Koreja e Jugut organizoi paradë ushtarake si paralajmërim për Korenë e Veriut

Koreja e Jugut këtë të martë organizoi paradë ushtarake masive për herë të parë në dhjetë vite, me armë të ndryshme, nga raketat balistike deri te tanket. Kjo paradë ishte edhe një deklaratë e krenarisë kombëtare, edhe një paralajmërim për Korenë e Veriut. Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, në fjalimin e tij deklaroi publikisht se nëse Koreja e Veriut përdor armë bërthamore, regjimit të saj do t’i vijë fundi, shkruan Reuters, transmeton Portalb.mk.

Parada shënon Ditën e Forcave të Armatosura të vendit, e cila festohet çdo pesë vite, por manifestimi gjithmonë ka qenë më modest, sidomos në krahasim me ngjarjet masive që Koreja e Veriut i ka organizuar. Këtë herë marshuan disa mijëra ushtarë të Koresë së Jugut dhe më shumë se 300 trupa amerikane, siç thonë nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare. Kishte një shumëllojshmëri e pajisjeve, duke përfshirë drone, tanke dhe transportues të blinduar të personelit.

Në një fjalim në bazën ajrore të kryeqytetit Seul, presidenti Yoon Suk Yeol paralajmëroi presidentin e Koresë së Veriut për përdorim të armëve bërthamore duke treguar gjithashtu lidhjen e ngushtë mes Koresë së Jugut dhe SHBA-s.

Nëse Koreja e Veriut përdor armë bërthamore, regjimit të saj do t’i jepet fund nga një përgjigje dërrmuese nga aleanca ROK-SHBA“, tha Yoon ndërsa iu drejtua trupave në shi. ROK janë inicialet e emrit zyrtar të Republikës së Koresë së Jugut.

Ai gjithashtu tha se nëse Rusia i ka ndihmuar Koresë së Veriut t’i zhvillojë armët e luftës në këmbim të ofrimit të ndihmës për luftën në Ukrainë, atëherë kjo do të jetë një provokim i drejtpërdrejtë.

Më vonë të martën, ambasadori i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara, Kim Song, duke folur në Nju Jork në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, akuzoi SHBA-në për përhapjen e ndikimit të saj në të gjithë botën, veçanërisht në të gjithë Gadishullin Korean.