Filmi i Taylor Swift po thyen rekorde, sot do të ketë premierë në RMV

Filmi koncert i Taylor Swift “The Eras” mund të shihet në ekranet e mëdha në 100 vende të botës, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Filmi, i cili është përmbledhje e të gjitha albumeve të saj, të realizuara gjatë periudhës 17-vjeçare, në katalogun muzikor të yllit të pop-it, zgjat pothuajse tre orë dhe biletat janë shumë të kërkuara, transmeton Portalb.mk.

Filmi i koncertit ka rëndësi të madhe për kinematë amerikane, pasi pritet t’i japë shtysë të madhe teatrove që janë dëmtuar nga grevat e Hollivudit këtë vit.

Filmi theu rekordin njëditor të biletave të multipleksit amerikan (AMC) me 26 milionë dollarë më 31 gusht, ditën kur u shpall, dhe ka gjeneruar më shumë se 100 milionë dollarë në parashitje globale, njoftojnë nga AMC.

Kinematë në mbarë botën rekomandojnë që filmi të përjetohet si koncert i vërtetë, me këngë, vallëzim dhe shoqëri për të gjithë fansat.

Në Maqedoninë e Veriut filmi mund të shihet në kinematë “Cineplex”, ndërsa premiera është sot në orën 18.00.