Fermerët polakë qëlluan me vezë zyrat e BE-së

Fermerët polakë qëlluan me vezë një zyrë të Komisionit Evropian në qytetin perëndimor të Wroclaw të enjten, raporton ABC.

Fermerët në të gjithë Evropën po protestojnë kundër kufizimeve të vendosura ndaj tyre për të trajtuar ndryshimet klimatike nga Bashkimi Evropian, si dhe rritjen e kostove dhe atë që ata thonë se është konkurrencë e pandershme nga jashtë, veçanërisht Ukraina.

Sipas organizatorëve, në demonstratë morën pjesë rreth 1000 protestues me 500 traktorë dhe automjete të tjera bujqësore. Pamjet e protestës të transmetuara nga stacioni televiziv privat TVN24 tregojnë protestuesit nëpër rrugë duke mbajtur flamuj polakë dhe pankarta.

Fermerët u mblodhën edhe para selisë së qeverisë së qarkut ku ndezën një zjarr të madh. Pavarësisht kërkesave nga organizatorët për t’u shpërndarë, ata nuk u larguan.

Fermerët polakë po planifikojnë një bllokadë të plotë të të gjitha pikave kufitare me Ukrainën dhe një protestë të madhe në kryeqytetin e vendit Varshavë më 20 shkurt.