Gjashtë muaj Komuna e Karposhit s’ka bërë asgjë për t’u mundësuar qasje personave me pengesa në Zyrën e Deputetëve

Kanë kaluar mbi gjashtë muaj prej kur Portalb.mk, publikoi hulumtimin e tij në lidhje me Zyrat për komunikim të qytetarëve me deputetët, sipas të cilit Zyra që ndodhet në Komunën e Karposhit nuk ka qasje për personat me pengesa. Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD) nuk përgjigjet se a janë duke e ndjekur rastin, për të cilin e konfirmuan se komuna ka kryer “diskriminim të vazhdueshëm” ndaj qytetarëve me pengesa nga kjo komunë dhe dhanë rekomandimi për zgjidhjen e problemit, shkruan Portalb.mk.

Ekipi i Portalb.mk, sot ashtu sikur disa herë, verifikoi gjendjen në Urën në Karposh, ku gjendet Zyra për komunikim të qytetarëve me deputetët e zonës. Nga ajo që pamë në terren, duket se ende asgjë nuk është punuar, pavarësisht se kanë kaluar mbi gjashtë muaj.

Gjithashtu, edhe sot në Zyrën për kontakt të qytetarëve me deputetët, nuk kishte asnjë të pranishëm në hapësirat e punës rreth orës 10.30, pavarësisht se do të duhej të kishte.

Para derës së zyrës, ka një tabelë informuese, por aty nuk tregohet orari i punës dhe për këtë ndonjë prej qytetarëve ka shkruar “Orari i punës?”.

Sipas, orarit të publikuar në ueb-faqen e Kuvendit, zyra duhe të punojë prej 09 deri në 14 dhe prej 15 deri në 20.

Për ironi, krahas kësaj zyre, mbi urë, ndodhet edhe “Info Zyra për Ndihmë dhe Kujdes në Shtëpi”. Dyert e kësaj zyre janë të mbuluara me fotografi të personave të moshuar të cilëve u ndihmojnë infermieret dhe stafi mjekësor.

“Kujdes për persona të moshuar në kushte të shtëpisë në Komunën Karposh. Pasi që vetëm shtëpia është shtëpi”, thuhet në mbishkrime.

Por, këto mbishkrime s’kanë mundësi t’i shohin personat e moshuar dhe ato me pengesa pasi që ndodhet në urën me 30 shkallë, ku nuk punon ashensori e as shkallët elektrike.

Portalb.mk pyeti Komunën e Karposhit se kur do të veprojnë për mendimin e Komisionit për Mbrojtje dhe Parandalim të Diskriminimit, ndërkaq prej atje thanë se po veprohen për të njëjtin.

“Vijon procedura për zbatimin e rekomandimeve në mendimin e Komisionit për Mbrojtje dhe Parandalim të Diskriminimit”, thonë nga Komuna e Karposhit për Portalb.mk.

Portalb.mk disa herë ka tentuar të kontaktojë me Komisionin për Mbrojtje dhe Parandalim të Diskriminimit, megjithatë, ata nuk u janë përgjigjur pyetjeve tona të dërguara në e-mail. Telefonat zyrtar askush nuk i hap, ndërkaq gjatë ditës së sotme nuk u punon edhe ueb-faqja.

Ekipi jonë ka bërë verifikim të gjendjes në terren edhe më

Më 28 dhjetor, Komuna e Karposhit ka kryer diskriminim të vazhdueshëm ndaj qytetarëve me pengesa, banorë të kësaj komune, duke shkelur njëkohësisht dhe Kushtetutën e shtetit. Kështu vendosi Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD) në Maqedoninë e Veriut duke u thirrur në hulumtimin e Portalb.mk në lidhje me jofunksionalitetin e zyrave për kontakt të qytetarëve me deputetët e Kuvendit të RMV-së. Sipas KPMD, duke u nisur nga fakti që Zyrën e ka vendosur në urë, pa ashensorë dhe shkallë elektrike funksionale, me këtë ua ka pamundësuar qasjen banorëve me pengesa në këtë objekt. KPMD i ka dhënë Komunës së Karposhit dy rekomandime me afate konkrete që qytetarëve me pengesa t’u mundësohet qasja e lirë, ashtu siç e garanton Kushtetuta ose në të kundërtën do të ngritë procedurë kundërvajtëse në gjykatë.

“Pas marrjes së njoftimit nga ana e Portalb.mk me numër 08-538/1 të 12.10.2022, Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi mori njohuri në lidhje me mungesën e qasjes në zyrat për kontakt të qytetarëve me deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në Komunën e Karposhit. Gjegjësisht, pas vizitës së zyrave në Karposh, gazetarët kanë konstatuar se të njëjtat janë të vendosura në urë, ku ashensorët dhe shkallët elektrike nuk janë në funksion, me çka është pamundësuar qasja e personave me pengesa”, thuhet në mendimin e KPMD.

Pas konstatimit të diskriminimit, Komisioni i ka dhënë Komunës së Karposhit dy rekomandime me afate konkrete:

  1. Komuna e Karposhit të përgatisë plan aksional me specifikime të aktiviteteve konkrete, afate kohore dhe implikime financiare për sigurimin përshtatjes përkatëse e cila do t’u mundësojë qasje të personave me pengesa deri te zyrat për kontakt të qytetarëve me deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Komuna e Karposhit është e obliguar të veprojë në pajtueshmëri me këtë rekomandim dhe ta dorëzojë planin aksional me shkrim ose formë elektronike deri te Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të mendimit.
  2. Komuna e Karposhit t’i mbarojë të gjitha masat e domosdoshme dhe aktivitetet për sigurimin e përshtatjes përkatëse me të cilën do të mundësohet qasja e personave me pengesa deri te zyrat për kontakt të qytetarëve me deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Komuna e Karposhit është e obliguar që të veprojë sipas këtij rekomandimi dhe ta mënjanojë shkeljen e të drejtës në afat prej 180 ditëve nga pranimi i mendimitdhe për atë ta njoftojë Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.

Në mendim thuhet se nëse Komuna e Karoshit nuk vepron sipas rekomandimeve, Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi do të dorëzojë kërkesë për ngritjen e procedurës kundërvajtëse përpara gjykatës përkatëse për kundërvajtje.

Ndryshe, sipas storjes së Portalb.mk, qytetarët duhet t’i kërkojnë gjithandej të punësuarit e Zyrave për Kontakt me Qytetarët, të cilët janë të angazhuar në orar të caktuar që të sigurojnë komunikim të deputetëve dhe qytetarëve. Portalb.mk i vizitoi 4 zyra në lokacione të ndryshme, gjegjësisht Tetovë, Çair, Karposh dhe Shuto Orizare për të shikuar nga afër si funksionojnë. Sipas asaj që pamë në terren, zyrat në fjalë nuk e respektojnë orarin e punës, ndërkaq disa prej tyre as nuk u përgjigjen thirrjeve telefonike. Qytetarët e kanë vështirë të kontaktojë me përfaqësuesit e deputetëve të cilët do të duhet t’i dëgjojnë hallet dhe nevojat e tyre, e që më pas të njëjtat të dorëzohen në Kuvend për të gjetur zgjidhje të caktuar.