenda partisë, por është e nevojë sociale dhe morale që ai sa më shpejt të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Strugës.  

“Pikë së pari gjërat duhet të shihen në thelb, Departamenti Amerikan i Shtetit është institucion serioz. Në 14 vite udhëheqje me komunën, kryetari i Strugës tani i shpallur si person “non grata”, mendoj që Departamenti ka fakte të argumentuara të cilat në vete përmbajnë elemente kriminale. Një shpallje e tillë, të akuzosh një person për krim është diçka e rëndë. Maqedonia e Veriut shpesh është kritikuar për parregullsitë në sistemin gjyqësor, pikërisht nga ndërkombëtarët, mirëpo ata ruajnë parimin e sovranitetit dhe nuk duan që ato të ndikojnë në zbatueshmërinë dhe sjelljen e ligjeve, por vetëm mund të rekomandojnë për përmasimin e probleme të ndryshme. Sistemi gjyqësor, si pushtet në vete, instanca më e lartë e vendit është bërë strehë dhe mbrojte e politikave e funksionarëve të ekzekutivit. Së fundi Departamenti për ta bërë të besueshme akuzën në opinion, ndikoi në Këshillin gjyqësor dhe prokurorisë nga aty dolën kallëzimet penale, lëndët që flenë në sirtarët e organeve të hetuesisë kudër personit në fjalë. Unë si avokat mendoj se duhet të ketë përgjegjësi individuale dhe kolektive, ajo subjektive kryetari Merko duhet të jap dorëheqje morale, kurse organet e hetuesisë, gjykatat të marrin masa dhe hapa profesionale”, deklaroi Besnik Asani.  

Një student i kontaktuar nga Portalb.mk, thotë se është dëshpëruese fakti që Merko, pasi është shpallur “non grata” nuk jep dorëheqje.

“I pari i qytetit te Strugës sot edhe zyrtarisht është shpallur non grata nga SH.B.A për keqpërdorim të detyrës, abuzim me fondet publike dhe i përfshirë në afera të shumta korruptive. Kjo dëshmon se Struga tashmë është kthyer në një vatër despotike dhe larg vlerave evropiane, nga kjo më të prekur janë kryesisht të rinjtë të cilët ndihen të hendikepuar duke parë faktin se ai nuk pranon dorëheqjen dhe dëshiron të vazhdojë rrugëtimin korruptiv të tij. Nuk mund të ndërtosh vlera demokratike përderisa prijësi yt është antidemokratik dhe monist”, deklaroi një student strugan.

Objekti i Komunës së Strugës/ Fotografi nga SH.A/ portalb.mk
Objekti i Komunës së Strugës/ Fotografi nga SH.A/Portalb.mk

Në mesin e qytetarëve mendimet rreth ngjarjeve të fundit janë të ndryshme, ndonëse dominon bindja se SHBA vetëm sa e vulosi udhëheqësinë e korruptuar të kryetarit të tyre por shprehen pesimist se ky rast do të ketë epilog nga institucionet në Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër ka dhe njerëz që e mbështesin dhe që besojnë në pafajësinë e kryetarit të tyre dhe ka nga ata që ndonëse janë të vetëdijshëm për parregullsitë e udhëheqësisë së Merkos përsëri pretendimet e DASH i vlerësojnë si të padrejta.

Më në fund një lëvizje që sadopak mund të kthejë një fije optimizmi tek qytetarët se drejtësia do të reagojë ndaj këtij sistemi që ka zhgënjyer këtë popull aq shumë duke i humbur çdo shpresë. Populli duhet të besojë deri në fund, të besojë se edhe pse drejtësia në Maqedoni duket e kapur dhe me besueshmëri të ulët, përsëri ka shpresë. Tani është shumë e thjeshtë nëse kanë ngelur sadopak parime, ndërgjegje dhe moral në Maqedoni, atëherë duhet të reagojnë partitë, shteti dhe populli, duke mundësuar një hetim për të sqaruar dhe për ti zbardhur këto akuza kaq të rënda që vijnë nga Departamenti i shtetit”, deklaroi në qytetar strugan.

“E vërteta se është se për struganët nuk është diçka e re të dëgjojmë se kryetari i Komunës tonë ka keqpërdorur paratë publike apo edhe që ai, edhe pse nuk i takonte, personalisht vendoste për shumë çështje qoftë në gjyqësor qoftë në arsim, po edhe tjera institucione. Zhvillimet e fundit sa na japin shpresë për ndryshim aq edhe  na brengosin se drejtësia në vendin tonë nuk do ia dal të triumfojë as kësaj radhe”, u shpreh një strugane.

“Ramiz Merko duhej me kohë të kishte hyrë në listë të zezë. I ka bërë dëm të madh qytetit gjithë këto vite, ne e dimë që vjedhin gjithë po të vjedhin pak me karar. Ai mburret se nuk ka qytet që është ndërtuar më shumë se Struga këto 20 vitet të fundit, por për fat të keq kryetari jonë  sukses e quan dhënien e lejeve për ndërtime private, për të fuqizuar persona privat se në interes publik nuk është bërë asgjë. Edhe ato pak investime që janë bërë janë bërë me cilësi shumë të dobët. Për këtë realitetit nuk ka nevojë për shumë komente, mjafton të ecësh vetëm nëpër qendër për ta parë gjendjen e mjerueshme të Strugës tonë”, u shpreh një strugan i moshuar

Akuza pa epilog, rrugëtimi i Ramiz Merkos në politikën e Maqedonisë së Veriut

Dr. Ramiz Merko, siç citohet në biografinë e tij në faqen zyrtare të Komunës, ushtron mandatin e tij të katërt në krye të Komunës së Strugës, pra për 14 vjet me radhë pushtet si kuadër i BDI-së. Emri i Ramiz Merkos në skenën politike u bë i njohur në vitin 2005 kur fitoi mandatin e tij të parë si kryetar i Strugës, i cili deri atëherë kishte punuar në sektorin privat dhe atë shtetëror. Deri vitin 2003 ka qenë referent në Agjencinë e Bujqësisë ndërkohë që ishte dhe është Drejtor i biznesit familjar (farmaci bujqësore private), momentalisht Merko nuk ka asnjë biznes në emër të tij. Nga viti 2003 deri në vitin 2005 emërohet dhe punon si Udhëheqës i Fondit Shëndetësor në Njësinë rajonale Strugë.  Në vitin 2009 Merko fitoi një mandat të dytë në krye të Strugës. Karriera politike e Merkos mori tjetër kahje në vitin 2013 kur humbi zgjedhjet lokale për një tjetër mandat në krye të Strugës. Në vitin 2013 i përfundoi studimet e doktoraturës në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, duke e marrë gradën Doktor i shkencave dhe për një vit  Merko ishte ligjërues universitar në po të njëjtin Universitet.

Biografia e tij përfshin dhe funksione të tjera publike, sa nuk ishte kryetar komune, Ramiz Merko u bë deputet. Nga radhët e BDI-së ka qenë pjesë e shumicës parlamentare me VMRO-DPMNE-në nga viti 2014 deri në vitin 2016. Pas ndryshimit të atëhershëm të qeverisë dhe ardhjes së LSDM-së, ai hyri në kabinetin qeveritar të Zoran Zaev si ministër pa portofol. Merko u rikthye përsëri në krye të Komunës së Strugës në vitin 2017 si fitues i zgjedhjeve lokale. Mandatin e tij të katërt Merko e fitoi në zgjedhjet e fundit lokale në RMV, në vitin 2021.

Gjatë gjithë udhëheqësisë Merko njihet për “zemërgjerësinë” e tij për dhënien e lejeve për ndërtim dhe koncesionet e plazheve në Strugë. Para përfundimit të mandatit të tij të dytë si kryetar komune, në vitin 2013, ai u akuzua nga Prokuroria për lejimin e ndërtimit të një objekti pa leje pranë bregut të liqenit të Ohrit. Rasti kishte të bëjë me dhënien e lejes për ndërtimin e një fushe sportive dhe rekreacioni e që përfundoi në restorant dasmash. Akuzat u tërhoqën në rrethana misterioze në vitin 2016 me vlerësimin e së njëjtës prokurori se ato kishin qenë të pabaza.

Në vitin 2019 u hap procedurë para hetimore për shpërdorim detyre ndaj Merkos nga Prokuroria për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, me kërkesë të Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit. Përderisa një komunë e vogël si Struga kishte 4 milion euro borxh Merko prokurori furnizimin e komunës me katër automjete në vlerë prej 114.000 eurove, prej të cilave, njëra për vetë Merkon, në vlerë prej 67.000 eurove, por hetimi kundër tij është mbyllur në vitin 2021.

Gjatë këtyre viteve Merko njihet për deklaratat kontroverze dhe për këmbënguljen e vazhdueshme se në Strugë nuk ka ndërtime pa leje rreth bregut të liqenit edhe përkundër kritikave dhe thirrjeve të UNSCO-s që të ruhet trashëgimia botërore natyrore dhe kulturore në rajonin e Liqenit të Ohrit. Megjithatë, realiteti në Strugë tregon se qyteti vuan nga një katastrofë urbanistike dhe infrastrukturore në çdo anë.

Ramiz Merko ka qenë në shënjestër të kritikave për shpërdorim të fondeve, në shumë raporte të Entit të Revizionit të Maqedonisë së Veriut, por organet e ndjekjes asnjëherë nuk kanë iniciuar hetime. Vetëm gjatë vitit 2022, ai dyshohet se ka ndarë nga buxheti i komunës 80.000 euro për dhurata, dreka e darka. 48 mijë euro nga totali i përgjithshëm i ka harxhuar ekskluzivisht Merko. Për katër vite Merko ka shpenzuar gati 140 mijë euro për reprezentim, më së shumti ka shpenzuar në vitin 2019 apo gati 100% nga shuma e parashikuar. Të gjitha këto shuma marramendëse janë bërë përderisa Komuna e ka llogarinë e bllokuar për shkak të borxheve të mëdha.

Kryetari i Komunës së Strugës dhe një bashkëpunëtor i tij i afërt dyshohen edhe për keqpërdorime në një Universitet privat në Strugë, në dhënien e shumë diplomave të fakultetit dhe të titujve tjerë, kryesisht personaliteteve të ndryshme publike brenda dhe jashtë Maqedonisë së Veriut. Djali i tij, Genc Merko është bashkëpronar i “Euro College Struga”, që është në zotërim të Universitetin Ndërkombëtar në po këtë qytet. Inspektorët e arsimit para disa vitesh pohuan se institucioni punonte si “lavanderi diplomash” pasi studentët studionin pa dokumente të vërtetuara dhe se kishte edhe pedagogë që jepnin mësim pa diplomë, mes tyre edhe vetë kryetari i komunës, por hetime nga organet e ndjekjes nuk ka pasur. Edhe përkundër faktit se në opinion qarkullojnë dyshime të shumta për afera korruptive ndaj Merkos dhe njerëzve të tij, dosja e proceseve gjyqësore ndaj Merkos dhe atyre që e rrethojnë vazhdimisht mbetet e zbrazët.

Universiteti Ndërkombëtar i Strugës - Burimi i fotografisë: iust.edu.mk
Universiteti Ndërkombëtar i Strugës – Burimi i fotografisë: iust.edu.mk

Se nuk kanë vepruar institucionet tregon dhe informata të cilën e dha Prokuroria menjëherë pas shpalljes “non grata” se kundër Merkos ka të hapura gjashtë lëndë aktive. Prokuroria theksoi se po i marrin seriozisht njohuritë e DASH-it për ndikim potencial ndaj procedurave.

“Prokuroria urgjentisht për [do lëndë do ta shqyrtojë ligjshmërinë dhe përditshmërinë në veprimin dhe eventualisht kryerjen e ndikimit në këto lëndë. Për të gjithë prokurorët për të cilët do të konstatohet se kanë vepruar në mënyrë jo të përditësuar, joprofesionale dhe kanë qenë të ndikuar do të ngritët procedurë për përgjegjësi, ndërkaq opinioni do të informohet”, thanë nga Prokuroria.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

Merko është njeriu i dytë në BDI që futet në listën e zezë të SHBA-ve pasi në të nga viti 2001 ndodhet ishte deputeti Xhevat Ademi.  11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, edhe Menduh Thaçin dhe Lube Boshkoskin.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.

Ndërkombëtarët vazhdimisht i kanë tërhequr vëmendjen Maqedonisë së Veriut që të fokusohet më seriozisht në trajtimin e aferave korruptive në vend. Pak kohë më parë ambasadori holandez në vendin tonë, Dirk Jan Kop tha se “Qeveria nuk ka progres në luftën kundër korrupsionit, por gjërat po përkeqësohen”. Ndërkohë që opinion njihen reagimet e zëshme të ambasadores amerikane, Angjela Agelerpër rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit. Vlerësim jo të mirë mbi përpjekjet për ta parandaluar luftën ndaj korrupsioni vendi mori edhe në Raportin e Progres që publikohet çdo vit nga Komisioni Evropian.

“Vendi ka arritur një nivel përgatitjeje / është mesatarisht i përgatitur në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Është arritur njëfarë progresi pasi vendi vazhdoi të konsolidojë performancën e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e disa rasteve të korrupsionit, duke përfshirë në një nivel të lartë”, theksohet mes tjerash në Raportin e Progresit për Maqedoninë e Veriut.