RMV, qytetarët shënjestër e sulmeve fishing, MPB: Kini kujdes me të dhënat personale

Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale pranë Byrosë për Siguri Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RMV-së gjatë kësaj periudhe ka konstatuar një dukuri të shpeshtë të të ashtuquajturave sulme fishing ndaj qytetarëve, me qëllim marrjen e paautorizuar të të dhënave personale prej tyre, ndaj u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, transmeton Portalb.mk.

“Sulmi fishing është përpjekje për të mashtruar përdoruesit duke dërguar mesazh të rremë që duket si i vërtetë. Sulmet fishing synojnë të mashtrojnë marrësin e mesazhit që të zbulojë informacionin e tij personal, të vizitojë një faqe interneti të rreme ose të hapë një bashkëngjitje të mesazhit që është i infektuar me virus. Përpjekjet për fishing zakonisht vijnë përmes postës elektronike, por edhe nga rrjetet sociale, përmes mesazheve me tekst ose thirrje telefonike”, thonë nga MPB.

Nga aty, Ministria e Punëve të Brendshme, për të mbrojtur qytetarët, të dhënat e tyre personale dhe abuzimet dhe pasojat e mundshme që mund të lindin, u bën thirrje qytetarëve për vigjilencë të veçantë në marrjen e mesazheve të tilla, që të mos bien në mashtrime të këtij lloji dhe të dhënat e tyre personale të mos i ndajnë dhe shkëmbejnë me persona të panjohur, si dhe me persona, identiteti i vërtetë i të cilëve nuk mund të përcaktohet, për të parandaluar abuzimin e tyre të mëtejshëm.

Raporte të ngjashme nga qytetarët Ministria e Punëve të Brendshme kishte pranuar në shtator dhe në prill të këtij viti, gjithashtu në emër të drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Sasho Tasevski, në bashkëpunim të pretenduar me Europolin.