FJALOR I FEVE

“Njeriu i mençur nuk duhet të jetë i pafe, kurse njeriu që ka fe nuk duhet të jetë i pamend”

Nicolaus Zinzerdorf

Me këtë thënie e hap Fjalorin e feve akademiku kosovar Ekrem Murtezai (1941-2000), vepër kjo të cilën spektri intelektual dhe lexuesi shqiptar në përgjithësi tanimë e kanë një version të ri të përpunuar. Ky libwr kapital në botim të Logos-A (2022), riemërtuar si Fjalor i terminologjisë fetare është pjesë e kolanës së punimeve të prof. Murtezait që përfshin mes tjerash edhe “Disa terma aktualë politikë” (1986), “Fjalori i filozofisë” (1995), “Fjalor i feve” (2000), “Hyrje konceptuale në filozofi” (2015) etj. Fjalori që trajtojmë në këtë shkrim është një enciklopedi, leksikon-hartë e detajuar të fenomenit fe, sa arkaik aq edhe modern, të këtij fakti social botëkuptimformues të fuqishëm, i këtij kërkimi dhe shpjegimi të kuptimit të jetës (Swidler), i këtij agjenti me ndikim individual dhe shoqëror në çdo periudhë të historisë, në çdo shoqëri e cep të botës.

Ky libër, instrument i eksplorimit të shpirtit botëror, të via positiva-s tradicionale e metafizike, të njërit nga çelësat e të bërit mirë (doing good), të paqes, por edhe të përleshjeve mes popujve si pasojë e keqkuptimit ose keqinterpretimit, përfshin dhe elaboron në mënyrë koncize dhe të qartë  terminologjinë e kulturave të ndryshme fetare, nga minoret e lokalet deri te ato madhore dhe universale.

Fetë, ndonëse e ruajnë substancën e tyre, janë qenie që ndryshojnë brenda kohës,  kushteve të reja të krijuara. Edhe leksikonët nuk janë statikë. Ata evoluojnë konform zhvillimeve sociale, kulturore. Botimi i tretë i Fjalorit të feve përbën një format të përmirësuar dhe të përditësuar të kësaj vepre me të dhëna e fakte të reja. Ai vjen me numrat aktualë të ndjekësve të feve, me emrat e prijësve të rinj të fraksioneve ose sekteve të ndryshme fetare, me përkthimin e titujve të të gjitha veprave të përmendura në të (nga gjuha arabe, angleze, gjermane, frënge…), me shtëpi dhe vite të botimit të veprave të shfrytëzuara, me transkribime të korrigjuara, si dhe me disa shpjegime shtesë që zërat i bëjnë më të qartë e të tjera.

Ky fjalor, që lexohet pjesërisht, sipas nevojës dhe preferencave të subjektit, do t’u shërbejë studiuesve të sferave dhe profileve të ndryshme shoqërore, në veçanti atyre që merren me teologji, filozofi, sociologji, antropologji, shkenca politike, studime kulturore, si dhe të gjithë të interesuarve për çështjen e fesë dhe fetarisë si emanacion i kësaj të parës.

Fjalori i terminologjisë fetare është një prurje e veçantë në ligjëratën akademike dhe në kulturën shqiptare në përgjithësi, andaj akademik Murtezai meriton lëvdata për punën që ka bërë ndër vite dhe gjurmët e lëna në dije dhe shkencë si kategori sublime.

Ky Fjalor është një punim autoritativ, një “standard i ekselencës” (Peak) në Religionswissenschaft ose në studimet fetare shqiptare. Sipas Albert Brisbane-it (1864-1936), publicist amerikan, “fjalori është vendi i vetëm ku suksesi vjen para punës.”

Në vijim do japim disa terma që pasqyrojnë frymën dhe përmbëjtjen e këtij punimi të veçantë:

Amor Dei Intellectualis (lat.) – “dashuria intelektuale ndaj Zotit”. Sipas Toma Akuinit (1225-1274), dashuria krishtere (lat. caritas), dashuria qiellore është një lloj i miqësimit ndërmjet Zotit e njeriut; “amor Dei Intellectualis” është njëra ndër idetë qendrore të Spinozës (1632-1677). Sipas këtij panteisti të njohur, dashuria ndaj Zotit është njëra ndër format e arritjes së virtytit më të lartë shpirtëror. Duke synuar ta njohë e dashurojë Zotin, njeriu i afrohet gjithnjë e me tepër Atij. “Dashuria intelektuale ndaj Zotit – thotë Spinoza në veprën e tij epokale Etika – e cila del nga lloji i tretë i njohjes, është e amshueshme. Zoti e do vetveten me anë të dashurisë intelektuale apo shpirtërore… është kjo vetë dashuria e Zotit, me anë të së cilës ky e do vetveten… Kjo do të thotë se dashuria intelektuale ndaj Zotit është pjesë e dashurisë së paskajshme, me anë të së cilës Zoti e do vetveten“.

Dogmë-a (gr. dokein – mendoj) – në përgjithësi: mendim, mësim, normë apo pikëpamje që konsiderohet si e drejtë dhe si e vërtetë, që respektohet dhe mbrohet; një kryemendim themelor apo një pikënisje ose disa sosh të ndonjë ideologjie, politike, feje, morali apo shkence, që pa ndonjë provë konsiderohen si të drejta, të vërteta, të pakontestueshme, të pandryshueshme dhe që, si të tilla mbrohen më së shpeshti në mënyrë të verbër dhe intolerante; dogma më shumë është një bindje, një besim, sesa një mendim, që njëmend është i vërtetë, i drejtë e tj. Në fushën e fesë dhe të teologjisë: bërthama e asaj në të cilën duhet besuar, e vërteta e shfaqur, e zbuluar; zbulesa si e vërtetë mbinatyrore, për vlerësimin e të cilës është kompetente vetëm kisha, autoriteti kishtar e jo shkenca, filozofia apo arsyeja e shëndoshë. Në Besëlidhjen e Re dogma përcaktohet si urdhër i mbretit”, si dispozitë ligjore dhe si “rregull fetar i cili nuk mund të injorohet, të mos përfillet apo të kontestohet”.

Konventikulë-a (lat. conventiculum) – një shoqëri apo një bashkësi e vogël fetare, e fshehtë; bashkësia apo shoqëria e cila vepron ilegalisht, qoftë në raport me shtetin, qoftë në raport me fenë, brendapërbrenda së cilës gjendet formalisht; “fraksion”, sekt ende i palegalizuar.

Seminar-i (lat. seminarium) – “fidanishtë”; themelatë shkollore mesjetare krishtere, qëllimi dhe funksioni kryesor i së cilës ishte përgatitja dhe aftësimi teologjik i kuadrove fetarë që do ta udhëheqnin kishën dhe jetën fetare të besimtarëve krishterë; shkolla fetare për përgatitjen e klerikëve e teologëve të krishterë; themelatë shkollore, të cilës në fenë islami i përgjigjet medreseja: jashtë këtij konteksti fjala seminar do të thotë një këshillim i shkurtër (disa ditësh) lidhur me aftësimin profesional të kuadrove të caktuar apo lidhur me këmbimin e përvojave brenda një fushe të veprimtarisë.

Stigmatizim-i (gr. stigma, stigmos, stigmata) – shfaqja e stigmave, e blanave, e plagëve në trupin e disa njerëzve, të cilat disa të krishterë i shpjegojnë si shfaqje të plagëve e të dhembjeve që i ka përjetuar dikur Jezusi.

Usûl ed-dîn (ar.) – bazat e besimit fetar islam; bazat e fesë islame; njëra ndër “pjesët” e teologjisë fundamentale islame.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.