Gjendja në burgjet e Maqedonisë së Veriut është serioze, vlerësoi ministri Toshkovski
Ministri për Punë të Brendshme, Pançe Toshkovski, vlerësoi se gjendja në burgje duhet të trajtohet seriozisht, pasi strukturat kriminale mund të vazhdojnë veprimtarinë e tyre edhe brenda burgjeve, raporton Portalb.mk.
“Presionet, frikësimi dhe korrupsioni mund të cenojnë drejtpërdrejt integritetin dhe qëndrueshmërinë e personelit të burgjeve. Këto sfida janë reale dhe nuk duhet t’i nënvlerësojmë”, deklaroi Toshkovski, i cili mbipopullimin e vlerësoi si një problem.
Ai në konferencën e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup, vlerësoi se me këtë do të dobësohet efikasiteti i sistemit të drejtësisë penale. Ndër të tjera ai vlerësoi se bashkëpunimi rajonal do të përmirësojë gjendjen në burgjet e Maqedonisë së Veriut.