Gjimnazi pa rrymë, Kasami: MASh të na kthejë ingerencat, shohim mundësinë edhe për padi ndaj ministrisë (Video)

Gjimnazi i Tetovës është përsëri pa rrymë elektrike për shkak të borxhit të akumuluar. Pas akuzave dhe kundër akuzave të djeshme midis institucioneve për atë se kush i ka fajet për këtë gjendje, sot ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili theksoi se pas marrjes së ingerencave të Komunës së Tetovës ndaj gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” është obligim i Ministrisë së Arsimit që të zgjidh këtë problem. Ai kërkoi edhe që MASh të ja kthejë ingerencat për këtë shkollë që të zgjidhet problemi, transmeton Portalb.mk.

Kasami tha se nga 19 korriku, komuna e Tetovës, nuk ka asnjë ingerencë e asnjë obligim ndaj gjimnazit të Tetovës.

“Këtë ditë më parë për mediat e konfirmoi edhe vetë ministri, madje duke e demantuar edhe drejtoreshën e gjimnazit. Ministri i Arsimit tha se me marrjen e ingerencave për së dyti herë, tashmë është e obligim i Ministrisë që të gjej zgjidhje për shlyerjen e borxhit të gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, madje pranoi se nuk janë të aftë ta bëjnë këtë njëherazi por e bëjnë me këste muaj për muaj. Sa u përket borxheve të krijuara, jemi të gatshëm t’i japin ndihmë Ministrisë së Arsimit për të gjetur zgjidhjen e duhur në kuadër të ligjit dhe rregulloreve të aplikueshme”, tha Kasami.

Ai kërkoi që t’i kthen ingerencat për këtë shkollë, ndërkaq paralajmëroi edhe padi.

“I lus, shfrytëzoj rastin që t’i drejtohem edhe ministrit që t’ia kthejë kompetencat Komunës së Tetovës që nxënësit të vazhdojnë të përcjellin procesin edukativo-arsimor siç duhet. Nëse kjo si situatë do të vazhdojë do të shohim edhe mundësinë e ngritjes së padisë ndaj ministrisë për dëmin që i shkaktohet Gjimnazit të Tetovës, që është institucion i themeluar nga Komuna e Tetovës”, tha Kasami.

Kërkuam qëndrimin e Ministrisë së Arsimit për këto deklarata të Kasamit, por përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm.

Dje për këtë problem drejtoresha e gjimnazit, Teuta Llalla tha se fajin për këtë gjendje e ka Komuna e Tetovës. Ndërkaq, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri tha se ndërprerja e rrymës ndodh si pasojë e borxhit të akumuluar më herrët e të cilin, Ministria po mundohet ta shlyej, pasi komunës i janë marrë ingerencat nga ana e Ministrisë.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që drejtoresha e gjimnazit “Kirili Pejçinoviq” dhe Komuna e Tetovës kanë mosmarrëveshje. Teuta Llalla vitin e kaluar u shkarkua nga pozicioni i drejtoreshës nga ana e Komunës së Tetovës. Shkarkimi i drejtoreshës së Gjimnazit të Tetovës “Kiril Pejçinoviq” Lalla sipas Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA) është bërë në kundërshtim me ligjin. Më pas Ministria e Arsimit ia mori kompetencat kryetarit të Komunës për shkarkimin dhe emërimin e drejtorit në këtë gjimnaz, me çka Lalla u rikthye në punë si drejtoreshë e kësaj shkolle. Ndërkaq, në muajin korrik Ministria ia mori ingerencat Komunës së Tetovës për gjimnazin jo vetëm për emërim dhe shkarkim, por edhe për punët e përgjithshme.