Qeveria ndërpreu njëanshëm koncesionin për minierën e qymyrit “Piskupshtina” në Strugë
Në seancën e fundit, Qeveria, me propozim të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, përfundoi në mënyrë të njëanshme koncesionin për shfrytëzimin e minierës së qymyrit në lokacionin “Piskupshtina” në Strugë. Në të njëjtën kohë, u konstatua ndërprerja e vlefshmërisë së katër koncesioneve të tjera që kanë skaduar, transmeton Portalb.mk.
“Vendimet vijnë pas dështimeve serioze nga koncesionarët në përmbushjen e detyrimeve të tyre ligjore. Në rastin “Piskupshtina”, mbikëqyrja inspektuese përcaktoi se koncesionari kryente shfrytëzim jashtë fushës së lejuar, që është shkelje e drejtpërdrejtë e kontratës dhe ligjit. Ankesat nga banorët e fshatit Piskupshtina çuan në një mbikëqyrje të detajuar inspektuese nga Inspektorati Shtetëror për Energji dhe Miniera, i cili konfirmoi parregullsinë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ky është koncesioni i dytë i ndërprerë në mënyrë të njëanshme vetëm brenda pak javësh. Paraprakisht u mor vendim për ndërprerjen e koncesionit për shfrytëzimin e gurit gëlqeror Lavinçevi në Komunën e Gazi Babës.
Kompania nuk ka siguruar shfrytëzim minimal prej 20% – pra 25,000 ton në vit – dhe për tre vjet praktikisht nuk ka pasur asnjë aktivitet, dhe nuk është paguar asnjë tarifë koncesioni. Ndërprerja afatgjatë e aktiviteteve dhe mosrespektimi i detyrimeve ligjore u konfirmuan nga një inspektim i jashtëzakonshëm.
“Qeveria dhe Ministria nuk do të tolerojnë përdorimin e papërshtatshëm të burimeve natyrore, dhe shëndeti dhe siguria e qytetarëve mbeten në radhë të parë”, theksoi Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska.
Miniera “Piskupshtina” sipas kandidates për kryetare të Strugës nga radhët e Levicë Jovana Mojsoska është menaxhuar nga një koncesionar privat nga Shkupi që nga viti 2013, por situata atje ditëve të fundit është bërë alarmante për shkak të depozitave të mëdha të qymyrit të nxjerrë që ndizen lehtë.