ANALIZË: Përmbaruesit kanë arkëtuar 40,5 milionë euro nga qytetarët për një vit

Shumat më të larta të borxheve janë arkëtuar me detyrim nga firmat, më pas nga qytetarët dhe në vend të tretë është shteti. Në të njëjtën kohë, kompanitë ishin të parat në listën e kreditorëve që arritën të arkëtojnë shumën më të lartë të kërkesave nga debitorët. Raporti i fundit për punën e përmbaruesve tregon se në vitin 2022 është arkëtuar një shumë rekorde e borxhit, mbi 144 milionë euro, kurse vetëm nga qytetarët mbi 40 milionë euro, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Firmat – të parat në “rrethin” e borxhlinjve – ato janë borxhlinjtë dhe kreditorët më të mëdhenj

Shuma që përmbaruesit e arkëtojnë në formë të detyrueshme rritet në baza vjetore. Vitin e kaluar, sipas Raportit Vjetor për punën e Odës së Përmbaruesve, është arkëtuar një shumë rekorde e borxhit nga firmat, qytetarët dhe shteti, në vlerë të përgjithshme prej 144,3 milionë euro. Kjo është shuma më e lartë e arkëtuar e borxhit që nga viti 2006, kur filloi arkëtimi i detyrueshëm i borxheve përmes përmbaruesve. Vetëm në raport me vitin 2021, borxhi i arkëtuar është më i lartë për 14,3 milionë euro.

Infografik nga Portalb: Mjetet që përmbaruesit e RMV-së i kanë mbledhur nga kreditorët gjatë vitit 2022
Infografik nga Portalb: Mjetet që përmbaruesit e RMV-së i kanë mbledhur nga kreditorët gjatë vitit 2022     

Vitin e kaluar janë parashtruar edhe një numër rekord prej 152.079 kërkesash për përmbarim, por edhe pse shuma e arkëtuar në formë të detyrueshme është më e larta në histori, është interesant fakti se shkalla e realizimit të kërkesave të pranuara është 38,27% dhe ajo është më e ulëta e viteve të fundit, që është tregues se bëhet fjalë për kërkesa për arkëtim të detyrueshëm të shumave të larta. Shuma më e madhe është arkëtuar nga firmat, edhe atë 81,7 milionë euro, më pas nga qytetarët 40,5 milionë euro dhe në vend të tretë është shteti, nga i cili është arkëtuar një borxh prej gati 23,5 milionë euro.

Infografik nga Portalb: Mjetet që përmbaruesit e RMV-së i kanë mbledhur nga borxhlinjtë gjatë vitit 2022
Infografik nga Portalb: Mjetet që përmbaruesit e RMV-së i kanë mbledhur nga borxhlinjtë gjatë vitit 2022

Në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, borxhi i arkëtuar nga qytetarët është rritur për gati 3,6 milionë euro, nga firmat për 7,7 milionë euro, kurse nga shteti në formë të detyrueshme janë arkëtuar 3,3 milionë euro më shumë në vitin 2022.

Nga ana tjetër, sipas strukturës së kreditorëve, shuma më e madhe prej 116,6 milionë eurosh është “derdhur” në ekonomi, në vend të dytë janë qytetarët, në emër të të cilëve përmbaruesit kanë arkëtuar 22,6 milionë eur, kurse në vend të tretë është shteti, i cili përmes përmbaruesve arkëtoi në mënyrë të detyrueshme gati 6,5 milionë euro.

Infografik nga Portalb: Mjetet që përmbaruesit e RMV-së i kanë mbledhur nga kompanitë, qytetarët dhe shteti
Infografik nga Portalb: Mjetet që përmbaruesit e RMV-së i kanë mbledhur nga kompanitë, qytetarët dhe shteti

Sipas të dhënave nga Raporti vjetor për punën e përmbaruesve, të analizuara sipas rajoneve, numri më i madh i kërkesave për përmbarim ose 64.305 kanë qenë në Gjykatën Themelore, Gjykatën Civile dhe Gjykatën Themelore Penale – Shkup, pasuar nga gjykatat themelore Kumanovë, Kriva Pallankë dhe Kratovë me gjithsej 13.943 kërkesa, pastaj në rajonin që i përfshin gjykatat themelore në Veles, Gjevgjeli, Kavadar dhe Negotinë, me gjithsej 13.466 kërkesa dhe në vendin e tretë me 12.284 kërkesa të pranuara janë gjykatat themelore në Gostivar dhe Kërçovë. Numri më i madh i kërkesave të realizuara për përmbarim nga ato të pranuara në vitin 2022 ose 15,7% kanë qenë në rajonin e Gjykatës Themelore të Manastirit dhe Gjykatës Themelore të Resnjës, ndërsa në rajonin e Gjykatave Themelore Kumanovë, Kriva Pallankë dhe Kratovë është përqindja më e ulët e realizimit të kërkesave të pranuara për përmbarim në vitin 2022, gjegjësisht 5,37%.

Vitin e kaluar në vend kanë funksionuar 92 përmbarues në 11 rajone të gjykatave themelore në vend. 11 përmbarues i kanë mbyllur zyrat e tyre, shumica me kërkesë personale, katër janë pensionuar, kurse një përmbaruese është shkarkuar. Në të njëjtin vit të analizuar janë emëruar gjashtë përmbarues të rinj.