Maksim Dimitrievski pret të marrë edhe një zëvendësministër në Qeveri
Lëvizja ZNAM pret të marrë edhe një zëvendësministër në Qeveri, por nuk zbulon se në cilin dikaster. Siç deklaroi sot kryetari i partisë, Maksim Dimitrievski, kjo çështje duhet të përcaktohet gjatë muajit të ardhshëm. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para fillimit të ngjarjes me rastin e raportimit të funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar të ZNAM-it, Dimitrievski tha se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi në koalicionin qeveritar janë në nivel të shkëlqyer, transmeton Portalb.mk.
“Për partinë tonë politike, asnjëherë nuk ka qenë prioritet se çfarë do të marrim si pjesë përbërëse e pushtetit, por duam të marrim përgjegjësi. Siç kemi informuar edhe më parë, hymë në këtë Qeveri dhe fjalë për fjalë ofruam ‘kartë të bardhë’, që të mos shohim përsëritje të së kaluarës – sesi partitë monoetnike, me gurë të vegjël, i copëtojnë subjektet e mëdha politike që marrin mbështetje masive nga qytetarët. Në këtë rast e parandaluam këtë, që të mos shohim përsëritje. Sa i përket ndarjes së dikastereve dhe vendeve, nisemi ekskluzivisht nga aspekti i marrjes së përgjegjësisë. Presim edhe një vend shtesë të zëvendësministrit, në një dikaster tjetër që duhet të përcaktohet gjatë muajit të ardhshëm dhe besoj se, ashtu si në dikasteret dhe institucionet e tjera ku kemi marrë përgjegjësi, do të japim kontributin tonë edhe në atë dikaster. Po bisedojmë për disa dikastere, nuk do të doja të spekuloja për momentin. Natyrisht, mandatarit i takon të japë përgjigje për këtë çështje dhe besoj se deri në fund të muajit do të keni një prononcim nga ana e tij lidhur me këtë temë“, tha Dimitrievski.
Sipas tij, ZNAM është subjekti i parë dhe i vetëm politik në vend që pas dy vitesh pjesëmarrjeje dhe partneriteti në pushtet del me raportim para qytetarëve për të gjitha aktivitetet e të gjithë funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar që punojnë në Qeveri dhe mbështesin politikën e saj.
“Ne jemi ndryshe nga të tjerët. Për ZNAM-in, edhe pse është e vështirë të besohet sepse zakonet në shoqëri tashmë janë të tilla, nuk ka as edhe një aferë të vetme, korrupsion zero, dhe kjo është paraqitur drejtpërdrejt përmes përfaqësuesve tanë në pushtetin ekzekutiv. Prioritetet tona janë përmirësimi i jetës socio-ekonomike të qytetarëve tanë, drejtësia për të gjithë dhe barazia e të gjithëve para ligjeve në Maqedoni. Pavarësisht nëse jeni funksionar apo qytetar i zakonshëm, keni të drejta dhe mundësi të barabarta, ashtu siç përcaktohet me Kushtetutën e Maqedonisë. Fakt është se erdhëm nga një gjendje negative – një shtet thellësisht i zhytur në borxhe, me institucione thellësisht të dëmtuara, ndërsa arritëm në një gjendje zero pozitive. Shohim se po realizohen një numër i madh projektesh infrastrukturore dhe kapitale në mbarë vendin, rezultatin e të cilave askush nuk mund t’ia atribuojë vetes personalisht, por ky është rezultat i përgjithshëm i të gjithë Qeverisë dhe të gjithë pjesëmarrësve të saj”, tha Dimitrievski.
Lëvizja ZNAM, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar, sot raportoi për punën e bërë gjatë dy viteve të fundit. Në raportimin me titull “Dy vite punë, dy vite rezultate, një dashuri – Maqedonia” morën pjesë anëtarë të ZNAM-it, deputetë, funksionarë, aktivistë dhe mbështetës.
Ndryshe, ministrat e rinj të Qeverisë u zgjodhën nga Kuvendi më 13 korrik 2026, pas rikonstruimit të Qeverisë. Me këtë rikonstruim, disa zëvendësministra u avancuan në pozita ministrore, ndërsa ishte paralajmëruar se zgjedhja e zëvendësministrave të rinj do të bëhej më vonë, gjatë vjeshtës. Në kuadër të këtij procesi, ZNAM kishte paralajmëruar se do të marrë edhe një pozitë shtesë të zëvendësministrit.