Nga 1 korriku nuk do të paguhen fatura më të larta të energjisë elektrike, paralajmëroi Bekteshi

Nga 1 korriku deri në fund të vitit qytetarët nuk do të paguajnë më shtrenjtë rrymën, siguroi ministri i Ekonomisë – Kreshnik Bekteshi, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Ai theksoi se me ministrin e Financave, kryetarin e Komisionit Rregullator për Energji dhe anëtarët e tjerë të Këshillit për Energji në kuadër të Qeverisë muajin e ardhshëm do të diskutohet për modelin e ri të llogaritjes së çmimit të energjisë elektrike, por ai u tha qytetarëve se pavarësisht se çfarë modeli do të vendoset, nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Nga sot mund t’i informoj qytetarët se nga 1 korriku deri në fund të vitit nuk do të paguajnë rrymën më shtrenjtë. Së bashku do të përcaktojmë se cili do të jetë modeli në kuadër të Këshillit të Energjisë” deklaroi Bekteshi.

Lidhur me njoftimet se TVSH-ja për energjinë elektrike nga 1 korriku do të rritet nga 10 në 18 përqind, Bekteshi tha sot se edhe nëse kjo ndodh, faturat e qytetarëve nuk do të rriten.

Bekteshi tha se tashmë janë bërë analiza në Komisionin Rregullator i Energjisë dhe se pasi të jenë shqyrtuar nga anëtarët e Qeverisë, opinioni do të informohet.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bityqi javën e kaluar ka paralajmëruar kthimin e tarifës së lirë ditore të energjisë elektrike nga 1 korriku, por edhe rritje të mundshme të TVSH-së për energjinë elektrike nga 10 në 18 përqind.

Tenderin për çmimin që do ta ofrojë EMV-ja duhet ta publikojë “EVN Home” në ditët në vijim. Pas marrjes së ofertave, Komisioni Rregullator do të përcaktojë çmimin e një kilovat orë energji elektrike për amvisëritë.

Kujtojmë se TVSH-ja gjatë vitit 2022 ishte 5% dhe më pas u rrit në 10%.  5% ishte një masë e qeverisë që synonte përballimin e krizës energjetike, ndërsa u ndryshua, kur u panë përllogaritjet e reja se ka vend që të kthehet në 10%, pa ndikuar në çmimin e energjisë elektrike për familjet dhe për konsumatorët e vegjël.