Në vend rregullimit të ashensorit, Komuna e Karposhit e mbylli Zyrën për Kontakt të Qytetarëve me Deputetët

Pavarësisht se premtoi, Komuna e Karposhit, nuk e rregulloi ashensorin apo shkallët elektrike te ura “Vllajko”, ku ndodhet Zyra për Kontakt të Deputetëve të zonës me Qytetarët, ashtu siç i rekomandoi Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi në bazë të hulumtimit të Portalb me qëllim që edhe qytetarët me nevoja të veçanta të kenë qasje. Në vend të kësaj, komuna e ka mbyllur zyrën, nën arsyetimin se të njëjtën nuk e kanë përdorur deputetët. Qytetarët e Karposhit momentalisht nuk kanë zyrë për kontakt me deputetët e tyre. Kuvendi i cili menaxhon me zyrën hesht, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Karposhit e ka tejkaluar afatin ligjor për realizimin e rekomandimeve nga Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi, me të cilat ka qenë e detyruar që ta rregullojë ashensorin apo shkallët elektrike që të sigurohet qasje për nevojat me nevoja të veçanta te Zyra për Kontakt të Qytetarëve me Deputetët.

“Pas kryerjes së kontrollit nga ana e shërbimeve komunale është konstatuar se zyra për kontakt të qytetarëve me deputetët e Kuvendit deri më tnai fare nuk është shfrytëzuar nga deputetët. Gjithashtu, e njëjta është e mbyllur pas kryerjes së kontrollit në evidencën e kontabilitetit të komunës, në pajtueshmëri me marrëveshjen për lëshimin e zyrës. Në bazë të të njëjtës marrëveshje, Kuvendi është i obliguar që t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për hapësirën në fjalë, por për shkak se asnjëherë nuk është shfrytëzuar, komuna nuk ka dërguar asnjë faturë”, thonë për Portalb.mk.

Nga Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi, shkurt na informuan se për shkak të mosrespektimit të afatit ligjor për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit, është dorëzuar padi kundërvajtëse kundër kryetarit të Komunës dhe me këtë ata e kanë mbaruar detyrimin e tyre.

Pavarësisht se, Komuna e ka mbyllur zyrën, në ueb-faqen e Kuvendit ku seksion të veçantë ka për Zyrat e Deputetëve për Kontakt me Qytetarët, me të dhëna për lokacionin dhe kontaktet, vazhdon të evidentohet se Zyra në Karposh është e hapur.

Partia e Majta dhe VMRO-DPMNE kanë deputetë në këtë zonë, të cilët kanë të punësuar dhe person të posaçëm për kontakt.

Portalb.mk, gjatë periudhës së kaluar me dhjetëra herë ka vizituar këtë Zyrë, por asnjëherë nuk e ka gjetur të hapur.

Sot, tentuam që të kontaktojmë me dy personat përgjegjës të deputetëve, Aleksandar Simonov dhe Monika Gjorgjievska, të cilët do të duhej që këtë zyrë ta shfrytëzonin në oraret prej 09:00-14:00 dhe prej 15:00 deri në 20:00.

Simonovs nuk e hapi fare telefonin, ndërkaq Gjorgjievska na informoi se është jashtë shtetit.

Portalb.mk kërkoi nga Kuvendi raportin e punës për këtë zyrë dhe informatë për atë se ku do të jetë zyra e re, ku qytetarët mund t’i takojnë deputetët e tyre, megjithatë deri në publikimin e këtij teksti, Kuvendi nuk ka dërguar përgjigje.

Në bazë të hulumtimit të Portalb.mk të publikuar më 24 shtator të vitit 2022, në dhjetor të vitit 2022, KPMD miratoi mendim, nëpërmjet të cilit konstatoi se Komuna e Karposhit ka kryer diskriminim të vazhdueshëm ndaj qytetarëve me pengesa, banorë të kësaj komune, duke shkelur njëkohësisht dhe Kushtetutën e shtetit. Gjegjësisht, ashtu siç raportoi Portalb.mk, zyrat ndodhen në mbikalimin “Vllajko”, ku ashensorët dhe shkallët elektrike nuk punojnë.

Për këtë, Komuna e Karposhit premtoi se në buxhetin e ardhshëm, gjegjësisht në buxhetin për vitin 2024 do të ndajë mjete për servisimin dhe mirëmbajtjen e ashensorëve, me qëllim që qytetarëve me pengesa t’u sigurohet qasje.

Por, Komuna nuk ka ndarë mjete.

Për ironi, krahas kësaj zyre, mbi urë, ndodhet edhe “Info Zyra për Ndihmë dhe Kujdes në Shtëpi”. Dyert e kësaj zyre janë të mbuluara me fotografi të personave të moshuar të cilëve u ndihmojnë infermieret dhe stafi mjekësor.

“Kujdes për persona të moshuar në kushte të shtëpisë në Komunën Karposh. Pasi që vetëm shtëpia është shtëpi”, thuhet në mbishkrime.

Por, këto mbishkrime s’kanë mundësi t’i shohin personat e moshuar dhe ato me pengesa pasi që ndodhet në urën me 30 shkallë, ku nuk punon ashensori e as shkallët elektrike.

Sipas storjes së Portalb.mk, qytetarët duhet t’i kërkojnë gjithandej të punësuarit e Zyrave për Kontakt me Qytetarët, të cilët janë të angazhuar në orar të caktuar që të sigurojnë komunikim të deputetëve dhe qytetarëve. Portalb.mk i vizitoi 4 zyra në lokacione të ndryshme, gjegjësisht Tetovë, Çair, Karposh dhe Shuto Orizare për të shikuar nga afër si funksionojnë. Sipas asaj që pamë në terren, zyrat në fjalë nuk e respektojnë orarin e punës, ndërkaq disa prej tyre as nuk u përgjigjen thirrjeve telefonike. Qytetarët e kanë vështirë të kontaktojë me përfaqësuesit e deputetëve të cilët do të duhet t’i dëgjojnë hallet dhe nevojat e tyre, e që më pas të njëjtat të dorëzohen në Kuvend për të gjetur zgjidhje të caktuar.

Për storjen mund të lexoni më shumë:

24.09.2022 – Storja e plotë: RMV, zyrat për komunikim të deputetëve me qytetarët, mbyllur në orar të punës (Infografik)