Gjithsej 1.341 vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë do të monitorojnë zgjedhjet lokale të dielën në RMV
Zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën, më 19 tetor, do të monitorohen nga 1.341 vëzhgues, nga të cilët 700 janë vendas dhe 639 janë ndërkombëtarë, si dhe dy gazetarë të huaj, informoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme. Ata thonë se dorëzimi i materialit zgjedhor jo-konfidencial në të gjitha komisionet komunale është duke u zhvilluar, dhe të enjten dhe të premten do të dorëzohet edhe materiali zgjedhor konfidencial, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, tha se dorëzimi i materialit zgjedhor konfidencial kryhet nën siguri të plotë dhe të vazhdueshme nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), sipas një plani të miratuar dhe të planifikuar më parë.
Materiali do të ruhet dhe sigurohet në mënyrë të përshtatshme para ditës së votimit, pas votimit dhe gjatë transportit në komisionet zgjedhore komunale dhe KSHZ.
“Të enjten, listat e votuesve dhe të gjitha fletëvotimet do të dorëzohen në të gjitha komisionet komunale zgjedhore, ndërsa të premten, pajisjet e identifikimit biometrik do të dorëzohen nga ne, si anëtarë të KSHZ-së, së bashku me punonjësit dhe të gjithë personat e tjerë të autorizuar dhe të angazhuar nga KSHZ-ja në të gjitha komisionet komunale zgjedhore në vend”, tha Kondarko.
Sipas tij, pas shpalljes së rezultateve fillestare jozyrtare të marra elektronikisht, të cilat do të shpallen një pas një drejtpërdrejt gjatë natës së zgjedhjeve, pas përfundimit të votimit dhe të nesërmen, të hënën, KSHZ-ja ka bërë një plan për pranimin dhe dorëzimin e materialit origjinal konfidencial zgjedhor, të gjitha procesverbalet nga qendrat e votimit dhe të gjitha procesverbalet nga përcaktimi i rezultateve të votimit nga komisionet komunale zgjedhore.
Të hënën, më 20 tetor, nga orët e hershme të mëngjesit, komisionet komunale zgjedhore do të vijnë në grupe të caktuara dhe do t’ia dorëzojnë procesverbalet origjinale KSHZ-së, pas së cilës do të organizohet kontroll përkatës.
Në fund të ditës, gjegjësisht të hënën në mbrëmje, KSHZ-ja do të shpallë edhe rezultatet fillestare zyrtare bazuar në procesverbalet origjinale të shkruara nga çdo qendër votimi dhe çdo komision komunal zgjedhor.
Në ditën e zgjedhjeve, KSHZ-ja do të njoftojë pjesëmarrjen e votuesve sipas komunave çdo dy orë.
Në seancë u njoftua gjithashtu se ka kërkesë për 30 vëzhgues nga Ambasada Amerikane në Shkup, dhe televizioni shtetëror turk ka kërkesë për dy gazetarë. Shoqata “Wake up” po kërkon 51 vëzhgues shtesë, Qendra Kombëtare Rome dhe Këshilli Kombëtar për Barazi Gjinore kanë kërkuar nga një vëzhgues shtesë secili.
Ndryshe, më 29 shtator në Maqedoninë e Veriut filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti, rrethi i parë i të cilave do të mbahet më 19 tetor. Fushata do të zgjasë pandërprerë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.