Dialogu Strategjik RMV-ShBA, këto janë aktivitetet dhe projektet e planifikuara, mes tyre dhe fluturime Shkup-New York

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e prezantoi para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut raportin e parë për zbatimin e Dialogut Strategjik RMV-ShBA. Raporti nuk gjendej në asnjë ueb-faqe të institucioneve përkatëse, prandaj Portalb.mk e kërkoi nga MPJ. Në të janë renditur informata për statusin e realizimit të aktiviteteve dhe projekteve të planifikuara në kuadër të Dialogut, që shumica e tyre janë në rrjedhë e sipër, ndërsa një pjesë e vogël e aktiviteteve janë përfunduar.

“Sipas konkluzioneve të seancës së 122-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtur më 1 shkurt 2023, Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), si koordinatore e procesit të përgjithshëm, është përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të projekteve të përfshira në Planin e miratuar për aktivitete në kuadër të Dialogut Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së me periudhë të realizimit prej 2023-2033”, dhe për të njëjtin çdo gjashtë-muaj të dorëzojë raport në Qeveri, në bazë të raporteve tremujore të pranuara më parë për aktivitetet e realizuara nga institucionet kompetente të përfshira në këtë Plan”, thuhet në krye të raportit.

Raporti i parë për aktivitetet e realizuara është përgatitur bazuar në dy raportet tremujore të pranuara nga ministritë, institucionet dhe agjencitë kompetente që u referohen këtyre fushave: iniciativat rajonale; mbrojtja dhe siguria; lidhjet midis njerëzve; bashkëpunimi dypalësh, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit; tregtia dhe investimet; shëndetësia etj.

Më poshtë janë të gjitha aktivitetet që janë bërë në fushat përkatëse nga fillimi i dialogut më 2 qershor.

Fusha “Iniciativat rajonale”

  • Në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të këtij viti, në Nju Jork, u mbajtën takime pune për iniciativat që Maqedonia kryeson këtë vit: Procesi për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJ) dhe SHBA – Karta e Adriatikut (A5 ), me praninë e përfaqësuesve të lartë amerikanë, që është tregues i pranisë dhe interesit të SHBA-së për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit.

Fusha “Mbrojtja dhe Siguria”

Në këtë fushë, e cila bartet nga Ministria e Mbrojtjes, kryhen rregullisht këto aktivitete:

  • mbajtjen e trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta me SHBA-në, duke përfshirë edhe aleatët rajonalë;
  • sigurimi i mbështetjes nga SHBA për zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të Maqedonisë së Veriut për të arritur qëllimet e NATO-s;
  • modernizimi dhe pajisja e ushtrisë; zhvillimi i terrenit stërvitor të ushtrisë Krivolak;
  • bashkëpunim për forcimin e aftësive të mbrojtjes kibernetike dhe zhvillimin e aftësive kibernetike të Ministrisë së Mbrojtjes.
  • Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Departamenti i Shtetit kanë autoritet në fushën e përmendur, bashkëpunimi i të cilëve kryesisht realizohet në kuadër të kryesimit tonë të A5, agjendës “Gratë, paqja dhe siguria” dhe forcimi i kapaciteteve për rezistencë ndaj kërcënimeve kibernetike.

Fusha “Marrëdhëniet midis njerëzve”

  • Aktivitete të shumta janë ndërmarrë në kuadër të fushës “Marrëdhëniet midis njerëzve”, e cila kryesisht realizohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së bashku me USAID-in dhe Ministrinë e Kulturës.
  • Për t’u theksuar janë aktivitetet e realizuara me sukses në kuadër të projektit të edukimit mediatik “Juthink”, i cili është domethënës për ndërtimin e një shoqërie që do të kërkojë llogaridhënie nga institucionet publike. Në kuadër të projektit u adaptua manuali kryesor “Mësojmë të dallojmë”, u formuan njëzet klube rinore në të gjithë vendin ku mësohet edukimi mediatik, “Udhëzues për prindërit dhe kujdestarët”, “Fjalor për edukimin mediatik” etj.
  • Njëkohësisht është duke u realizuar edhe projekti “Mbështetje për edukimin sipërmarrës në Evropë dhe Euroazi” dhe po zhvillohen aktivitete aktuale në lidhje me programet e shkëmbimit akademik – Fullbright, Kennedy – Lugar, Youth Exchange Study.
  • Në vazhdimësi zhvillohet edhe bashkëpunimi me Korpusin e Paqes, me theks në përmirësimin e mësimit të gjuhës angleze në shkollat ​​fillore dhe të mesme në vend.
  • Në aspektin e shkëmbimit kulturor, janë ndërmarrë aktivitete për organizimin e qëndrimeve studimore në SHBA për përmirësimin e aftësive të ekspertëve nga institucionet muzeore në Maqedoninë e Veriut, si dhe për organizimin e klasave master për muzikantë të rinj të talentuar, të cilat do të jenë të një rëndësie të veçantë për zhvillimin e artistëve tanë dhe përmirësimin e cilësisë së skenës sonë muzikore.

Bashkëpunimi bilateral, Qeverisje e mirë dhe sundim i së drejtës

  • Aktivitetet janë duke u zhvilluar për të lehtësuar procedurat e hyrjes për qytetarët tanë në SHBA (të cilët kanë vizë amerikane) përmes anëtarësimit tonë në programin Global Entry.
  • Në përputhje me prioritetet e përcaktuara tashmë, janë zhvilluar aktivitete në fushën e luftës kundër korrupsionit. Vizita janë realizuar nga përfaqësues të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe janë zhvilluar aktivitete në drejtim të shkëmbimit të përvojave për mënyrat e përballjes me korrupsionin, ndërgjegjësimit për pasojat negative që vijnë nga veprimet e ndryshme korruptive etj.

Fusha “Tregti dhe investime”

  • Theksi është vendosur te krijimi i linjës direkte të fluturimit Shkup – Nju Jork, e cila do të lehtësojë bashkëpunimin e përgjithshëm afarist dhe ekonomik.
  • Po punohet për organizimin e një forumi të madh biznesi, i cili do të kontribuojë në tërheqjen e investimeve të huaja nga SHBA-të, si dhe në rritjen e shkëmbimit tregtar.

Fusha “Shëndeti”

  • Në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të laboratorit virologjik në Institutin e Shëndetit Publik”, me ndihmën e Ambasadës së SHBA-së në Shkup, kanë përfunduar aktivitetet e ndërtimit për një pjesë të posaçme laboratorike me një nivel të rritur të sigurisë biologjike, veçanërisht të rëndësishme kur punohet me agjentë biologjikë shumë patogjenë.

“Ministria e Punëve të Jashtme do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e projekteve në kuadër të Dialogut Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në bazë të raporteve tremujore të pranuara nga institucionet kompetente do ta informojë Qeverinë çdo gjashtë muaj për statusin e realizimit të aktiviteteve dhe projekteve të planifikuara”, thuhet në raport.

Raportin e radhës do të duhet ta presim rreth fundit të marsit të vitit 2024, pas çka mund të bëhet një krahasim për përparimin në aktivitetet e përcaktuara me raportin e parë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në seancën e 24 tetorit të Qeverisë, prezantoi Raportin e parë për statusin e realizimit të projekteve nga Plani i Veprimit në kuadër të Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së. Raporti është përgatitur nga Ministria e Punëve të Jashtme, si koordinatore e procesit të përgjithshëm, bazuar në raportet tremujore për aktivitetet e kryera nga ministritë, institucionet dhe agjencitë qeveritare kompetente.

Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që mbajti Dialog Strategjik me ShBA-në më 2 qershor të vitit të kaluar, në Uashington. Me këtë marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve u ngritën në një nivel më të lartë, duke forcuar partneritetin strategjik dhe aleancën e kahershme mes dy vendeve. Në kuadër të takimit të parë të Dialogut Strategjik, u përcaktuan disa fusha me rëndësi kryesisht dypalëshe, por edhe me interes rajonal dhe global. Si fusha kryesore për bashkëpunim u theksuan: iniciativat rajonale; mbrojtja dhe siguria; lidhjet midis njerëzve; bashkëpunimi dypalësh, qeverisja e mirë dhe sundimi i së drejtës; tregtia dhe investimet.