Konkursi për paralelet duale përjashtonte nxënësit e mjekësisë, u protestua në Tetovë, MASh ndryshoi mendje: Do ndahen 600 bursa

Nxënësit e paraleleve duale nga profesionet e shëndetësisë të shkollave të mesme në vend janë të përjashtuar nga konkursi për bursa i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASh). Për këtë arsye, sot protestuan nxënësit, prindërit dhe drejtoria e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë “Nikolla Shtenj”, ata kërkojnë që MASh të rishqyrtojë konkursin dhe të përfshijë edhe profilet shëndetësore, pasi siç thonë e njëjta u është premtuar. MASh thekson se muajin e ardhshëm do të shpallet konkurs për 600 bursa për nxënësit e profileve të shëndetësisë, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ndajë 1500 bursa në vlerë prej 3500 denarë për 9 muaj për nxënësit që janë regjistruar në paralelet duale (paralele me rritje të sasive të orëve praktike) në pajtim me programet e arsimit profesional, përveç nxënësve nga profesionet shëndetësore të shkollave të mesme publike dhe private të vendit.

Mospërfshirja e nxënësve të mjekësisë në këtë konkurs të bursave shkaktoi revoltë te prindërit dhe drejtoria e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë, ku të njëjtit sot protestuan.

Siç sqarojnë nga drejtoria e shkollës, paralelet duale janë projekt i Qeverisë ku MASh në janar të këtij viti ka nënshkruar memorandum me ambasadoren e Zvicrës i cili kap vlerën prej 5.9 milionë franga zvicerane, ku i njëjti shënon fillimin e fazës së dytë të fushatës “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm”, për të promovuar paralelet duale si koncept i bazuar në të mësuarit përmes punës në kompani.

Drejtori i shkollës, Binas Pajaziti theksoi se ata si shkollë kanë konkurruar për paralele duale, konkretisht për 6 paralele (5 në gjuhën shqipe dhe 1 në gjuhën maqedonase).

“Me secilën kompani për këto nxënës të paraleleve duale bëhet memorandum bashkëpunimi me institucionet shëndetësore, ne i kemi plotësuar të gjitha dokumentacionet e duhura dhe konform asaj që kemi bërë procedurat e rregulla për konkursin për vitet e para, kemi kaluar konkursin në këshillin e shkollës, ka kaluar konkursi në këshillin komunal dhe ashtu siç është procedura mandej konkursi është përcjellë në ministri, më pas ministria në bazë të analizave që i bën për drejtime të caktuara për paralelet duale, ne i kemi kompletuar të gjitha dokumentet, i kemi dorëzuar në ministri”, sqaroi drejtori i shkollës, Binas Pajaziti.

Protestë nga nxënësit, prindërit dhe drejtoria e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë për mospërfshirjen e nxënësve të shëndetësisë në bursat për paralelet duale. Foto: Fisnik Xhelili (26.10.2023)
Protestë nga nxënësit, prindërit dhe drejtoria e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë për mospërfshirjen e nxënësve të shëndetësisë në bursat për paralelet duale. Foto: Fisnik Xhelili (26.10.2023)

Ai theksoi se Ministria e ka shpallur konkursin e paraleleve duale bashkë me operatorët dhe institucionet shëndetësore me të cilët shkolla ka lidhur bashkëpunim, ai theksoj se kjo e obligon ministrinë që për çdo nxënës të regjistruar në paralelet duale t’i sigurojë për nëntë muaj të vitit shkollor nga 3500 denarë bursë për katër vjet.

“Shkolla jonë për herë të parë ka aplikuar këtë vit, nuk na është dhënë asnjë sqarim, thjesht me datën 18 tetor është shpallur konkursi dhe aty shkruan se konkursi për bursat e paraleleve duale shpallet përveç nxënësve nga profesionet shëndetësore, ky fakt na ka habitur, prindërit filluan të reagojnë. Ne i informuam se kjo e drejtë është e privuar nga ana e ministrisë”, tha Pajaziti.

Ai shtoi se protesta e sotme ka ardhur si rezultat i pakënaqësive të prindërve për konkursin dhe më shumë është si kërkesë ndaj MASh-it që të rishqyrtojë konkursin dhe mos të ua mohojë këtë të drejtë nxënësve. “Të futet në programin të cilin kanë qenë të paraparë”.

Fëmijët tanë janë diskriminuar, shprehen prindërit e nxënëve të paraleleve duale në këtë shkollë.

“Protestojmë për shkak të diskriminimit të fëmijëve tanë për mjetet që duhet t’i marrin paralelet e mësimit dual, që në fillim ato mjetet kanë qenë të dedikuara për fëmijët tanë, ndërsa ata janë bllokuar, dëshirojmë që ata të çbllokohen dhe kjo të realizohet. Ne do vazhdojmë me këto protesta kushtimisht me thënë pasi forma tjera nuk ka, në mënyrë njerëzore që duhet ata të ju mundësojnë fëmijëve tanë që të realizohen ato mjete”, tha një prind.

“Ata (nxënësit) janë të degraduar dhe thjesht e drejta që u është premtuar kësaj radhe rezulton e paplotësuar. Duhet të jemi këmbëngulës dhe unë personalisht them që do të jem këmbëngulëse, besoj se çdo prind do të jetë. Kjo e drejtë duam të realizohet dhe duhet të realizohet që fëmijët tanë të marrin bursat, sepse u janë premtuar, nëse nuk ishin premtuar atëherë do ishte ndryshe”, tha një prind tjetër.

Drejtori i shkollës ndër të tjera theksoi se më 19 tetor kanë dorëzuar shkresë te MASH-i ku kërkojnë të rishqyrtohet konkursi,, ndërsa dy ditë më vonë e kanë dorëzuar edhe te Qenda e Arsimit Profesional, por përgjigje nuk kanë marrë.

“Bisedohet në nivel republikan. Nuk kam informata të sakta se cilat shkolla të mjekësisë kanë aplikuar për mësim dual, ne kemi aplikuar me 6 paralele, 150 nxënës, pesë paralele në gjuhën shqipe dhe një paralele në gjuhën maqedonase. Kjo i bie se ne i kemi gënjyer prindërit, por nëse i kemi gënjyer, i kemi gënjyer në emër të Ministrisë”, tha Pajaziti.

Ai shtoi se nëse për vitin e ardhshëm nuk ka mjete, nuk do t’i bëjnë këto procedura pasi sipas tyre është e lodhshme, ku kanë nënshkruar 31 memorandume bashkëpunimi me kompani dhe mësimin praktik, marrëveshje të tjera dhe se është punë shtesë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës theksoi se muajin e ardhshëm do të shpallë konkurs për ndarjen e 600 bursave për nxënësit të cilët do të regjistrohen në shkollat ​​e mesme publike në vend, edhe atë në  paralele duale në profesionet shëndetësore, ku mësimi praktik realizohet me numër të shtuar të orëve.

“Nxënësit e regjistruar në profesionet shëndetësore këtë vit nuk mund të aplikojnë në konkursin për ndarjen e 1500 bursave për nxënësit e regjistruar në paralelet duale. MASH vendosi t`i ndajë, gjegjësisht të shpallë konkurs të veçantë për bursa, dhe qëllimi është për të gjithë nxënësit që janë pjesë e paraleleve duale, për t`iu dalur në ndihmë dhe për t`i mbështetur financiarisht për shkak se kanë zgjedhur profesione të deficitare”, thanë nga MASh.

Nga atje shtuan se ka filluar procedura për ndryshimin dhe plotësimin e programit për realizimin dhe zhvillimin e veprimtarisë në standardin për nxënës për vitin 2023.

Pas shpalljes së konkursit, aplikimi do të realizohet në mënyrë elektronike, përmes portalit www.e-uslugi.mon.gov.mk. Ata që do të marrin, bursa do të paguhen për të gjithë vitin shkollor 2023-2024.