fbpx

Komuna e Tetovës shkarkoi drejtoreshën e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” me akuzat për shkelje financiare, ajo mohon keqpërdorimet

Komuna e Tetovës e ka shkarkuar drejtoreshën e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, Teuta Llalla me akuzat se ka kryer keqpërdorime financiare. Vendimi i Komunës për shkarkim, siç thonë nga ky institucion, është bazuar në raportin Revizionit të brendshëm komunal dhe është vërtetuar edhe nga Këshilli i Shkollës. Në një deklaratë për mediat, Llalla mohon akuzat, transmeton Portalb.mk.

Nga Komuna e Tetovës sot askush nuk pranoi të del para mediave dhe të jep më shumë sqarime për rastin me fjalë, u arsyetuan se kryetari i Komunës dhe udhëheqësi i sektorit për arsim nuk janë në komunë sot. Ndërkaq, opinionin e njoftuan përmes një komunikate.

Komuna e Tetovës. Foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Komuna e Tetovës. Foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

“Sipas raportit në fjalë gjatë procedurave janë konstatuar shkelje të shumta financiare që kanë dëmtuar buxhetin e shkollës dhe kanë penguar mbarëvajtjen normale të procesit edukativo-arsimor. Këshilli i shkollës pasi ka shqyrtuar raportin e revizionit dhe pas konstatimit për shkelje të shumta ka të drejtë të propozojë shkarkimin e drejtorit dhe për këtë e njofton kryetarin e Komunës së Tetovës. Pas arritjes se propozimit te Këshillit të Gjimnazit me NR 03-201/1 të datës 11.05.2022 (për shkarkim) kryetari veproi në bazë të dispozitave ligjore, që për bazë ka propozimin e këshillit të shkollës. Gjithashtu përmes avokatit, komuna ka iniciuar procedurë për të konstatuar shkeljet ligjore që janë bërë nga drejtoresha.” thuhet në njoftimin e Komunës së Tetovës.

Vendimi për shkarkimin e Teuta Lallës
Vendimi për shkarkimin e Teuta Lallës. Foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

Nga ana tjetër, drejtoresha Teuta Lalla, thotë se mbledhja e Këshillit është mbajtur, ndërsa ajo nuk është aspak e informuar për këtë, ndërsa Revizionin e konsideron selektiv. 

Teuta Lalla, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Teuta Lalla, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Fillimisht, unë revizionin do ta quaja selektiv, pasi përfshin periudhën vetëm kur unë jam drejtoreshë. Një hapësirë e madhe kohore nuk është mbuluar nga Revizioni. Në këtë drejtim, unë në konsultim me ligjin konstatoj se nga ana e kryetarit të Komunës janë bërë veprime të përshpejtuara dhe unë do t’i ndjek të gjitha procedurat ligjore kundrejt kësaj çështjeje”, tha Lalla.

Ajo u shpreh edhe se do të ankohet për këto akuza dhe do të ndjek procedurë ligjore. Shkarkimin e saj e vlerëson se është bërë në baza partiake nga Lëvizja Besa dhe mohoi se ka keqpërdorime nga ana e saj.

“Nuk jam person partiak, kam fotografi edhe me Bilall Kasamin edhe me Ziadin Selën dhe me shumë personalitete”, tha Llalla, por e pyetur për atë se gjatë fushatës është parë në përkrahje të ish-kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifit, Llalla pranoi se e ka mbështetur atë, duke e quajtur “mbështetje morale”.

Portalb.mk kërkoi nga Komuna e Tetovës dy dokumente: Propozimin e Këshillit të Gjimanzit me numër 03-201/1 të datës 11.05.2022 dhe dokumentin e raportit të Revizionit të brendshëm komunal në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviç” në bazë të cilit u shkarkua Lalla. Nga Komuna thanë se nuk kanë të drejtë t’i bëjnë publike aktvendimet dhe se raportin final mundet ta publikojë vetë kryetari i komunës dhe se për të do informojnë ditëve në vijim.

Për këtë, Portalb.mk dorëzoi edhe kërkesë për qasje te informatat e karakterit publik në Komunën e Tetovës përmes arkivit por edhe e-mailit në ueb-faqen e komunës për informata të karakterit publik, por ai rezultoi të jetë jofunksional.

Kërkesa e Portalb.mk në Komunën e Tetovës
Kërkesa e Portalb.mk në Komunën e Tetovës

Në vend të Llallës, drejtoreshë është emëruar profesoresha e gjuhës angleze, Hatije Azizi-Etemi e cila e konfirmoi informacionin për Portalb.mk. Azizi-Etemi është ish-këshilltare komunale nga Lëvizja Besa në përbërjen e këshillit të kaluar në Komunën e Tetovës. Ajo momentalisht është anëtare e kryesisë qendrore të kësaj partie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button