Këshilli Gjyqësor e miratoi planin për zbatimin e rekomandimeve nga Bashkimi Evropian

Këshilli Gjyqësor sot e miratoi planin aksional për zbatimin e rekomandimeve nga Misioni Vlerësues i Bashkimit Evropian, të cilat kërkojnë reforma në këtë trup, i cili vitin e kaluar ishte në fokus të kritikave për shkak të një sërë skandalesh, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për 17 rekomandime nga gjithsej 40, të cilat Misioni Vlerësues i BE-së i jep për Këshillin Gjyqësor, prej të cilave kanë të bëjnë me zgjedhjen dhe emërimet në Këshill, një në lidhje me procedurat disiplinore, nëntë në pjesën e transparencës dhe komunikimit, por edhe rekomandime për resurset dhe financat.

Qëllimi i planit aksional, siç deklaroi kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, është që të jetë udhërrëfyes për lëvizjen e mëtutjeshme të Këshillit dhe për përforcimin e reputacionit të këtij trupi. Ajo shtoi se në planin është punuar shumë intensivisht pasi që Këshilli e ka marrë raportin nga Misioni Vlerësues.

“Ky është një prej elementeve bazike, që do të nënkuptojnë udhërrëfyes që më tej si dëshirojmë të lëvizim dhe nëse në njëfarë mënyre Këshilli Gjyqësor e forcon reputacionin, nuk do them se nuk e ka, por ta përforcojë reputacionin e tij”, tha Dameva.

Kujtojmë se viti 2023 është ndër vitet më të këqija të gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut në 20 vitet e fundit. Kështu e emëruan organizata joqeveritare Koalicioni të Gjithë për Gjykime të Drejta” në konferencën vjetore ku prezantuan raportet nga monitorimi i Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorëve Publik. Ata theksuan se ka stangim në reforma, ndërkaq vitin e kanë shënuar një sërë incidentesh të cilat në thelb ishin kryesisht nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik të cilët duhet të jenë garantuesi dhe mbrojtësi i pavarësisë gjyqësore dhe ata të cilët duhet të kontribuojnë në avancimin e gjyqësorit në tërësi në shtetin tonë. Vërejtjet kryesisht janë për mungesë transparence, por edhe dyshime për korrupsion që edhe vetë anëtarët i kanë theksuar.