Diskutime për të rinjtë dhe shëndetin mendor në disa qytete të RMV-së

UNICEF dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), duke vizituar disa qytete të RMV-së do të hapin diskutim me fëmijët dhe të rinjtë për shëndetin mendor, me qëllim të uljes së stigmës lidhur me shëndetin mendor. Karvani fillon sot nga Strumica dhe Vallandova, ndërsa në javët në vijim do të vazhdojë në Probishtip, Kratovë, Shtip, Koçan, Tetovë, Gostivar, Vinicë, Blatec, Prilep, Manastir, Kumanovë, Veles, Kavadar dhe Shkup, transmeton Portalb.mk.

“I menduar si një rutë këmbësore për të rinjtë me aktivitete të ndryshme kreative dhe mundësi për bisedime të ndërsjella, karvani ofron forum për të rinjtë të hapin pyetje dhe së bashku të gjejnë përgjigje. Ata do të kenë mundësi të bisedojnë për të gjitha sfidat me të cilat përballen përfaqësuesit e UNICEF, MPPS-së, trupit diplomatik dhe ekspertëve të shëndetit mendor”, thuhet në deklaratën e UNICEF-it.

Ministrja Jovana Trençevska tha se destigmatizimi, shoqërimi, lëvizshmëria dhe të folurit janë mënyra për të ndërtuar të rinj të shëndetshëm, të cilët do të jenë shtytës të shoqërisë dhe sistemit të mbrojtjes sociale.

“Sistemi i mbrojtjes sociale është ai që duhet të kujdeset për mirëqenien, mirëpo duhet të jetë edhe ai që inkurajon dhe motivon. Prandaj jemi këtu sot. Për shkak se të rinjtë e ndryshojnë shoqërinë tonë, destigmatizojnë dhe ecin përpara. Qëllimi ynë përfundimtar është të krijojmë një mirëqenie pozitive, përmes të cilës do të mund ta arrimë potencialin tonë të plotë”, Trençevska

Përfaqësuesja e UNICEF, Patricia DiGiovanni, tha se shumë fëmijë dhe të rinj vuajnë vetëm dhe nuk kërkojnë ndihmë për shkak të stigmës ose mungesës së iniciativës për zhvillimin dhe mbrojtjen e shëndetit mendor dhe kujdesit për ata që kanë më shumë nevojë.

“Askush nuk duhet të lihet vetëm të përballet me sfidat e shëndetit mendor. Duhet të përkujdesemi që fëmijët dhe të rinjtë të marrin përkrahje kur ajo tu nevojitet”, tha ajo.

Anketa e përkrahur nga UNICEF në Maqedoninë e Veriut ka treguar se secili adoleshent i tretë i përfshirë në hulumtim ka paraqitur simptoma të depresionit, ndërsa vajzat kishin gjashtë herë më shumë gjasa të paraqesin simptoma të depresionit në krahasim me djemtë. Rreth 42 përqind të adoleshentëve kanë përjetuar simptoma mesatare deri në të rënda të ankthit. Edhe pse më shumë se gjysma e adoleshentëve kanë deklaruar se kanë nevojë për shërbime për shëndetin mendor, ata përsëri nuk kanë kërkuar një ndihmë të tillë.

“Edhe nëse ata kërkojnë ndihmë, nuk ekzistojnë shërbime të mjaftueshme cilësore për shëndetin mendor në vend. Përveç objekteve të specializuara, është po aq e rëndësishme të ekzistojnë programe dhe aktivitete që të promovohet rëndësia e parandalimit dhe kujdesit të hershëm të shëndetit mendor tek të rinjtë. Zbulimi i hershëm i problemeve mendore e ndalon përkeqësimin e mëtejshëm dhe paraqitjen e problemeve kronike shëndetësore , probleme që më pas zgjidhen në nivelin e kujdesit terciar shëndetësor”, thuhet në njoftimin e UNICEF-it.

Këto aktivitete do të promovojnë përfitimet e aktiviteteve të hapura për mirëqenien mendore.

“Ecja e qetëson mendjen, e përmirëson disponimin, zvogëlon rrezikun e depresionit dhe problemeve tjera që lidhem me stresin dhe ankthin. Përmes të këtyre aktiviteteve të bashkëmoshatareve dhe miqve, socializmi mund të ofrojë përfitime shtesë, duke u ndihmuar të rinjve të ndjejnë stabilitet dhe mbështetje”, thuhet në njoftim.