Mexhiti në OKB: Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të madh në trajtimin e rezistencës antimikrobike
Në kuadër të sesionit të 73-të të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Evropë (RC73), i cili po mbahet nga 24-26 tetor 2023 në Astana të Kazakistanit, ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti foli në seancën e sotme mbi temën Udhërrëfyesit për Rezistencën Antimikrobike për Rajonin Evropian të OBSH-së 2023-2030 në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
“Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të madh në këtë përpjekje për t’u marrë me rezistencën antimikrobike, megjithatë, aspekti i “Një shëndet” për parandalimin dhe kontrollin e rezistencës antimikrobike duhet të zhvillohet më tej, dhe udhërrëfyesi do të ofrojë udhëzime për këtë”, vuri në dukje ministri Mexhiti.
Ministri tregoi se fokusi do të vendoset edhe në mbikëqyrjen e rezistencës antimikrobike në kuadër të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Laboratorik (LIMS) që po zhvillohet me mbështetjen e OBSH-së.
“Prioritet do t’i jepet nismave arsimore që synojnë punonjësit e kujdesit shëndetësor, pacientët dhe publikun për të nxitur përdorimin e përgjegjshëm të antibiotikëve. Kjo përfshin përdorimin e praktikave të kujdesshme të përshkrimit dhe sigurimin e disponueshmërisë së alternativave antibiotike kur është e përshtatshme. Do të punojmë gjithashtu për të forcuar masat e parandalimit dhe kontrollit të infeksionit në objektet shëndetësore për të reduktuar përhapjen e infeksioneve rezistente, duke u fokusuar në ngritjen e kapaciteteve për punonjësit e shëndetësisë”, tha ministri.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi se mbështetja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë është e paçmueshme në përpjekjet për t’u përballur me rezistencën antimikrobike, si dhe në shkëmbimin e praktikave më të mira, përvojave dhe mësimeve të nxjerra në zbatimin e udhërrëfyesit midis vendeve të rajonin e Ballkanit.
Ndryshe ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, së bashku me Ministrat e Shëndetësisë dhe delegatët e nivelit të lartë nga 53 shtetet anëtare të Rajonit Evropian të OBSH-së, si dhe përfaqësues të organizatave partnere dhe shoqërisë civile janë takuar në Astana të Kazakistanit në Sesionin e 73-të të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Evropën (RC73), i cili zhvillohet nga 24-26 tetor të vitit 2023.
Në fjalimin e tij, Hans Kluge, drejtor i OBSH-së për Evropë, dje tha se Maqedonia e Veriut është shembull i suksesshëm i përmirësimit të kujdesit parësor shëndetësor.