Gjatë 24 orëve në RMV janë regjistruar 27 zjarre, dy prej tyre janë aktivë
Dy zjarre aktive janë regjistruar mëngjesin e sotëm deri në orën 07:30, njoftojnë nga Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.
Në raportin e mëngjesit të QMK-së thuhet se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar gjithsej 27 zjarre në hapësirë të hapur. Përveç dy zjarreve aktive, edhe tre janë nën kontroll, ndërsa 22 janë shuar.
Sipas QMK-së, një zjarr aktiv është në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës, në afërsi të lokalitetit Golem Brdash, ku po digjet pyll.
Zjarri i dytë aktiv është në Komunën e Shuto Orizarit në Shkup, në afërsi të Vizbegovës, prapa hotelit „New Star“. Në këtë lokacion, sipas QMK-së, është përfshirë nga zjarri një deponi.
Zjarret nën kontroll janë në Komunën e Zelenikovës, mbi fshatin Paligrad, në Komunën e Sarajit, afër fshatit Kopanicë, si dhe në Komunën e Strugës, në afërsi të fshatrave Piskupshtinë, Burinec dhe Lokovë.
Zjarret e shuar janë regjistruar në disa komuna, ku kanë djegur pyje me drurë të ulët dhe pisha, vegjetacion të ulët, plepa kanadezë, balë sanë, shkurre dhe deponi.