Forumi studentor i parë në RMV do të mbahet nesër, ja çfarë pritet të ndodhë

Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, nesër (9 mars) do të mbahet Forumi Studentor në Qendrën Rinore (MKC) në Shkup, raporton Portalb.mk.

Kjo ngjarje e organizuar nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA), do të bashkojë krerët e kuvendeve studentore të universiteteve të Maqedonisë së Veriut në “Trupin Kombëtar të Studentëve” ku do të votohen edhe organet kryesore brenda këtij trupi.

Qëllimi i forumit është të forcojë zërin kolektiv të studentëve, duke ndaluar praktikën e angazhimit të studentëve në ‘luftën’ për të drejtat e tyre në mënyrë të ndarë, por bashkë për të njëjtat sfida.

“Kjo është ngjarje historike pasi për herë të parë në Maqedoninë e Veriut do të bëhen bashkë pjesa më e madhe e kuvendeve studentore të universiteteve në vend”, thonë nga Forumi për Ndryshime në Arsim.

Forumi pritet të hapë debat për shumë problematika që prekin arsimin e lartë dhe studentët, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por edhe më gjerë, por në të njëjtën kohë edhe të ofrojë ide dhe propozime për zgjidhjen e problemeve.

Folës do të jenë euroambasadori David Geer, ambasadorja amerikane Angela Aggeler, drejtori i FNA-së Blendi Hodai studentë dhe aktivistë nga shoqëria civile nga RMV-ja, Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Bullgaria.

Agjenda e Forumit Studentor të parë në RMV. Foto: Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA)
Agjenda e Forumit Studentor të parë në RMV. Foto: Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA)

Përndryshe, muajin e kaluar Portalb.mk realizoi intervistë me Vesa Sherifin nga Forumi për Ndryshime në Arsim, e cila tregoi në hollësi detajet e Forumit Studentor.